Fillon fushata për zgjedhjet lokale në Kosovë: ja kush bëri premtimet e para

Nga Blendi Gashi

Fushata për zgjedhjet lokale në Kosovë ka nisur zyrtarisht, ndërsa disa parti nuk e kanë humbur asnjë sekondë kohë. Me të shënuar ora 00:00 e të enjtes, subjektet politike kanë çelur fushatën duke bërë premtimet e para.

Nga drejtuesit e partive të mëdha është vetëm Kadri Veseli i PDK-së i cili u paraqit në mesnatë në hapje të fushatës, gjë që nuk e bënë kryetarët e partive tjera.

Veseli para dhjetëra anëtarëve në Prishtinë, shpalosi numrin 94, me të cilin garon PDK në zgjedhje dhe i uroi suksese kandidatit për Prishtinën Lirak Çelak, ndërsa shprehu bindjen se do të fitojnë edhe në shumicën e komunave.

“Më 22 tetor garojmë për të fituar për qytetarin e Kosovës në të gjitha komunat tona. Sonte jemi bashkërisht , së bashku me të rinjtë e Prishtinës dhe kandidatët e kuvendit komunal për të treguar në rradhë të parë forcën e ndryshimit, e cila është renditet e parë te të rinjtë. PDK ka prirë gjithmonë me vizionin e vet inovator në mënyrë që të ecim përpara, për të mirën e qytetarëve. Asnjëherë nuk ka hezituar që të marrë përgjegjësitë e veta, e bashkërisht të ndryshojë edhe vetveten.

Në zgjedhjet e 22 tetorit kandidojmë me tri kandidate femra, të cilave i urojmë përparësi dhe suksese.

Është koha për të fituar në komunat e Kosovës e mbi të gjitha në Prishtinë, Lirak, fuqishëm. Për të vijuar me të gjitha komunat ku kemi qenë fitues, në Rahovec, Suharekë, Skenderaj e Drenas. Fitore të fuqishme e të thellë. Qytetarët duan që kështu të jetë mbi 80%. Në Klinë me Sokol Bashotën presim që të fitojë pa balotazh”, tha Veseli.

Gjithashtu ai ka përmendur edhe disa komuna të tjera ku pret që PDK të dalë fituese.

“Mos të harrojmë dhe Dragashin e Vitinë, në Kaçanik , Hani e Elezit një komunë e vogël por shumë e bukur. Në Vushtrri do të vazhdojmë rrugën e fitores, në të njëjtën kohë me komunat e tjera si Shtimen e jashtëzakonshme e cila për 18 vite ka qenë me ne, denjësisht, do të vazhdojmë investime në të gjitha këto”, ka shtuar Veseli.

Agim Veliu beson se LDK do të mbetet e pathyeshme në Podujevë

LDK edhe pse zyrtarisht si parti nuk e ka hapur fushatën, kandidati për komunën e Podujevës, Agim Veliu në praninë e shumë anëtarëve të kësaj partie, nisi garën edhe për një mandat të ri në krye të kësaj komune.

Ai ka thënë se është i bindur se do të fitojnë Podujevën ,dhe se do të jenë partia e parë dhe se do të vazhdohet me udhëheqjen e komunës dhe punët të cilat i kanë në planifikim e sipër.

“Jam i bindur edhe njëherë po e theksoj se këto zgjedhje do t’i fitojmë sepse e kemi edhe programin më të mirë por edhe ekipin më të mirë, njerëzi e përgatitur poashtu bindjen tonë e forcon edhe fakti se kemi përvojën e gjatë në qeverisje, të mirë me rezultate pa afëra, pa korrupsion dhe pa asnjë kundërshtim me ligjin. Ju ftoj të gjithëve që gjatë kësaj periudhe sa do të zgjasë kjo fushatë, të jeni aktiv në krye të detyrës, në mënyrë që muajin e fushatës ta përballojmë ashtu siç i kemi përballuar të gjitha fushatat. Ju ftoj që të bëjmë një fushatë të dinjitetshme, të qetë të kulturuar, sepse kështu dimë ne. Vendit nuk i nevojiten fushata agresive, por të dijmë të përgjigjemi nëse të tjerët na ngacmojnë”, ka thënë Veliu.

AAK e nisi në Gjakovën

Partia e kryeministrit Ramush Haradinaj, AAK-ja fushatën zgjedhore e ka hapur në Gjakovë, me ç’rast kandidati i saj Ardian Gjini ka bërë edhe premtimet e para.

“Kemi kundërshtar politik. Ne nuk duam të merremi me ta personalisht gjatë kësaj fushate, po do t’i kritikojmë për punën. Gjakovën e duan ata që dëshirojnë të jetojnë në Gjakovë. E Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka platofrmën e gjerë për një jetë më të mirë në Gjakovë. Gjakova e ka Ramush Haradinajn, e i ka gjithë këta njerëz të pranishëm këtu”, ka thënë Gjini.

Gjithashtu, ai gjatë kësaj hapje ka bërë edhe prezantimin e kandidatëve për asamble komunale, ndërsa ai në fund i ka uruar AAK-së fitoren në Gjakovë edhe pse këtë gjuhet ta bëj pas 22 tetorit nëse partia e tij vërtet del e para.

AKR e nisi me Prishtinën me prerje torte

Kandidati i AKR-së për Prishtinën, Selim Pacolli  ka hapur fushatën në një ditë të veçantë për të, në ditën e ditëlindjes së tij.

Ai mbushi 48 vjeç e për këtë ka thënë se “është koha për të qeverisur me Prishtinën”.

Ai ka thënë se akoma nuk e ka zgjedhur sloganin me të cilin do të garojë për kryeqytetin.

Por cilat janë prioritetet e tij? “Rinia, rinia , rinia – qytet i lirë për rininë”, ka thënë Pacolli.

Lëvizja Vetëvendosje zyrtarisht fushatën zgjedhore do e hapë sot në në Prizren, ndërsa LDK-ja zyrtarisht e nis fushatën në Prishtinë.

Kujtojmë se fushata zgjedhore do të mbyllet më 20 tetor, 21 tetori do jetë heshtje zgjedhore kurse qytetarët do t’i drejtohen kutive të votimit më 22 tetor.