Fatmira Mulhaxha-Kollçaku, 2-shi i Vetëvendosje-s: si po sulmohemi nga çdo anë prej pushtetit…por ne s’ndalemi!

Është një prej deputetëve më të qeta dhe e ngrit zërin vetëm atëherë kur duhet, pasi nuk kërkon të jetë në qendër të vëmendjes duke bërë zhurmë si jo pak kolege të saj deputete.

Megjithatë në situata të ndjeshme fare nuk e ka problem të deklarohet. Fjala është për Fatmira Mulhaxha-Kollqakun, nënkryetare e dytë e Lëvizjes Vetëvendosje e cila hedh akuza jo të pakta për pushtetin, siç thotë për sulmet e vazhdueshme ndaj partisë së saj, ku përmend dënimin e aktivistëve, arrestimin e deputetëve e rinumërimit e votave në Prishtinë e Prizren ku dolën të parët.

Vetëvendosja Kollçaku në një intervistë ekskluzive për tesheshi.com thotë se pavarësisht gjitha këtyre problemve, nuk do ndalen së kërkuari drejtësi, ndërsa paralajmëron qeverinë “Haradinaj” se nuk e ka gjatë në pushtet.

 

Intervistoi: Blendi Gashi

Së fundmi kanë ndodhur shumë ngjarje të rëndësishme. Padyshim se ajo që ngjalli reagime më së shumti është arrestimi me mbi 21 vjet burg i aktivistëve tuaj. Keni pritur një vendim të tillë apo jo?

Përgjigja në këtë pyetje është e kushtëzuar nga rrethanat në të cilat jetojmë. Sikur të jetonim në një shtet ku sundon rendi dhe ligji, ku pushtetet janë të ndara dhe ku gjykatat dhe prokuroria do të vepronin të pavarura e të pandikuara nga politika, atëherë, sigurisht që do të  prisnim lirimin e deputetit, Frashër Krasniqi dhe tre aktivistëve tanë, Atdhe Arifi, Adea Batusha dhe Egzon Haliti. Në asnjë shtet normal nuk do të kishte mundësi që të dënohen aktivistët e pafajshëm për veprën që nuk e kanë bërë dhe për të cilën nuk ekziston asnjë provë. Kjo mund të ndodhë vetëm në një shtet që është komplet i kapur, gjë për të cilën deri tani, ne kemi dhënë pa numër prova. Vetëm në një shtet të kapur, mund të ndodhë që në paraburgim të vdesë në rrethana të dhunshme, aktivisti Astrit Dehari. Sido që të jetë, atë e vrau shteti.

Ka pasur poashtu jo pak reagime pse VV nuk protestoi lidhur me vendimin në fjalë. Pra, pse nuk u organizua ndonjë protestë?

Jo rastësisht, ky vendim u mor të premten, dy ditë para balotazhit. Dikujt i konvenoi që të ketë trazira me qëllim të dëmtimit të Lëvizjes Vetëvendosje. Dënimi i shqiptuar për aktivistët e pafajshëm, me 21 vite burg, absurd dhe i padrejtë, nuk është dhe nuk do të jetë përfundimtar. Duhet pasur parasysh se dënimi i aktivistëve nuk është bërë në një proces të rregullt gjyqësor, por është pjesë e një skenari të monutar politik. Edhe pse, ende nuk e ka dhënë verdiktin përfundimtar Gjykata e Apelit, është e qartë se edhe reagimet e Lëvizjes Vetëvendosje që do të pasojnë, do të demaskojnë prapavijat e këtij skenari politik.

Reagimi ynë ka filluar në seancën plenare, ku në deklarim jashtë axhendës së paraparë, kemi kundërshtuar fuqishëm dënimin e aktivistëve tanë. Ky ishte vetëm hapi i parë, ku nuk përjashtohet asnjë formë e protestës dhe veprimeve demokratike që për t’iu kundërpërgjigjur padrejtësisë së bërë. Ne, asnjëherë nuk do të ndalemi së kërkuari drejtësi për Astritin dhe drejtësi e liri për deputetët e aktivistët.

Një çështje tjetër që ka shkaktuar jo pak tensione është edhe vendimi për rinumërim të votave në Prishtinë e Prizren. Pse ndodhi kjo veç në komunat ku fituat ju, dhe a do i  pranoni rezultatet pas rinumërimit?

