728 x 90 Leaderboard

Era shtet në vitin ‘36: si i mbronte kryeministri Mehdi Frashëri të drejtat shqiptares Vehide në Greqi

Mehdi Frasheri: Qeverija greke, për t’i gjetun nji shkak për ti marrë mallin e sajë, vendimin e mandatarëve nuk asht tue e marrë parasyshë, kështu Zonja në fjalë, me gjithë fëmijët e vegjël të sajë, ndodhet në mizerje nëpër sokaket…

Në fillim të viteve ’30-të  shteti shqiptar kishte në fokus të vëmendjes së tij edhe të drejtat e shqiptarëve në Greqi, të cilët në valën e shkëmbimeve të popullsisë me Turqinë, shpesh përziheshin nga pronat e tyre me prendimin se ishin muslimanë turq.

Në arkivat shqiptare gjenden qindra ankesa nga shqiptarë të Greqisë që qahen për këtë arsye dhe kërkojnë ndërhyrjen e shtetit shqiptar për të mbrojtur të drejtat e tyre. Një prej këtyre rasteve ishte i një zonje që jetonte në Janinë.

Për fatin e saj interesohej vetë kryeminsitri Mehdi Frashëri, i cili i shkruante Ministrisë së Jashtme të ndërhynte në rrugë diplomatike për t’i njohur asaj të drejtën që të qëndrojë në pronat e saj.

Mehdi Frashëri e quan padrejtësi flagrante atë cfarë i kishte ndodhur zonjës Vehibe, dhe kërkon të bëhen “demarshët e duhuna pranë qeverisë greke.”

Dokumentacioni që ruhet në dosjen I-1548, të Fondit të Këshillit të Ministrave, i vitit 1936, dëshmon se çështja e zonjës Vehibe ishte trajtuar edhe në instancat e larta të Oborrit Mbretëror dhe se komunikimi zyrtar për zgjidhjen e problemit të saj kishte vijuar deri në tetor të atij viti. Dokumentacioni nuk zbulon se çfarë ndodhi më tej me fatin e kësaj zonje shqiptare që i mohoheshin të drejtat në Greqi, por dëshmon qartë angazhimin e shtetit shqiptar për të shqyrtuar çdo rast në mbrojtje të të drjetat e të gjithë shqiptarëve që përndiqeshin e dhunoheshin në vendet ku jetonin. Sot diçka e tillë është gati e paimagjinueshme.

 

Dokumenti i plotë:

20.3.1936

Ministrisë së Punëve të Jashtme, Tiranë

Siç do të merret vesh nga aktet e bashkangjituna, Zonja Vehibe, e shoqja e Z. Hajati, i biri  Ahmet Hulusi, dhe e bija e z. Hajri Paçanda, qi banon aktualisht në Janinë, për shkak se asht provue origjina e sajë shqiptare, ishte përjashtue nga shkëmbimi i detyrueshëm i pakicave turko-myslimane të Greqisë dhe kjo gja merret vesht nga dosari i pakicave të shkëmbyeshme nr.4/31/315/474 të seksionit për mbrojtjen e pakicave në Lidhjen e Kombeve.

Me gjithë kët, Qeverija greke, për t’i gjetun nji shkak për ti marrë mallin e sajë, vendimin e mandatarëve nuk asht tue e marrë parasyshë, kështu Zonja në fjalë, me gjithë fëmijët e vegjël të sajë, ndodhet në mizerje nëpër sokaket.

Prandaj lutem që ti hiqni vërejtjen Ministrit Fuqiplotë të Greqisë këtu për reparimin e kësaj padrejtësije, dhe ti jepni instruksjonet e duhuna ministrit fuqiplotë të mbretnisë shqiptare n’Athinë, z.Xhafer Vilës, për të bamë demarshet e duhuna pranë Qeverisë greke mbi këtë padrejtësi flagrante.

Përfundiumi të na njoftohet.

Kryeministri Mehdi Frashëri

/tesheshi.com/

Related posts