Falenderimet në SHBA: nga një ditë lutjesh e agjërimi, në një pushim kombëtar sekularist

Amerikanët i bien kryq e tërthor vendit në përpjekje për të kaluar Ditën e Falenderimeve me familjet dhe miqtë e tyre. Me pak fat, ata i pret pas udhëtimit nga vendet e punës, gjel deti, byrek kungulli dhe brohoritje . Historia e këtyre festimeve është e shenjtëruar në traditën amerikane. Në nëntor 1620, një grup pelegrinësh anglezë zbritën në Kepin Kod, në Masaçusets, pas dy muajsh në anijen “Mayflower”. 

Atyre iu erdhën në ndihmë për të kaluar vështirësitë e dimrit të parë, indianët lokalë Wampanoag, të cilët ofruan furnizime dhe këshilla. Pas të korrave të suksesshme të vitit në vijim, 50 pelegrinët dhe 90 indianët bën një festë me gjel deti. Pjesa tjetër e gjithçkaje me gjasa është histori. Por historia është plot me gjysmë-të vërteta dhe Falenderimet nuk bëjnë përjashtim. Mënyra sesi e festojnë amerikanët këtë ditë sot, – si një ngjarje të përvitshme sekulariste-  është një shpikje e shekullit të 19-të.

Pelegrinët ishin një grup kokëfortë. Pushimet ishin të rralla. Krishtlindjet, Pashkët dhe ditët e shenjtëve ishin të ndaluara. Në vend të tyre, pelegrinët ndiqnin ditët e agjërimit publik ose Falenderimet. Këto mbaheshin në varësi të ngjarjeve specifike, kështu që varionin nga viti në vit. Besohej se agjërimi mund të lehtësonte një krizë të afërt, si thatësira apo pushtimi, ndërsa Falënderimet shënonin të korra të mbara ose suksesin ushtarak. Lutjet ishin në zemër të festave të tilla.

Provat nga festimet e vitit 1621, edhe pse katër rreshta të gjata, vijnë nga një letër e liderit pelegrin, Edward Winslow, sipas të cilit, festës iu bashkëngjitën edhe indianët Wampanoag. “Për tre ditë ne u vetëpërmbajtëm dhe agjëruam”. Pelegrinët nuk e përmendën më këtë ngjarje në vitet që pasuan (pasi nuk ishte një Falenderim në kuptimin e parë, për shkak se nuk përfshinte lutjet) ndërsa marrëdhëniet me indianët shpejt u përkeqësuan. Pelegrinët fituan dhe në vitin 1676 shpallën një ditë Falenderimi, duke ekspozuar kokën e djalit të shefit të indianëve “si mish për njerëzit që banojnë në vendet e egra”, duke përdorur fjalët e një pelegrini. Anglezët e rinj vijuan të kenë ditët e tyre të falenderimeve përgjatë 200 vjetëve që pasuan, duke e sjellë traditën me vete ndërsa u zhvendosën në jug dhe në perëndim.

Dita e festës mori një status gjysmë-të rregulluar me kohën. Më së shumti, dita festohej në shkallë lokale ose si një çështje shtetërore që propozohej nga ndonjë ministër apo guvernator. Mund të mbahej në tetor, nëntor, dhjetor e madje edhe në janar. Pak festa kombëtare kishte në atë kohë në Amerikë: dita e Xhorxh Uashingtonit shënonte miratimin e  Kushtetutës në vitin 1789; James Madison festonte përfundimin e luftës së vitit 1812.

Por, merita për caktimin e një dite fikse për Falenderimet, të përvitshme dhe mbarëkombëtare, shkon për një shkrimtare të panjohur të quajtur Sarah Josepha Hale. Ajo rrallë aludonte ndaj pelegrimëve si të tillë ndërsa këmbëngulte në idenë e një festimi patriotik për vjeshtën e kjo përgjatë dy dekadave. Ajo u bëri peticione presidentëve dhe guvernatorëve dhe “Godey’s Lady’s Book”, botimi i saj periodik për gratë publikonte editoriale dhe histori të trilluara moraliste për këtë çështje. Suksesi mbërriti në vitin 1863 gjatë Luftës Civile.

Presidenti Abraham Lincoln, e shpalli ditën një festë kombëtare pas fitoreve të ushtrive unioniste në Gettysburg dhe Vicksburg, më herët gjatë atij viti. Në vitin 1941, Kongresi e shndërroi pushimin në ligj, që dita duhej të festohej në të enjten e katërt të nëntorit.

Festimi mbarëkombëtar i Falenderimeve donte të thoshte se dita u shndërrua në një çështje tepër sekulariste. Në vitin 1878, “New York Times” ankohej se dita e “kishte humbur vërtetësinë dhe me të edhe gjithë domethënien e saj fetare”. Paroditë lokale që mbaheshin në atë kohë, u bënë të zakonshme, pasi në vitin 1924, u shfaq e para nga Macy’s. Për shkrimtaren Hale, festa ishte “eksponenti më i mirë… i prosperitetit dhe lumturisë së popullit amerikan”. Ishte një ditë për të festuar bollëkun dhe për të theksuar vlerat amerikane: patriotizmin, përkushtimin ndaj familjes dhe punës së palodhur. Nuk kishte rëndësi nëse pelegrinët as do ta kishin njohur dhe me gjasa, do ta kishin përbuzur festimin modern. Ajo që ishte e nevojshme ishte krijimi i mitit për brezin e ri.

Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/