Shtrohet pyetja, si mund të fillojnë rinumërimi, ende pa përfunduar numërimi i votave me kusht dhe atyre me postë. Pra, vendimi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për rinumërim, është jo vetëm absurd por edhe i paligjshëm. Gjykata Supreme, pas ankesës së bërë nga Lëvizja Vetëvendosje pres që ta anulojë vendimin për rinumërim. Ajo çfarë duhet bërë, është të respektohet një proces i rregullt zgjedhor, të numërohen votat e mbetura dhe të shpallet fituesi, e që në këtë rast për të dy komunat do të rikonfirmohet se fitues janë Shpend Ahmeti dhe Mytaher Haskuka.

A ka një prapavijë pas këtij vendimi kur dihet se njëzëri të gjithë u deklaruan se procesi zgjedhor ka kaluar në rregull?

Humbja e Prizrenit për PDK-në, e ka goditur aq shumë, sa që jo vetëm se po bën përpjekje për manipulim të rezultatit në këtë komunë, por janë mobilizuar maksimalisht që t’ia marrin fitoren e sigurt Shpendit dhe Lëvizjes Vetëvendosje duke e ndihmuar në të gjitha format joligjore kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Të gjitha faktet flasin se vendimi i PZAP-së është i padrejtë, i jashtëligjshëm dhe me prapavijë politike.

Jeni deputete, ç’mendim keni për mosmbajtjen e seancave plenare? Kujt po i konvenon kjo, dhe si i shihni akuzat e PDK-së në drejtim të EULEX-it?

Që pas konstituimit të institucioneve është ditur se ato janë aq të brishta sepse qëndrojnë në këmbë të qelqit. Edhe në ato seanca të pakta që janë mbajtur deri tani, mazhoranca e ka pasur të pamundur që ta sigurojë kuorimin për marrje të vendimeve. Nga e gjithë kjo situatë, është e qartë se këto institucione nuk kanë jetëgjatësi, mirëpo derisa janë si tilla, të pafuqishme dhe komplet të varura nga pushtetarët në Beograd, pasojat do t’i vuajnë qytetarët e Kosovës.
Sa i përket akuzave të PDK-së, në drejtim të EULEX-it, do u kisha shtruar një pyetje zyrtarëve të lartë të kësaj partie: “Ku ishit deri tani? A vetëm kur ndiheni personalisht të rrezikuar, merrni vendime të tilla?”. Është një fjalë e urtë popullore “Mos ia bëj gropën dikujt tjetër, se në fund vetë bie në të”.

Të premten u arrestuan tre kolegë tuaj duke hyrë në Kuvend. Kryeministri Haradinaj tha se i vije keq për atë që ka ndodhur por duhet të respektohen thirrjet nga organet e drejtësisë. Si i kundërpërgjigjeni?

Përkrahja e madhe qytetare, që është gjithnjë në rritje e sipër, nuk është e mirëpritur nga subjektet tjera politike. Arrestimet e deputetëve nuk i kontriubojnë aspak qetësisë në këtë vend. Shtrohet pyetja se kush po do trazira, derisa kriminelët lëvizin të lirë, ndërsa arrestohen deputetët? Kryeministri e di fare mirë arsyen e rezistencës së deputetëve, duke qenë se edhe nga radhët e subjektit të vet, ka pasur deputetë që kanë akuza për këtë veprim politik në kundërshtim të Demarkacionit me Malin e Zi dhe “Zajednicës. Disa nga deputetët u shpërblyen me poste ministrore e të tjerët me burgosje.
E ftojmë që të dalë në mbrojtje të drejtësisë.

Për fund, ç’gjasa ka që të gjitha këto ndodhi të ditëve të fundit të lidhen me Specialen, pasi kryetarja e kësaj gjykate së fundmi ishte në Prishtinë dhe paralajmëroi së shpejti ngritjen e aktakuzave?

Tendencat e dukshme për ta përqendruar vëmendjen te Lëvizja Vetëvendosje, duke e sulmuar nga të gjitha anët, përmes burgosjeve të aktivistivë dhe deputëve, tendencat për manipulim të procesit zgjedhor mund të jenë tregues të panikut të atyre që me dorë të vet i  nënshkruan aktakuzat e veta për këtë gjykatë. Disave po iu konvenon prishja e rendit dhe e qetësisë dhe nuk do të hezitonin ta kallnin Kosovën për interesat e tyre. /tesheshi.com/