Auto Dak
Auto Dak
Auto Dak

Fenomene shqiptare: me burime energjie për 1000 vjet, Kosova përballet me ndërprerje rryme

Nga Bashkim Kastrati

Qytetarët e Kosovës tash e 17 vite janë duke u përballur me reduktime të energjisë elektrike, edhe pse njihet si vend që ka sasi shumë të madhe të resurseve minerare. Një resurset përmes së cilës prodhohet energjia elektrike në Kosovë është linjiti. Sipas shumë raporteve vendore dhe ndërkombëtare, Kosova posedon hiç më pak se 13-15 miliardë ton linjit dhe konsiderohet si vendi i pestë në Botë sa i përket rezervave të tij. Si basenet më të rëndësishme qymyrmbajtëse konsiderohen  Baseni i Kosovës,  Dukagjinit, si dhe ai i  Drenicës.

obiliq-mihja

Vlera monetare e kësaj pasurie vështirë që mund të paraqitet në shifra, por nëse kalkulojmë sipas shpenzimeve të dy termocentraleve të KEK-ut, i bie që Kosova ka linjit për të prodhuar këtë sasi rryme edhe 1000 vjet të tjera.

Duke e marrë parasysh këtë resurs, është e pakuptimtë që Kosova të ketë mungesë të energjisë elektrike e më e keqja të harxhojë miliona euro për të importuar energji elektrike.

Kosova gjithashtu është  e pasur me rezerva të nikelit, arit, argjendit etj. Por, deri tash mund të themi se këto burime natyrore janë shfrytëzuar shumë pak, sidomos në sektorin e energjisë. Burimet e lëndës së parë nuk do të thotë që të shfrytëzohen vetëm në formën natyrale të tyre, por është me rëndësi përpunimi i tyre, sepse një produkt që përpunohet i shtohet edhe më shumë vlera.

 

Problemet me energji elektrike kanë penguar zhvillimin ekonomik

Sipas njohësve të fushës së ekonomisë, qymyri duhet të jetë bartësi kryesor i zhvillimit të energjisë në Kosovë, një potencial i madh që do të duhej të shfrytëzohej për zhvillim ekonomik.

Lulzim Beqiri, magjistër i ekonomisë, ka thënë për tesheshi.com se mungesa e furnizimit me energji elektrike ka penguar në masë të madhe konkurrencën e ekonomisë kosovare.

“Pothuajse të gjitha anketat e bëra me biznese dhe me qytetarë kanë identifikuar furnizimin e pasigurt të energjisë elektrike si njërën prej pengesave kryesore në zhvillimin e tyre. Republika e Kosovës ballafaqohet me reduktime të rrymës, përderisa qëndron në rezervat e treta të linjitit në Evropë”, thotë Beqiri.

Ai thotë se në rajon ku ka rritje të kërkesës për energji elektrike në dritën e mungesës së furnizimit, Kosova mundet së paku të prodhojë energji për vetveten. Sipas tij, gjendja e tanishme është veçanërisht e çuditshme duke marrë parasysh faktin se Kosova dikur ka qenë eksportuese e energjisë elektrike.

“Kosova mund të mos ketë resurse të naftës ose gazit natyror, por ajo ka rezerva të mëdha të linjitit – një lloj i thëngjillit që përdoret kryesisht për prodhimin e energjisë elektrike. Prandaj, ekziston potenciali që ajo sërish të eksportojë energji, por mungojnë kapacitetet për një gjë të tillë”, theksoi Beqiri.

Ai mendon se forma e privatizimit ka qenë shumë e dëmshme, dhe nevojitet një strategji më serioze në ketë drejtim.

“Mbesin sfida të mëdha për t’u adresuar në lidhje me implementimin e ligjeve dhe politikave të energjisë, duke përfshirë zbatimin e pagesave të rrymës, menaxhimin e kërkesës duke harmonizuar tarifat me koston dhe krijimin e kushteve për investime të jashtme në industrinë e energjisë së Kosovës si bazë për zhvillim ekonomik”, thotë Beqiri.

qymyri1

Gazifikimi nëntokësor i qymyrit ka ardhur në diskursin e Kosovës vetëm pas vitit 2012, kur kompania Envidity ka aplikuar për marrjen e një licence për rajonin e Dukagjinit për të bërë prodhimin e naftës nga qymyri. Projekti është miratuar në qeverinë e Kosovës, mirëpo ende është në procedurat nëpër komisione Parlamentare dhe pritet të dalë për votim edhe në Kuvendin e Kosovës.

Qeveria e Kosovës është në finalizim të marrëveshjes me kompaninë amerikane Contour Global për ndërtimin e një termocentrali me kapacitet të instaluar prej 500 megavatësh. Gjithë investimi do të bëhet nga sektori privat. Kosova e Re synohet të zëvendësoj termocentralin Kosova A, të cilin qeveria e ka marrë obligim për ta mbyllur në një periudhë afat-mesme.

Sipas qeverisë dhe kompanisë në fjalë, ky termocentral pritet të ulë ndotjen e ambientit nga niveli aktual për masën rreth 90 për qind.

 

Institucionet shtetërore nuk kanë bërë asnjëherë vlerësim të resurseve minerare

Banka Botërore kishte vlerësuar se vetëm rezervat minerare të Kosovës, vlejnë 13.5 miliardë euro. Rezervat e plumbit dhe zinkut thuhet se janë më pak se 7 ton, nikelit dhe kobaltit deri në 13.3 milionë tonelata, xehja e boksitit 1.7 milionë ton, kurse për rezervat e magnezit thuhet se mund të arrijnë deri 5.4 milionë ton edhe pse sipas disa vlerësimeve tjera këto arrijnë deri 8 milionë tonë. Përveç kësaj në Kosovë eksploatohen edhe xehet e argjendit, hekurit, e gjithashtu edhe mineraret e rralla si indiumi, kadmiumi, germaniumi, taliumi dhe galiumi. Edhe pse nuk janë bërë kërkime të mjaftueshme, njihen edhe gjetjet me ar, platin dhe bakër.

Por deri më tani nuk është bërë një vlerësim të saktë institucional në lidhje me sasinë dhe vlerën e resurseve minerare. Biznesmeni shqiptar, Sahit Muja, edhe më tutje po insiston se Kosova me “Trepçën” ka minerale në vlerë prej 2 trilionë dollarësh. Ai ka deklaruar se deri të ky vlerësim ka ardhur pas një hulumtimi që e ka bërë instituti që ai e drejton.  “Nuk është vetëm “Trepça” siç e kanë përkthyer mediat e Kosovës, këtu janë përfshirë të gjitha mineralet”, ka thënë Muja, duke shtuar se vlera është bazuar pasi të ishin përpunuar mineralet”.

Në Strategjinë Minerare të Republikës së Kosovës për periudhën 2012- 2025, thuhet se  Linjiti konsiderohet resursi më i rëndësishëm energjetik i Kosovës, i cili furnizon rreth 97% të prodhimit total të energjisë elektrike e që  shpenzohet për furnizimin e termocentraleve të Kosovës. /tesheshi.com/

 

 

auto pjese dak

Related posts