EKSKLUZIVE/ Flet Mesud Memishoski, polici i dramës së Gjevgjelisë: Sytë e atij fëmije nuk do i harroj kurrë!

Nga Mensur Krasniqi

Pak javë më parë, fotoja e një polici që i jepte të pijë ujë një fëmijë sirian, bëri, siç thuhet, xhiron e botës. Pamja u fiksua nga drama e Gjevgjelisë, në kufirin greko-maqedon, atje ku ende konsumohen vujajtje të pashembullta njerëzore. Dhe Mesud Memishoski, polici nga Manastiri, me gjestin e tij i dha botës një leksion humaniteti.

I thjeshtë dhe modest, ai nuk ka dashur të bëjë bujë, por patjetër që është ndjerë mirë kur e ka parë veten në qendër të vëmendjes së opinionit për atë gjest.

Në një intervistë dhënë për tesheshi.com, ai rrëfen çastet se si u bë prind për fëmijën, por dhe për brengat që e kanë munduar dhe vijojnë ta mundojnë këto kohë duke u gjendur mes vuajtjes së qindra njerëzve….   12032440_156602674687122_1240831465_n             

Ju u bëtë lajm me foton kur i jepnit të pijë ujë një vajzë të vogël siriane. Si u ndodhët në atë çast dhe çju shtyri ti ofroheshit asaj qenie njerëzore si të ishit prindi i saj?

Këto ditë, derisa shërbeja në Gjevgjeli, kam qenë dëshmitar i situatave të ndryshme dramatike me refugjatët, që me mundimet e tyre sa më parë të arrijnë në shtetet e BE-së, gjë që i detyron ndonjëherë të reagojnë ashpër dhe me nervozitet. Ne si policë kemi reaguar sipas kompetencave tona. Mirëpo atë shikim të fëmije nga Siria, gjithmonë e jetë do ta mbaj në mend. Kur fëmija u afrua te unë dhe me plot kuptimin e fjalës me shikimin e vet më tregoi që po kërkon ujë, atë çast harrova gjithçka. Në fytyrën e vogël, të lodhur dhe të rraskapitur të fëmijës 2-vjecar, mu duk se po shihja të gjitha hallet e mijëra refugjatëve që në atë moment kërkonin sa më shpejtë ta lëshojnë kufirin. Fëmija u afrua te unë, u kap prej pantallonave të mia, dhe kur i dhashë shishen me ujë, piu sa u ngop, duke vrapuar më pas tek nëna e vet.

Si u ndjetë më vonë kur fotoja juaj bëri xhiron e botës (sidomos botës shqiptare), sigurisht për mirë? Mos vallë nisët të vuanit famën, apo të lumturoheshit nga fakti se po i ofroheshit botës si një model humaniteti?

Kur dëgjova dhe pashë se jo vetëm në Maqedoni, jo vetëm në Ballkan, por edhe në gjithë botën po përhapet fotografia ime dhe gjesti human, u ndjeva normal mirë. Si njeri me ndjenja, njeri me zemër të gjërë, lexova komente të ndryshme për fotografinë dhe kjo më bëri të kënaqurin. Edhe pas gjithë atij sadisfaksioni që morra, unë jetoj njësoj si më parë, si të gjithë njerëzit, dhe inshAllah dëshiroj nga Zoti që sa më shpejtë të përfundojë me këtë krizë migrimi dhe të mos përsëritet asnjëherë.

Detyra që ju keni është mjaft delikate. Ju duhet të zbatoni ligjin dhe nganjëherë ligji nuk përkon me situata që kanë një sensitet të lartë njerëzor. Si përpiqeni ta gjeni të mesmen?

Domethënë profesioni ynë në raport me të tjerët parimisht kërkon disiplinë, durim, përgjegjësi, sepse zbatojmë ligje dhe urdhëra; mirëpo shikimi i fëmijës së vogël sirian më shtyri të harrojë gjithçka, me punë e me krejt. Shikimi i fëmisë më goditi direkt në zemrën time dhe ndjeva një dhimbje të thellë në vete, derisa u ula që t`i jap ujë. Shikoni pra, nuk është e rëndësishme religjioni dhe nacionaliteti, kush jeni, çka jeni, sepse të gjithë jemi njerëz. Unë nuk di që të ketë ndonjë religjion ku të thuhet mos i ndihmo tjetrit, gënje, vrit; por në të gjitha religjionet thuhet ndihmo aq sa mundesh, mos vjedh, mos gënje, të mos ketë luftra, vrasje etj.

foto 1 (1)

Më konkretisht, jeni përballë një masë të madhe njerëzish, që halli i ka bërë të marrin rrugët e botës. Në raport me ligjet e shtetit të cilit ju i shërbeni, ata mund të jenë të paligjshëm. Por a ka vend këtu për t`u treguar humanë, njerëzorë?

