Fjalimi i fundvitit, Rama: pranoj gabimet në qeverisje (video)

Ndryshe nga çdo herë tjetër, Kryeministri Edi Rama ka uruar gjithë shqiptarët për ndërrimin e viteve nëpërmjet një video-mesazhi. Në fjalën e tij, kreu i qeverisë ka pranuar edhe gabimet në qeverisje, ndërsa është shprehur i bindur dhe i vendosur për të ecur përpara me reformat në vend.

“Si çdo punë, edhe kjo e jona nuk mund të jetë pa të meta, dobësi, gabime, të cilave s’kemi pse u frikemi, për sa kohë punojmë me zemër dhe këmbëngulje të madhe, për një qëllim kaq të lartë sa ai i yni. Rëndësi ka të jemi të vetëdijshëm për to dhe të vazhdojmë përpara duke u përpjekur në çdo hap të përmirësohemi për të bërë gjithnjë më shumë. Ju siguroj se jemi të vetëdijshëm dhe shumë të vendosur”,- thotë ndër të tjera Edi Rama.

Ai shtoi se rimëkëmbja e një shteti të rrënuar si ai që morëm mbi shpatulla dy vjet më parë s’është as punë e lehtë as punë e shpejtë, ndërsa ju kërkoi qytetarëve që këtë përmbledhje ta lexojnë siç është: ‘një tërësi faktesh dhe shifrash që provojnë se investimi i besimit shqiptar tek ne është kthyer në arritje dhe rezultate me rëndësi, të cilat nuk janë kurrsesi të mjaftueshme por janë gjithsesi një dëshmi bindëse e vlerës që puna jonë ka pasur deri këtu në të mirë të vendit tonë dhe në funksion të ndërtimit të një shteti serioz’./tesheshi.com/

Related posts