Auto Dak
Auto Dak
Auto Dak

Fëmijët refugjatë: rinia rrënjëshkulur e botës, mes mallit për atdheun dhe vetmisë

Kawkeb Hassan ka nisur të thithë gishtin sërish, e lehtëson. Nëntëvjeçarja zgjohet natën duke qarë dhe e merr malli për shkollën. Vëllai i saj, Rassim, i cili e ndihmoi të shpëtonte nga rreziqet e Damaskut drejt pasigurisë së të ardhmes në Vogtei, një qytet në Gjermani, është i shqetësuar.

“Ajo sheh filma vizatimorë, por nëse ka skena ku fëmijët hanë ushqimin me prindërit e tyre, ajo ia shkrep të qarit dhe fik televizorin”, thotë ai. Vajza ha pak. “Më kërkon pareshtur që ta dërgoj te prindërit në Liban”.

Gjërat janë pak më mirë për 11-vjeçarin Ali AlShafa’i, i cili po përpiqet të stabilizohet në Gotenburg pas një rrugëtimi epik prej 2 mijë miljesh nga Siria përmes Europës. Xhaxhai i tij i bleu një zog të vogël, por një ditë macja e fqinjit e hëngri atë dhe Ali nuk kishte ngushëllim.

1

“Isha kaq i mërzitur sa mezi e mbaja veten sa herë që shihja macen”, thotë ai, “por nuk mund ta prekja pasi edhe macet më pëlqejnë”.

Më shumë se 370 mijë fëmijë refugjatë arritën në Europë vitin e kaluar, pothuajse 90 mijë prej tyre të pashoqëruar, pjesa më e madhe nga Afganistani, Siria, Eritrea dhe Iraku. Por pas rrugëtimeve të rrezikshme në det, marshimeve monumentale dhe rreziqeve të rrugës, pjesa tjetër ajo e vendosjes mund të dëshmojë të jetë po aq e vështirë.

Pagjumësi, mall për shtëpinë, ankthi i ndarjes dhe tronditja nga ndryshimet kulturore i prekin të gjithë veç shpirtërave më të fuqishëm, sipas intervistave të kryera me fëmijët refugjatë nga “The Guardian”, gjatë këtyre javëve. Edhe pse mund të kenë lënë pas bombat dhe milicinë, ka rreziqe të reja.

Shumë ndjehen të frikësuar nga armiqësitë e vendit të ri, të tjerë kanë probleme me sfidat kulturore: lëndë të reja shkollore, kuzhina e çuditshme e madje, lojërat e fjalëve në gjuhën e re. Pritja për marrjen e azilit është shtypëse, mungesa e rrobave poshtëruese. Një numër i madh ankohen për pagjumësi, por ndihma psikiatrike – e madje, edhe kujdesi fizik shëndetësor – janë të vështira për t’u marrë nga ata që ende nuk u është miratuar kërkesa për azil.

2

“Zemra më hidhet përpjetë sa herë që mbyll sytë dhe përpiqem të fle”, thotë Athari Bassim, një irakene 15-vjeçare që prindërit e dërguan në Holandë vitin e kaluar. “Makthet që përsëriten po më çmendin. Momentin që shkoj në shtrat, nis të ëndërroj për njerëzit e ushtrisë me fytura të shëmtuara që më ndjekin me armët e tyre. ata gjithnjë më kapin atje ku fshihem”.

Rrëfimi i Atharit për odisenë e udhëtimit të saj është e ngjashme me shumë të tjera. Prindërit e saj e dërguan atë jashtë vendit, pasi një vëlla i saj më i madh u rrëmbye dhe u torturua nga milicët: ajo tregon për ditë të gjata në det, netë të kaluara duke ecur përgjatë vendeve të ndryshme. Ajo ka fjetur në pyje, në anë të rrugëve, duke shmangur grabitësit dhe të dehurit, ndërsa mbante një sy vigjilent për sendet që mund të kishin lënë pas valë të mëparshme refugjatësh që ishin drejtuar në rrugën veriperëndimore.

Sigurisht, refugjatët nuk janë pritur totalisht mirë në të gjithë Europën, dhe në Gjermani, që ka pritur më shumë se çdo vend tjetër, kultura e fillimit e mikpritjes është infektuar nga armiqësia e madje, në disa pjesë, edhe nga dhuna.

