728 x 90 Leaderboard

Me fitore e humbje, Barcelona dhe Man. Junajtedi ia dalin në ndeshjet e kupave

Barcelona shkroi emrin për të shtatën herë radhazi në gjysmëfinalet e Kupës së Mbretit në Spanjë pasi fitoi mbrëmë 5-2 ndaj Real Sociedadit.

Me ndeshjen e parë ndaj Real Sociedadit të fituar 0-1 në transfertë, katalanasit do të zbrisnin më të qetë në fushë, për të shpërthyer në një lumë golash posaçërisht në pjesën e dytë.

Lionel Messi ishte përsëri njeriu që e çoi skuadrën drejt fitores, siç ka bërë dendur përgjatë këtij janari. Ai do të shënonte vetëm një gol me 11-metërsh, ndërkohë që prania e tij në çdo sulm ishte e pamungueshme.

Denis Suarez shënoi dy prej golave; një tjetër Suarez realizoi gjithashtu, Luis-i. Turku Arda Turan nuk kishte si të mungonte, duke lënë shenjë po ashtu me një gol të shënuar.

Dy golat e miqve thjesht e bënë takimin më interesant, pa mundur gjithsesi ta përmbysnin rezultatin.

Barcelona qe e kualifikuara e katërt në gjysmëfinalet e Kupës së Mbretit, pas Alavesit, Selta Vigos dhe Atletikos së Madridit. Çiftet gjysmëfinaliste do të mësohen pas shortit të ditës së sotme.

Mançester Junajtedi është finalisti  dytë i Kupës së Ligës në Angli, dhe do të ndeshet për trofeun në finale me Sauthemptonin, që një ditë më parë eliminoi Liverpulin.

Megjithatë, për Mançester Junajtedin nuk ka kaluar lehtë mbrëmja e së enjtes, teksa humbi 2-1 në fushën e Hall Sitit.

Fitorja e Hall Sitit i dha fund serisë prej 17 ndeshjesh pa humbje për skuadrën e Mourinho-s në tërë aktivitetet, por nuk i ndërpreu rrugëtimin. E kjo thjesht fare, ngaqë Mançester Junajtedi e kishte fituar 2-0 takimin e parë.

Një 11-metërsh i shndërruar në gol nga Huddlestone në minutën e 35-të u dha avantazhin vendasve. Një epërsi që do të kishte si përgjigje golin e Pogba-së në pjesën e dytë. Niasse qe shënuesi i golit të fitores për Hall Sitin pesë minuta para mbarimit të lojës. /tesheshi.com/  

Related posts