Erdogan e Putin takohen në Soçi: lamtumirë krizë! Rikonfimohet stina e re “100 miliard”

Dy presidentët, Erdogan dhe Putin, janë takuar në Soçi duke rikonformuar dhe njëherë një rikthim të normalitetit në raportet mes dy vendeve dhe jo vetëm kaq; kriza e lënë pas si pasojë e një incidenti ushtarak ajror, po i lë vendin një tjetër dinamike të afrimit mes tyre.

“Për të arritur qëllimin tonë të paralajmëruar në nivelin e 100 miliardë dollarëve duhet t’i heqim të gjitha pengesat, duke përfshirë edhe vizat për biznesmenët tanë. Lirimi nga regjimi i vizave, rikthimi në situatën e mëparshme është i rëndësishëm në këtë çështje”, tha Erdogan në lidhje më synimin e vëllimit tregtar mes Turqisë dhe Rusisë, cituar nga AA.

“Sigurisht që këtë nivel ne nuk e konstatojmë të mjaftueshëm. Të dy palët ndajnë mendimin se vendet dhe popujt tanë duhet të kenë një bashkëpunim më të fuqishëm dhe më të afërt. Veçanërisht, unë i kushtoj shumë vëmendje hapave që do të ndërmarrim për industrinë e mbrojtjes”, shtoi më tej Erdogan, duke cekur më pas çështjen delikate të Sirisë.

“Ne jemi pajtuar se zgjidhja politike në këtë moment është baza mbi të cilën mund të përqendrohemi”, u shpreh Erdogan.

Edhe Putin nga ana e tij, konfirmoi një rikthim të marrëdhënieve Turqi-Rusi.

“Marrëdhëniet mes Turqisë dhe Rusisë janë kthyer në periudhën para krizës. Këtë e tregon edhe vëllimi tregtar mes shteteve tona, i cili në nëntë muajt e parë të këtij vitit është rritur për 36 për qind. Besojmë se deri në fund të këtij viti do të mund ta kompenzojmë rënien e vitit të kaluar”, tha kreu i Kremlinit. /tesheshi.com/