728 x 90 Leaderboard

Erdogani flet: vrasja e Khashoggi-t e paramenduar, nuk dyshoj në sinqeritetin e mbretit Selman

Ka patur një pritshmëri të jashtëzakonshme për fjalën që do të mbante sot presidenti turk në grupin parlamentar të partisë së tij, AKP-së, një pjesë të së cilës kishte premtuar t’ia kushtonte vrasjen së gazetarit saudit Xhemal Kashëkçë (Jamal Khashoggi).

Dhe presidenti Erdogan ka folur këtë mesditë, duke deklaruar se kishte shenja të forta se vrasja e gazetarit ishte e planifikuar, se ajo ishte një vrasje politike, se ai ishte vrarë brutalisht.

“Vrasja e gazetarit saudit Khashoggi ishte e paramenduar. Institucionet e inteligjencës dhe të sigurisë kanë dëshmi që tregojnë se vrasja ishte e planifikuar.”

Kryetari i shtetit turk bëri dhe një herë një kronologji të ngjarjes, duke ngritur një sërë pyetjesh, që prej javësh nuk kanë përgjigje, teksa foli për ekipin prej 15 sauditësh që u gjend ditën e vrasjes në Stamboll dhe në konsullatë.

“Pse ekipi u mblodh në Stamboll? Kush i udhëzoi të mblidhen? Pse nuk u hap konsullata për hetim deri shumë ditë më vonë? Pse pati deklarata kundërvënëse? Ku është trupi i personit që është pranuar të jetë i vrarë? Ne duam përgjigje!”

Ai e quajti një hap të rëndësishëm nga autoritetet saudite pranimin e vrasjes, për të theksuar më tutje se nuk dyshonte në sinqeritetin e mbretit saudit Selman, me të cilin ka folur gjatë këtyre javëve në telefon mbi ngjarjen.

Me një ton të ngritur, Erdogani e bëri të qartë gjithsesi se kësaj çështjeje do t’i shkohej gjer në fund, gjer në zbardhjen e plotë.

“Fajësimi për një ngjarje të tillë i një grushti anëtarësh të inteligjencës dhe të sigurisë nuk na kënaq ne apo bashkësinë ndërkombëtare,” raporton “Daily Sabah” të ketë thënë ai.

Në fund, Erdogani kërkoi që të dyshuarit për vrasjen të sillen në Stamboll për gjykim.

“I kërkoj qeverisë së Arabisë Saudite të lejojë që të dyshuarit për vrasjen e Khashoggi-t të gjykohen në Stamboll. Kërkesa ime është që 18 personat të gjykohen në Stamboll.”

Jamal Khashoggi hyri në konsullatën e Arabisë Saudite më 2 tetor dhe që atëherë nuk u pa më. Autoritetet saudite këmbëngulën fillimisht se ai kishte dalë nga konsullata, për ta pranuar vrasjen e tij, si një përplasje të çastit, më shumë se dy javë më vonë. Mbetet ende sidoqoftë jo e ditur vendndodhja e trupit të viktimës. /tesheshi.com/

 

Related posts