Askush nuk do të kishte ikur nga shtëpia e vet, nga e mira, por të gjithë ata që ishin përballë meje, kishin mbetur pa asnjë rrugëdalje, kërkonin një copë bukë dhe pak ujë që të mbesin gjallë. Pamjet që kam pare unë, më besoni, ishin shumë trishtuese dhe të dhimbshme. Shikoja fëmijë të vegjël që kishin mbetur pa nënë e babe prej rrëmujës së madhe në kufi, pasi i kishin humbur, që qanin e vajtonin; dhe atyre fatkeqëve patjetër që dikush duhet t`u vijë  në ndihmhë. Kemi një thënie: “atë që nuk dëshiron që të ndodhë për vete mos ja dëshiro askujt”, andaj unë gjithnjë inspirohem nga kjo thënie në kësi lloj raste.

A keni biseduar ndonjëherë me kolegët tuaj rreth faktit që sjellja juaj si policë duhet të jetë më e kujdesshme ndaj atyre njerëzve, ngase bëhet fjalë dhe për fëmijë, deri dhe foshnja?

Ne, të gjithë që ishim në kalimin kufitar të Maqedonisë me Greqinë në qytetin e Gjevgjelisë, jemi profesionistë; e dimë mirë punën tonë, kompetencat tona dhe parimisht sillemi si njerëz, dhe pastaj ashtu sic i takon një polici të uniformuar. Të gjithë kolegët që ishin rreth meje janë sjellë ashtu siç duhet; kanë ndihmuar, kanë vrapuar, kanë dhënë ushqim për fëmijët e vegjël, kanë shpërndarë qebe për t`u mbuluar; kanë dhënë ujë dhe gjithcka që i’ u nevojitej refugjatëve, meqë ishte shumë keq.

Nuk na lejohet të mendojnë se vetëm ju jeni jeni i vetmi “njeri i mirë” mes atyre dhjetra forcave policore që janë bërë shkak dhe për pamje trishtuese me sjelljet dhe reagimet e tyre. Dhe në të vërtetë, ka mes tyre që vuajnë po si ju dhe që u dhimsen ata njerëz po si ju?

Meqë një pjesë e kolegëve janë njerëz familjarë, askush nuk dëshiron që në këso situatash të sheh familjen e vet, ndaj dhe kanë ndihmuar. Normal që nuk isha vetëm unë njeriu i mirë, atje të gjithë me aq sa kemi mundur kemi ndihmuar. Përshembull, ushqimin që na takonte neve nga tavolina e Ministrisë së Punëve të Brendshme e kemi ndarë me refugjatët.

Dhe në fund diçka për veten: Nga jeni, ç`origjinë keni? Cili është formimi juaj? Cilat janë bindjet tuaja, dëshirat, pasionet, apo dhe brengat? 

Unë jam Mesud Memishoski, jam 26 vjeç dhe kam kryer Akademinë Internacionale Policore, fakulteti për Siguri, i diplomuar në Kriminalistikë në Ankara të Turqisë. Përndryshe i lindur në Prilep, ndërsa pas punësimit në SPB Manastir, tani banoj në Manastir.

Drama e refugjatëve që po ndodh në Gjevgjeli, me të vërtetë është e rëndë. Unë gjithmonë do të jetoj me pamjen e fëmijës refugjat nga Siria; për këtë shkak, atij dhe të gjithë refugjatëve pa dallim nga kanë ardhur, iu dëshiroj që sa më parë të arrijnë në destinacionet që dëshirojnë dhe asnjëherë mos t’na përsëriten kështu lloj krizash me refugjatë që në vete përmbajnë mundime, tmerr dhe golgota njerëzore me të cilat tërë jetën mbetesh me traumë. /tesheshi.com/

 

 

 

Related posts