728 x 90 Leaderboard

Një ushtarak amerikan në Serbi: pse mbahet i arrestuar Daniel Corbett dhe a u vra ish-avokati i Millosheviçit për shkak të tij?

Një anëtar forcave të posaçme amerikane SEAL US Navy, Daniel Corbett, ndodhet prej muajsh i arrestuar në Serbi dhe është nën hetim për posedimin e një armë të paligjshme, raporton BuzzFeed News.

Këtë korrik, sipas portalit, avokati i tij u vra në Beograd në një sulm tipik mafioz, rast ende i pazbardhur. Nuk dihet nëse vrasja e avokatit lidhet me rastin e Corbett.

Corbett, me nofkën “Dirty”, ka luftuar në Irak dhe Afganistan. Së pari, ai ishte anëtar i Ekipit 5 të SEAL (2004-2007), dhe pastaj tre vjet më vonë ai ishte pjesë e ekipit legjendar të SEAL 6, i njohur si Grupi i Aksionit, ose DEVGRU. Kjo njësi më vonë vrau Osama bin Ladenin.

Që nga viti 2012, Corbett ka qenë në njësinë rezervë të VSM 17, ku thuhet gjithashtu se ka patur qasje dhe në dokumentet e etiketuara “top-secret”.

BuzzFeed News thotë se Corbett ka vepruar gjithashtu në Jemenin e shkatërruar nga lufta për disa muaj në 2016. Më pas u angazhua nga “Spear Operations”, një grupim ushtarak amerikan i financuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe për të vrarë udhëheqësit dhe aktivistët politikë islamikë.

Abraham Golan, një njeri që kryesonte grupimin “Spear”, udhëtoi në Serbi me Corbett në fillim të vitit 2018. Golan refuzoi të komentojë pse ai ishte në Serbi, e gjithashtu edhe për praninë e Corbett atje.

Marina amerikane dhe ambasada amerikane gjithashtu refuzuan të komentojnë.

Burimet thonë se Corbett nuk ia miratoi ambasadës që të publikonte informacione rreth rastit të tij.

Njerëzit të njohur me punën e Corbett në Serbi, spekulojnë se ai mund të jetë një peng në luftën e tanishme diplomatike për ndikim në Ballkan midis SHBA dhe Rusisë.

Në fillim të shkurtit, autoritetet serbe njoftuan arrestimin e Corbett. Ata thanë se ai u gjet me një armë të paligjshme dhe se ai dhe disa persona të tjerë u arrestuan. Disa portale lokale shkruan menjëherë se ai ndodhej në Serbi për të destabilizuar regjimin e Beogradit, duke ushqyer kështu teori konspiracioni.

Avokati i tij, Dragoslav Ognjanoviç, foli për BuzzFeed News në prill, duke pohuar se arma për të cilën akuzohej Corbett ishte e dëmtuar. Pastaj Ognjanoviç priste që Corbett të lirohej së shpejti.

Prokurorët serbë njoftuan në qershor se Corbett, së bashku me tre shtetas serbë, u akuzua për posedim ilegal të armëve për të cilat u kërkua dënim deri në 12 vjet burg. Megjithatë, më 24 korrik, gjykata e Beogradit vendosi që kjo padi nuk mund të vazhdojë nëse nuk përfshihen më shumë informacione rreth vetë armës.

Katër ditë më vonë, Ognjanoviç u vra para apartamentit dhe kjo vrasje u raportua nga mediat e botës.

Pavarësisht nga koha kur ndodhi, nuk kishte prova se vrasja e avokatit të njohur ishte e lidhur me përfaqësimin e tij të Corbett.

Ognjanoviç më parë ishte avokati i ish-presidentit Millosheviç dhe thuhet se gjithashtu mbronte disa njerëz nga bota e nëndheshme e krimit të organizuar. /tesheshi.com/

Related posts