FENOMENI/ Protesta e sudentëve: ç’emra mbrësëlënës nxorri?

Dy ditët që shënuan rikthimin e protestave studentore, të hënën dhe të martën, ishin njëherësh dhe epilogu i fundit të tyre. Nisur me bujë në mesin e dhjetorit, ato karrikuan ndërgjegjen e “fjetur” të publikut përballë ceneve të shumta të qeverisjes, duke e detyruar këtë të fundit që të “luajë vendit”. Protestat, të gjykuara mes një çiltërsie rinore e një dyshimi për “lojë konspirative”, ishin padyshim goditja më e madhe që është dhënë vetbindjes së Ramës se “Shqipëria është në rrugën e duhur”, prej sa ai qeveris. Por ajo, tej aspektit entuziaSt, gati dhe heroik në një dimension, pati dhe anët e saj të diskutueshme.

Një prej tyre qe varfëria ligjërimore e studentëve që bashkëshoqëronte 8 kërkesat e famshme. Me dy-tre fraza më shumë emotive sesa logjike, të shndërruara në rutinë artikulative, ata nuk mundën dot të imponohen – për mendjet e ftohta – me një nivel të ngjashëm me fantazinë për të prodhuar meme. Dhe në ato raste kur u ballafaquan drejtpëdrejt me të parin e qeverisë, triumfuan me sjelljet apo artikulimet inatçore, por aspak në argumentime spektakolare, të tilla që mund të na ngjallnin shpresë – veç aspektit reagues – se vërtet një brez i ri, apo individë krejt të tjerë, po i trokasin të ardhmes së këtij vendi me një përgatitje kulturore mbresëlënëse.

Në të gjitha përballjet me Ramën në auditore, “heronj” qenë ose ata që u larguan pasi ia thanë në sy padakortësinë për të dialoguar, ose të tjerë që iu përveshën me gjuhë rruge, ku njëri  – siç ndodhi në Vlorë – ardhur nga “Zgjidhja” e Koço Kokëdhimës, u dyshua për paqëndrueshmëri mentale në ato çaste, për disa arsye organike.

E tjetra është, ajo më pak e trajtuar deri më tani, mungesa e afirmimit të figurave. Nga e gjithë kjo lëvizje studentore e vrullshme, historike madje në lloj, ne ende nuk e kemi të nominuar emra të dalë prej saj – një, dy, tre…filani apo fisteku – të rinj me një përgatitje e autoritet, të cilët nisin e shndërrohen në faktorë shoqërore me rol publik, e më pas pse jo edhe politik.

Në gati tre javë, emri më i artikuluar por pa qenë fare prezent në sheshe, ka qenë ai i profesor Arlind Qorrit, që aludohej se qëndron pas protestave me Lëvizjen e tij për Universitetin – siç dihet, një armik i Ligjit të Arsimit të Lartë – si dhe ai i një djali që më shumë se nga fjala u njoh nga një kaskë e mbajtur në kokë E një flamur kombëtar mbi supe, porsi shallet karakteristike të plakave. Pra, Klajdi Bello.

Protesta, në trajtat e veta minore edhe mund të vijojë, por pak gjasë ka që të ketë masivitetin dehës të atyre dy javëve të fundit të dhjetorit. Nëse është fjala vërtet për ato 8 kërkesa, reagimi i qeverisë ka qenë i majftueshëm për t’u dhënë zgjidhje. Por nëse është fjala për më shumë – siç dhe iu është kërkuar nga shumë zëra shoqërorë – ajo nuk premton me këtë trend drejt shuarjes. E mbi të gjitha nga fakti se nuk arriti të nxjerrë një, dy apo tre liderë. Ne njohim sot një protestë studentore, por jo studentë që frymëzojnë apo udhëheqin një protestë…përveç djalit me kaskë. /tesheshi.com/                                                                                    

auto pjese dak

Related posts