FENOMENI/ “Enver Hoxha vdektë sa ma parë…”, letrat anonime që alarmonin Sigurimin e Shtetit

Në një lulishte të Tiranës, me 4 korrik 1978, një fëmijë kishte gjetur një letër të çuditshme, e shkruar me gabime të shumta drjetshkrimore, me shkronja kapitale, lënë poshtë një gëmushe.

Ai do ta lexonte këtë letër dhe do të kuptonte se aty shahej vetë Enver Hoxha. Shpejt letra do të përfundonte në duar e Sigurimit të Shtetit, i cili ishte vënë menjëherë në alarm.

Ishte një letër anonime! Dikush në mënyrë të kamufluar kishte guxuar të shprehte revoltë ndaj Enver Hoxhës. Një varg dokumentesh e relacionesh mbi këtë ngjarje zbulojnë se Sigurimi i Shtetit kishte ngritur menjëherë strukturat për ta hetuar këtë rast. Madje bën një skicë të vendit, duke e ridërguar fëmijën në lulishte, në vendin ku e kishte gjetur këtë letër. Pas skicës dhe rindërtimit të ngjarjes kishte nisur hetimi në zyrat e kriminalistikës për të deshifruar llojin e shkrimit e për ta krahasuar me raste të tjera të mëparshme…

Por relacionet tregojnë, se hetimi nuk kishte pasur rezultat dhe se autori i letrës anonime nuk ishte zbuluar.

Në këtë letër shkruhej ndër të tjera:

“ENVER HOXHA VDEKTE SA ME SHPEJT SE SHQIPNIA ASHT NE VUITJE TE TEMERSHME. ENVER HOXHA E KA BER KAPTINEN SI DUME, E KA BER KAPTINEN SI QEN STONI E KA BER KAPTINEN SI QEN TERBACI. MBAROI FSHATARSIA SA ME SHPEJT LUFT…”

Letrat anonime ishin një formë e qartë dhe  hapur  e shprehjes së revoltës ndaj regjimit diktatorial, për kushtet  vështira të jetesës, pakënaqësitë, mungesën e lirisë, etj. Përgjatë gjithë viteve të regjimit komunist, ky fenomen ishte në fokusin kryesor të Sigurimit të Shtetit për zbulimin e “armiqve” të Partisë.

Në këto letra, të pakënaqurit guxonin të shanin edhe vetë Enver Hoxhën, madje ndonjëherë duke i shkruajtur atij direkt. Disa prej këtyre letrave ishin të sofistikuara me shkrim të ngatërruar me shkronja kapitale, pa dhënë asnjë adresë a indikacion që të zbulohej. Por në raste të tjera, edhe pse anonime, këto letra niseshin nga posta e qytetit, dhe rrethi për zbulimin e autorit ngushtohej e hetimi bëhej më i lehtë për agjentët e Sigurimit.

Në strukturat e Sigurimit të Shtetit, zbulimi i autorëve të këtyre letrave ishte një prej detyrave shumë të rëndësishme. Në disa raste hetimet kishin rezultat pozitiv dhe autori i zbuluar mund të tregonte edhe miq të tij, me të cilët ndante pakënaqësitë.

Në raste të tjera hetimet nuk jepnin rezultat dhe autori mbetej anonim përgjithmonë.

Studimi i këtyre letrave që ruhen në fondet arkivore në AQSH dhe Arkivin e Ministrisë së Brendhsme dëshmon gamën e gjerë të pakënaqësive të shqiptarëve nën rejgimin komunist, të cilët përmes kësaj forme kishin gjetur mundësinë të shpreheshin pa doreza, duke i shpëtuar akuzës për “agjitacion e propagandë”.

Por  ky fenomen mori edhe një përmasë tjetër sidomos pas vitit 1967, me përhapjen e fletërrufeve. Letrat anonime me sulme personale, shpesh në formë hakmarrjeje, denonconin tek udhëheqësit e Partisë persona të caktuar dhe, ndryshe nga fletërrufetë ku dihej kush ishte autori, këtu denoncimi ishte  i fshehtë. Prej kësaj doli edhe shprehja e famshme e asaj periudhe – “një anonime poshtë derës”. /tesheshi.com/

 

 

 

auto pjese dak

Related posts