Flet Agim Mazreku, i pari folës nga Kosova në OKB për ndryshimet klimatike: ja çfarë e pret botën…

Është kosovari i parë që mori fjalën në konferenën për ndryshimet klimatike, organizuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe sekretariati i saj, takim ky dy javor që mbahet në Bon të Gjermanisë.

Është ky Agim Mazreni, i cili tregon se si përfaqësues i organizatave joqeveritare ambientale të botës në emër të organizatës së tij “Earth in Brackets” si dhe Lëvizjes për drejtësi të klimës në këtë takim ka ndjekur diskutimet rreth mekanizmit të teknologjisë.

Ai në një intervistë ekskluzive për tesheshi.com tregon për mesazhin që ka dhënë në konferencë, ndërsa flet edhe për gjendjen e mjedisit në Kosovë e Shqipërisë, e tema tjera që

 

Intervistoi: Blendi Gashi

 

Jeni kosovari i parë që keni marrë pjesë në konferencën për ndryshime klimatike të organizuar nga OKB dhe sekretariati i saj. Padyshim një arritje kjo. Ç’eksperiencë është për ju?

Nuk besoj të jem kosovari i parë të ketë marrë pjesë në konferencën e palëve, mirëpo jam i pari shtetas nga Kosova që merr fjalën në seancë plenare. Megjithatë, kjo ka pak rëndësi duke marrë parasysh që pozicioni im në temat që negociohen janë pasqyrë e lëvizjes për drejtësi klimatike dhe nuk ndërlidhen me rajonin Ballkanit aq sa lidhen me “betejën” e madhe diplomatike në mes shteteve të mëdha nga globi jugor dhe ai veri perëndimor.

 

A ju ka kontaktuar dikush nga institucionet e Kosovës për t’iu uruar për këtë gjë, qoftë nga qeveria apo Ministria e Mjedisit? 

Me stafin e Ministrisë së Mjedisit kam kontakt pasi që verën e kaluar vendosa të fokusohem në politikat ambientale të rajonit dhe Kosovës. Para se të përfundoja kërkimin në Ministri të Mjedisit, stafi i departamentit për mbrojtje të mjedisit dhe ujërave më kanë përgëzuar për participimin në konferencë.

 

Çfarë mesazhi dhatë ju para shteteve për mjedisin?

Fokusi im është në konstruktën e teknologjisë, mekanizmin e teknologjisë dhe integrimin e këtij mekanizmi në Marrëveshjen e Parisit. Këtë konferencë të 23 të palëve, vetëm katër artikuj rreth teknologjise u diskutuan. Mesazhi im ishte specifik rreth qendrës dhe rrjetit të teknologjisë klimatike (Climate Technology Center and Network) si dhe financimin e saj.

 

Cila është gjendja e mjedisit sot në botë dhe a keni info në cilat shtete kanë mjedis më të pastër e cilat më të ndotur?

Kjo pyetje ka përgjigje të qartë. Duke marrë parasysh sistemin politik që shtetet e mëdha ndjekin, si dhe duke konsideruar që numri i popullsisë globale po rritet, mjedisi do të vazhdojë të jetë në nivel jo të shëndetshëm.

 

Po në Kosovë cila është gjendja e mjedisit dhe nga ajo që keni parë ju, sa është punuar rreth ndryshimeve klimatike?

Sa i përketë legjislaturës mjedisore, Kosova qëndron me mirë se disa nga fqinjët tanë. Por kur diskutojmë implementimin si dhe monitorimin e legjislaturës mjedisore, është pothuajse inekzistente.

 

Cili është mesazhi juaj për institucionet kosovare sa i përket ruajtjes së mjedisit dhe ç’hapa duhet të ndërmarrin që të përmirësohet gjendja?

Kur flitet për mjedisin, institucionet Kosovare janë në mentalitetin që intervenime në këtë lëmi mund të bëhen vetëm përmes fonde dhe investime të huaja. Iniciativat lokale si dhe edukimi që qytetarët të adaptojnë sjellje që respektojnë politikat ambientale është fillim i mirë. Pastaj, ambienti i pastër është shenjë që shteti dëshiron të ndjek një zhvillim të qëndrueshëm. Prandaj, menaxhimi i resurseve me principet e zhvillimit të qëndrueshëm si dhe hapësirë më pak burokratike për investime në energji të pastërt, janë këshillat e mia kryesore.

 

Nëse kërkohet nga ju dhe organizata juaj “Earth in Brackets” ta ndihmoni Kosovën në çështjet e mjedisit, sa jeni të gatshëm ta ofroni eksperiencën tuaj?

Organizata “Earth in Brackets” është organizatë kërkimore si dhe solidarizuese me fokus ne qështjet në nivel ndërkombëtar apo lokal në shtetin e Maine, pasi që aty vijojmë kërkimet.

 

Po për gjendjen mjedisore në Shqipëri ç’mendim keni? 

Sa i përket energjisë si dhe komunikimin me sekretariatin e UNFCC, Shqipëria ka qëndruar në rrugë të mirë, mirëpo më duhet të kërkojë më shumë që të jap një koment më të detajuar. Kam kontaktuar delegacionin Shqipëtar në këtë konferencë mirëpo nuk kam mundur të takohem me ta. Informacionet e fundit më thonë që Shqipëria nuk ka dërguar delegacionin ende, mirëpo më duhet të rishikoj.

 

Për fund cili është mesazhi juaj si aktivist i lëvizjes për drejtësi klimatike?

Mesazhi do të jetë i shkurtë dhe i qartë: konsensus është arrituar nga i gjithë komuniteti shkencor, ndryshimet klimatike do të jenë edhe më katastrofike se që janë tani. Për t’u adaptuar duhet intervenuar shpejt dhe nga të gjitha shtresat. /tesheshi.com/