Erjon Veliaj: në fund të 2019-ës përfundon ndërtimi i 16 shkollave…

Shkolla “Betim Muço” është një nga katër shkollat e reja të ndërtuara këtë vit, që në shtator do të mirëpresë nxënësit e kryeqytetit.

Rreth 1200 nxënës të zonës së Kombinatit do të nisin sezonin e ri shkollor në ambiente tërësisht të reja dhe kushte moderne.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u njoh me detajet e fundit, ndërsa deklaroi se brenda mandatit të parë do të përfundojë edhe ndërtimi i 16 shkollave të tjera.

“Të gjithë bashkë kemi bërë një përpjekje, duke filluar nga anëtarët e Këshillit Bashkiak, te administratori, stafi i bashkisë dhe gjithë komuniteti që ka mirëpritur një nga investimet më madhore të projektit tonë ambicioz të 20 shkollave. Në Tiranë ka qenë rutinë ndërtimi i një shkolle në vit, kurse ky vit është një rast i paprecedentë sepse hapim 4 shkolla të reja. Vitin tjetër do të kemi 16 shkollat e projektit tonë për 20 shkolla”, tha Veliaj.

Në vijim ai shtoi se në ditët e para të shtatorit, kur edhe regjistrimet të kenë marrë hov, do të kemi një nga shkollat më fantastike të qytetit të Tiranës.

“Besoj se shpresa e madhe e Tiranës lind në këto klasa, që përkthehet në uljen e presionit të mësimit me 2 turne për 3-4 shkollat e tjera të Kombinatit, çka siguron që në këtë zonë, të gjitha mësimet të bëhen me një turn”, u shpreh Veliaj, teksa shtoi se tashmë prindërit nuk do të kenë më nevojë që të humbasin kohë dhe para për të dërguar fëmijët e tyre në shkollat në qendër të qytetit.

Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me Drejtorinë Arsimore, janë duke punuar që disa prej mësuesve me rezultatet më të mira në portalin “Mësues për Shqipërinë”, të bëhen pjesë e stafit të ri akademik të shkollës “Betim Muço”, duke garantuar në këtë mënyrë edhe cilësi në mësimdhënie.

“Kemi një bashkëpunim fantastik me Drejtorinë Arsimore. Nga java tjetër do të fillojmë aplikimet për regjistrim në këtë shkollë. Me të bërë regjistrimin, do të sigurohemi që disa nga ata që kanë dalë më mirë në portalin “Mësues për Shqipërinë”, të japin mësim këtu. Pra, kursejmë energji, kohë, para dhe nuk dyndemi të gjithë në Tiranë apo në shkollat e tjera të Kombinatit, por do të kemi një shkollë fantastike 9-vjeçare në zemër të Kombinatit, për të lehtësuar stresin e prindërve që duan më të mirën për fëmijët e tyre”, u shpreh ai.

Veliaj siguroi se Bashkia e Tiranës do të shpërndajë edhe këtë vit 3 mijë bursa për nxënësit ekselentë. “Edhe këtë vit do të kemi 3 mijë bursa, që na kanë treguar që pavarësisht si e ke mbiemrin, pavarësisht se nga vjen, pavarësisht gjendjes ekonomike, mund të dalësh me dhjeta në Tiranë dhe mund të jesh i shkëlqyer. Detyra e bashkisë është që ta bëjë këtë proces të lehtë duke krijuar kushte komode”, u shpreh kreu i Bashkisë. Duke falenderuar qytetarët e Tiranës për korrektesën në pagimin e detyrimeve dhe në respektimin e ligjit, kryebashkiaku Veliaj u shpreh se të tilla projekte janë tregues se çdo qindarkë që administrohet nga Bashkia, kthehet menjëherë në investime për qytetin e Tiranës.

Shkolla e re 9-vjeçare “Betim Muço” ka 27 klasa dhe 6 laboratorë, dhe do mbulojë nevojat e 1200 nxënësve. Gjithashtu, shkolla ka një palestër dhe 3 terrene sportive të jashtme, të cilat përveç shkollës, do t’i shërbejnë gjithë zonës së Kombinatit. /tesheshi.com/