Filmat western: përse SHBA kthehen gjithnjë tek “Perëndimi i egër” në kohë krizash

A mund të thuhet se rishfaqja në televizione dhe kinema e filmave “western” është reflektim ndaj trazirave politike të Amerikës së Trump?

Amerika liberale është e trembur. Njerëzit ndjehen të mashtruar dhe të gënjyer. Ata rikujtojnë me tmerr se çfarë është bërë në emër të vendit të tyre nën mbulesën e sigurisë kombëtare. Ndërkohë, në Hollivud dhe në ekranin e vogël, po rikthehen në prodhim filmat “western”. Joel dhe Ethan Coen njoftuan projektin e tyre të radhës, “The Ballad of Buster Scruggs”, një hybrid kinematografiko-televiziv që do të shfaqet në disa seriale dhe në një version për ekranin e madh.

Steven Soderbergh, së fundmi, prodhoi serialin “Godless”, ku luante ylli i “Downton Abbey”, Michelle Dockery. Kur Shtetet e Bashkuara përballen me krizë, nuk ka asnjë zhanër më të mirë që shfaq dëshirën sesi kombi dëshiron ta shohë veten.

“Filmat western tregojnë vërtet se ku ndodhet bota”, thotë Antoine Fuqua, regjisori i versionit të ri të filmit “Shtatë të mrekullueshmit”,

(The Magnificent Seven), që pati premierën 18 muaj më parë e që tregon  një histori vërtet parashikuese të asaj ku po drejtohen Shtetet e Bashkuara sot. “Ne ende jemi duke u përballur me njerëz që abuzojnë me të tjerët, që djegin ndërtesa, e vrasin njerëz në rrugë”.

Quentin Tarantino, regjisori i filmit “western” të vitit 2012,

“Django Unchained”, tha përpara shfaqjes së filmit “The Hateful Eight” në vitin 2015: “Nuk ka zhanër më të vërtetë filmik që të reflektojë më mirë vlerat dhe problemet e një dekade të caktuar sesa filmat western të krijuara gjatë asaj dekade specifike”.

Nuk është e vështirë ta imagjinosh atë duke shqyrtuar kaosin autoritarist të Amerikës së Trump dhe dhënien e imazhit të një “qëlloji të gjithë” të përgjakshëm. Të gjithë elementët janë aty: baroni hajdut egomaniak dhe banda e tij e banditëve që i sulen qytetit të vogël, vendosja e banorëve lokalë kundër njëri-tjetrit dhe që ia dalin të paprekur nga ligji. Në të vërtetë, në fund të vitit 2016, HBO me filmin “Westworld” tërhoqi një audiencë të mirë, edhe pse mistike, ndaj vizionit të vet të një ardhmeje ku ekzekutivët e mërzitur largojnë stresin duke vrarë me automatik kaubojsit.

Kur bota dukej më e thjeshtë, sidoqoftë, filmat western i bënin jehonë kësaj thjeshtësie. Në vitin 1959, kishte 26 filma western që shfaqeshin në fashën e parë orare në televizionet amerikane. Amerika, që sapo po dilte nga recesioni dhe në prag të luftës në Vietnam, kishte nevojë për histori të pakomplikuara të djemve të mirë që triumfonin ndaj kërcënimeve kundër civilizimit. Shfaqje të tilla si “Rawhide” (ku luante Clint Eastwood) dhe “Gunsmoke” rehatonin audiencat me përralla të moralitetit të thjeshtë që shkonte pas në vitet 1930.

Në vitet 1970, dhe me jehonë akoma sot, rituali i ngrënies së darkës familjare duke parë lajmet e mbrëmjes, mori një aspekt makthi. Pamje nga Vietnami, kriza e naftës, trazirat civile, rrëmbimet e avionëve dhe situata e pengjeve në Teheran u përzjenë për të dhëmbëzuar psikikën kombëtare. Rrjetet e transmetimit u përpoqën të shpëtojnë nga këto plagë me shfaqje të tilla si “Little House on the Prairie” dhe “The Waltons” – filmat western u pastruan nga loja e armëve e u përqëndruan në imazhe idilikë të jetës në qytetet e vogla, në fillim të shekullit.

Në vitin 2002, ndërsa Xhorxh Bush kërkonte luftë në Irak, dy filma western që lanë shenjë, debutuan në televizion, njëri pas tjetrit: njëri vendosur në të shkuarën e tjetri larg në të ardhmen, por të dy bashkohen nga mosbesimi ndaj qeverisë dhe sundimit të ligjit. Ngjarjet zhvillohen në vitin 2517 në filmin fantastiko-shkencor “Firefly” ku shfaqet një grup të mbijetuarish nga një luftë civile, shndërruar tashmë në trafikantë, por seria zgjati vetëm 14 episode. Seriali i HBO-së, David Milch “Deadwood”, ndërkohë, mori disa figura legjendare të Perëndimit të vjetër – Wild Bill Hickok, Calamity Jane dhe Wyatt Earp – dhe u dha atyre monologjet shekspiriane, duke marrë përsipër lirinë e përsiatjes me jetët e tyre.

Timothy Olyphant, shitësi ambulant i shndërruar në njeri të ligjit, është banori më i ri i një vendbanimi minatorësh përmes pikëpamjeve të të cilit, audiencat supozoheshin të shihnin qytetin e korruptuar, të shkalafitur nga gjaku e plumbat të Deadwood. Sidoqoftë, del shpejt në pah se pronari i sallonit Ian McShane dhe sekseri Al Swearengen, ishin mishërimi irritues i qytetit dhe mëkateve të tij të shumta.

Krijuar nga Milch si studim i një shoqërie pa ligje, Deadwood ishte një shfaqje që kërkonte absorbim, e ndonjëherë edhe e vështirë. Por westerni i fundit madhështor modern ishte ndoshta seriali “Justified”, bazuar në një histori të shkurtër nga Elmore Leonard dhe që nuk u shfaq më në vitin 2015.  Timothy Olyphant mund të mos e kishte një shans midis përmbledhjes së monologjeve të rrjedhshme në “Deadwood”, por në “Justified”, ku luante marshallin Raylan Givens, ai pati mundësinë të luante personazhin “vepro në fillim, pyet më pas” që rikthehet në vendlindjen e vet të rrënuar nga krimi në kontenë Harlan, Kentucky.

Marshalli Givens përshkruhet nga ish-i i vet në serial si “njeriu më i zemëruar që kam njohur ndonjëherë” – dhe, në të vërtetë, ashtu si na kujtoi periudha para dhe pas fushatës së Trump, zemra e Amerikës është e mbushur me të bardhë të moshës së mesme tepër të zemëruar që nuk pranojnë të heqin dorë nga e drejta për të mbajtur armë.

Givens tërhoqi audiencën përmes disa sezoneve me aksion, mirëpo ai ndjeu edhe pasojat: një linjë shumë e hollë ndante heroin me armë dhe psikopatin që ai përndiqte plot me vrima plumbash.

Në serialet si “Westworld” dhe “Godless” kjo linjë apo vijë e hollë, jep përshtypjen se është duke u zhdukur fare: për shkak se amerikanët janë duke u bërë gjithnjë e më shumë të frikësuar.

Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/

Related posts