728 x 90 Leaderboard

Fenomeni Syçi: si e pësoi prof.Civici nga shijet në bjerrje të Zhejit

Adrian Civici, së paku në prezantimin publik, është ndër individët më të nurshmëm në studiot e debateve televizive, sidomos ku diskutohen tematika ekonomike; jo në kuptimin e bukurisë fizike, por të një etike, lakoniciteti në argumentim dhe kurrë polemist në kuptimin e bezdisshëm të fjalës.

I qetë dhe modest, është ndër ata që ofron komoditet për çdo moderator apo palë në debat. Por profesori i njohur, pas kaq vitesh në publik, u përball me një situatë krejt të huaj për të, falë një fenomeni të kohëve të fundit: Syçi.

Syçi është Ilir Demaliaj, një zgjedhje e Artur Zhejit për ta patur në çdo debat në një lidhje me scype nga Amerika e largët. Nuk është kuptuar se cili qe ai moment dhe për ç’arsye, Zheji zgjodhi ta pasuronte kakofoninë e tmerrshme të studiove edhe me zërin e Syçit, një llagap shumë kuptimplotë për të kuptuar se ç’tipologji përfaqson dhe se si pikëtakimi i tij në debat me profesor Civicin, është ndër aksidentet më të tmerrshme në ballafaqimit njerëzor, ndodhur në mediat shqiptare.

Po, Syçi ka qenë i njohur si garip Tirone në ato vite, me tipare rebeli, por nuk ka ofruar ndonjë nivel kulturor a botëkuptimor, aq sa për t’ja ofruar opinionit si faktor mendimi me gjasme antikonformizmin e tij, që s’është gjë tjetër veçse një përzierje e ordineres me ca linja të kamufluara intelektualizimi pa shije, ku ngre krye ashiqare një egocentrizëm prej laci të fjalës, në prirjen e kthyer në qëllim në vetvete, për t’i dalë kundër çdokujt e akuzuar çdokënd, pa bërë dallim se kë ka përballë. Fjala vjen, te ai janë njësoj Kastriot Myftaraj dhe Adrian Civici.

Është një person që nuk plotëson ndonjë kriter të rëndësisë publike, duke iu referuar asaj që thotë kur Zheji ia ofron publikut, si të ishte “gjetja e shekullit” për të, në median shqiptare. Artikulimi i tij, pavarësisht se për çfarë është ftuar të flasë, është në nivele aq të rëndomta, sa të paktën shija letrare e Zhejit nuk duhet ta pranonte, por siduket e pranon ajo e “banakut”. Dhe kështu, Syçi, nga Amerika, duke mbetur po aq shqiptar sa ç’ka qenë kur ka ikur, ku i qaset çdo çështjeje pa nivelin minimal të etikës, përgatitjes dhe kompetencës, i shtohet çmendurisë së debateve televizive, nga një kakofoni ku s’e merr vesh “qeni t’zonë”.

Profesor Civici është prej atyre që bëjnë diferencën, por falë shijeve në bjerrje, apo profanizimit në moderim të Zhejit, u gjend dhe ai në pellgaçen e debatit publik, nga një personazh që është e pamundur ta kuptosh se ç’gjenialitet, ç’talent, ç’aftësi, ç’standart mendimi, e shndërron në personazh studioje – për fat vetëm të njëra e jo te të gjitha.

Demaliaj mund të ketë patur një jetë aktive, dinamike, me shumë episode; për disa mund të jetë edhe “tip”, – në fakt pse jo për muhabete tavoline – por nuk posedon atë vlerë publike, me gjurmë të dukshme e të prekshme në jetën apo mendimin shqiptar, sa për t’i dhuruar statusin e një personazhi të “forcës së fjalës” në debatin publik. “Forcë fjale” si, për çfarë dhe në ç’fushë?! /tesheshi.com/

Related posts