3

Rassim Hassan thotë se përballet me shprehje të rregullta inati në rrugët e Vogteit dhe vret mendjen sesi do ta mbrojë të motrën nga më e keqja. “Ka gjithnjë djem gjermanë në rrugë që flasin keq për refugjatët sirianë”, thotë ai.

 

Huzaifa Ëaiz, një djalë 15-vjeçar nga Aleppo, e ndjen fort ndryshimin kulturor në qytetin verilindor të Gjermanisë,  Mecklenburg, ku frika e neonazistëve e bën atë hezitues për të dalë i vetëm.

“Ne nisemi për në shkollë në orën 7 të mëngjesit me një grup prej 17 refugjatësh dhe marrim të njëjtin autobuz”, thotë ai. “Na jep një ndjesi mbrojtjeje. Një herë mbarova shkollën më herët dhe mora autobuzin vetëm, por djemtë nazistë më shanë dhe unë qëndrova me shoferin derisa arrita në shtëpi”.

Huzaifa u largua nga Siria me vëllanë e saj, tetë muaj më parë, nisur nga prindërit e alarmuar nga rritja e rrëmbimeve dhe marrjen e fëmijëve ushtarë në rrënojat e Aleppos.

Atë e merr malli për nënën dhe gatimet e saj. Por, problemi më i madh i tij është marrja e dokumenteve. “Prindërit e mi menduan se do të ishte mjaft e lehtë të merrnim qëndrimin në Gjermani”, thotë ai. “Ata nuk e dinin që numri i madh i refugjatëve që kanë ardhur në Gjermani kanë një ndikim serioz në sistemin e azilit këtu”.

4

Athari thotë se situate është pak më e mirë në Holandë. “Mendova se të gjitha problemet tona do të zgjidheshin sapo të shkonim në Holandë, por procesi i azilit ka qenë shumë i ngadalshëm”.

Fahmi u arratis nga një periferi e Damaskut, korrikun e kaluar pasi i mbijetoi një bombe që goditi pranë tij, por nuk shpërtheu. Ai udhëtoi së bashku me motrën e tij 23-vjeçare, Jihan për t’u bashkuar me një vëlla tjetër më të madh në Holandë. Ai humbi 13 kilogramë dhe çdo mendim që ka është për prindërit që kanë ngecur pas, në kryeqytetin sirian. “Nuk fle më shumë se 5 orë në natë, duke pyetur veten gjatë gjithë kohës përse rashë dakord t’i lija prindërit vetëm në Damask dhe se kur do të jem në gjendje të kthehem atje”.

5

Hadi Dibbes, 16 vjeçare vuajti nga ulçera dhe alergjitë gjatë një udhëtimi torturues nga Siria drejt Gjermanisë, vitin që shkoi. “I kërkova oficerit gjerman në qendrën e fëmijëve që të më shohë një mjek, por ai nuk më përgjigjet kurrë për shkak se unë nuk kam ende një leje qëndrimi”.

“Po e humbas durimin sa më shumë zgjatet koha. Asgjë nuk është bërë për gjashtë muaj për kërkesën time të azilit. Më thanë se do më duhet të pres dy vjet për të marrë lejen e banimit dhe më pas për të sjellë edhe familjen. Por unë kam nevojë të shoh prindërit dhe vëllezërit”.

E kështu pritja vazhdon.

Aseel Ahmed, një refugjate 10-vjeçare nga kampi Jarmuk për palestinezët në Damask, e kalon kohën e lirë me tezen e saj duke parë filma në Erlangen, të Gjermanisë ku mbërriti verën e kaluar.  Ajo u largua nga Siria duke besuar se familja e saj kishte vdekur nga një shpërthim bombe, por vetëm më pas zbuloi se ata kishin mbijetuar. Atë e merr malli. “Shoh filma vizatimorë, bëj detyrat e shtëpisë, më pas përqafoj arushin prej pellushi dhe shkoj të fle që të bashkohem me familjen time në Damask, në ëndërr”, thotë ajo.

Aseel ka një “garantues” gjerman, një lloj mbrojtësi që ndonjëherë e çon në pishina. Është një sistem që përdoret si në Holandë ashtu edhe në Suedi.

Athari ka një “sponsor” holandez që e ndihmoi të regjistrohej në shkollë. “Ajo kujdeset për kaq shumë fëmijë, sa që e ndjej të vështirë t’i shpjegoj sesi ndjehem përbrenda dhe se ankthet e së kaluarës po më dëmtojnë jetën”, thotë ajo.

Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/

auto pjese dak

Related posts