Fjalimi “anti-europian” i Ramës në Bruksel, jehonë në median serbe

B92 serb i ka bërë jehonë fjalimit të kryeministrit Rama në takimin “Miqtë e Europës” zhvilluar në Bruksel.

Duke iu referuar një shkrim të Euroactiv.com, media e njohur e Beogradit, ndër më të ekuilibriarat dhe më jo-nacionaliste, sjell kumtimin e kryeministrit shqiptar në kryeqendrën europiane, duke zgjedhur të flasë “pa dorashka”, një fjalim me nota kritike ndaj BE-së, zbukuruar sa me fraza dashamirëse aq dhe shpotitëse, tipike për llojin e ligjërimit të tij.

Shkrimi i B92  me titullin: “Mallkimi i Ballkanit – Rama: Kur ne jemi mirë, Evropa është në telashe”

“Është si një lloj mallkimi ballkanik”. Kur BE ishte në gjendje më të mirë, ne ishim në më të keqen”, tha Rama në një konferencë të organizuar nga grupi Miqtë e Evropës në Bruksel, duke aluduar në rënien e Jugosllavisë në vitet 1990, raporton portali Euroactiv.com.

Tani, siç shtoi ai, “kur ne jemi në gjendje më të mirë, BE ka probleme”.

Ai vuri në dukje se rajoni më në fund iu kthye pajtimit dhe bashkëpunimit, bazuar në standardet dhe kërkesat e BE-së si një “forcë udhëheqëse”.

Marrja e presidencës së ardhshme të Këshillit të BE-së nga Bullgaria, Austria, Rumania, Kroacia dhe Gjermania, vende që i janë përkushtuar në mënyrë të qartë Ballkanit, beson ai, është një tjetër shenjë dhe rast i mirë që nuk duhet humbur.

“Ballkani në përgjithësi dhe Shqipëria në veçanti, dëshiron të bëjë përparim, por nëse perspektiva (anëtarësimi në BE) zbehet ose bëhet një iluzion, atëherë gjërat mund të shkojnë keq”, tha Rama.

Ai shtoi se Rusia dhe Kina kanë shumë për të ofruar, në përpjekje për të fituar Ballkanin.

“Rusia mund t’ju furnizojë energji për pjesën tjetër të jetës nëse ju heqni dorë nga sundimi i ligjit”, tha ai. “Nuk është interesante. Kina ka plane të mëdha për 100 vitet e ardhshme. Unë nuk do të thoja se nuk kanë asgjë për të ofruar”, tha ai.

“Nëse BE nuk dëshiron të vjen pas nesh, probleme të shumëfishta mund të rifillojnë dhe më pas do të jetë shumë më e shtrenjtë për ne që të bëhemi pjesë e BE më vonë”, tha Rama. /tesheshi.com/