728 x 90 Leaderboard

Festivali i Eurovizionit, instrument politik dhe jo garë muzikore: e rastësishme fitorja e këngës izraelite?

Dekada të shkuara, në kushtet e një izolimi ekstrem, festivali i Eurovizionit, krahas Sanremos, ishte një prej veprimtarive muzikore më të mirëpritura, i ndjekur shpesh fshehurazi.

Një sakrificë që ia vlente për shkak të nivelit të kënaqshëm të këtij aktiviteti, një skenë prej nga u afirmuan shumë këngëtarë apo grupe të suksesshme më vonë.

Në mesin e dytë të viteve ’80 të shekullit të shkuar, e gjer në vitet e para të pas ’90-s, fituese të Eurovizionit do të shpalleshin një numër këngësh të mrekullueshme, ende të freskëta në kujtesë, lehtësisht të sjella në mendje me t’u dëgjuar edhe pas kaq kohësh.

“J’aime la vie”, “Hold me now”, “Ne partez pas sans moi”, “Insieme”, “Fangad av en stormvind”, “In your eyes”, do të ishin ca prej këngëve fituese, të pakundërshtueshme për cilësinë e tyre muzikore.

Kjo traditë e mirë do të merrte fund posaçërisht në dekadën e fundit, me shndërrimin e skenës së këtij festivali në një podium për përcjelljen e lloj-lloj mesazheve. Për të mos folur për votimin e këngëve; një histori më vete bezdisëse dhe e turpshme. Shembulli më tipik i zvetënimit të këtij festivali ishte kënga fituese e vitit 2014. “Rise like a Phoenix” u këndua nga njëfarë Conchita, shfaqur në ekran me një pamje aspak normale, as grua e as burrë!

Për të ardhur te festivali i këtij viti, i zhvilluar këtë të shtunë. Përkundër të gjithë votimit në dukje transparent, suksesi i këngës izraelite qe paralajmëruar prej ditësh, justifikuar me përvjetorin e 70-të të krijimit të shtetit modern izraelit.

Kënga, në tërësi, e kënduar në skenë, ka dy elemente që e bëjnë atë tërheqëse: vijën muzikore dhe paraqitjen skenike të këngëtarit apo këngëtares.

“Toy”, e interpretuar nga Netta Barzilai, nuk i posedonte këto dy cilësi. As vija muzikore e këngës nuk ishte diçka e veçantë, që të ngacmonte posaçërisht, as paraqitja e këngëtares në fjalë nuk të linte ndonjë mbresë, për t’u treguar të kursyer në vlerësim. Për më tepër, kjo këngë fitoi kur fare mirë mund ta merrnin vendin e parë shumë këngë të tjera.

E rastësishme është që kënga izraelite fitoi në një përvjetor të Izraelit? E rastësishme është që kënga fitoi pak përpara zhvendosjes së ambasadës së SHBA-së nga Tel-Avivi në Jerusalem?

Ç’është më e rëndësishmja, e rastësishme është që vetë këngëtarja deklaroi me t’u ngjitur në skenë pas fitores: “… Herën tjetër në Jerusalem”? A nuk është ky një mesazh politik i përcjellë nga një skenë festivali? A nuk e di këngëtarja se Jerusalemi është një territor për të cilin ka mospajtim të fortë me palestinezët, pjesën lindore të të cilit ata e quajnë kryeqytet të tyre? Pse nuk iu referua ajo Tel-Avivit, por Jerusalemit?

A është fitorja e saj kaq e rastësishme? A është ky festival vetëm një garë e pastër këngësh? /tesheshi.com/  

 

          

 

Related posts