Efekti Ramazan/Kushëriri i yllit shqiptar në Ligën Spanjolle: pse vendosa të japë bukë falas këtë muaj

Në bashkësinë e shqiptarëve të Maqedonisë, Ramazani përjetohet si askund në rajon. Kjo, për shkak të një tradite zemërgjerësie, thjeshtësie, përkorësie dhe humaniteti, që e veçon këtë bashkësi në përçimin e ndjenjave fetare.

Ylli i këtij muaji në Maqedoni, nëse mund ta quajmë kështu, është dhe kushëriri i yllit shqiptar të Levantes, Enis Bardhit, Sabit Bardhi.

Ai ka vendosur që këtë muaj, bukën ta shpëndajë falas për ata që nuk kanë mundësi ta blejnë.

Ja si rrëfehet ai në një intervistë:     

“Bukë falas për ata që s’kanë mundësi me pagu” – ky ishte statusi juaj që vërshoi rrjetin social facebook me shpërndarje dhe komente të shumta duke e cilësuar si gjest madhështor në muajin e Ramazanit. Çfarë paraqet për juve ky akt human?

Këtë akt që po e bëj, e bëj për hir të Zotit pasi që e kemi obligim si besimtarë të ndihmojmë me aq sa kemi mundësi skamnorët.

E keni bërë ndonjëherë tjetër këtë gjë që të shpërndani ushqim falas për skamnorët, ose kjo është hera e parë?

Kjo nuk është hera e parë që e bëjmë këtë gjë, e aq më shumë në muajin e Ramazanit. Ne në këtë muaj por edhe jashtë muajit të Ramazanit, në shitoren tonë shpërndajmë ushqim falas për të gjithë të varfërit të cilët nuk kanë mundësi të sigurojnë ushqim. Më konkretisht ndihmojmë me aq sa kemi mundësi t’ia dalim.

Sa kanë nevojë shqiptarët për t’ia zgjatur dorën e humanitetit, madje për t’ia siguruar edhe kafshatën e gojës?

Unë mendoj se shqiptarët, gjegjësisht skamnorët kanë nevojë për humanitet aq sa kanë pasuri të pasurit, madje besoj që numri më i madh është i skamnorëve se sa i të pasurve. Nga ana tjetër krenohem dhe inspirohem për punë bamirëse nga njerëz human si Halil Kastrati dhe Elvis Naçi, ku për momentin janë duke bë punë shumë të madhe për skamnorët. Zoti i shpërbleftë edhe ata dy!

 Sa është e bereqetshme për shitoren e juaj kur ndihmoni skamnorët?

Unë nisem nga parimi “Në qoftëse japim për hir të Zotit, edhe Zoti është i kënaqur me ne e na furnizon”. Dhe kështu, sa më shumë të japim, aq më shumë Zoti na jep bereqet, e kjo vlen edhe për shitoren tonë.

Quheni Sabit Bardhi, mbiemër i njëjtë me atë të futbollistit të mirënjohur për shqiptarët, Enis Bardhit, i cili mbron ngjyrat e Levantes në ligën spanjolle. Keni ndonjë lidhje farefisnore me të?

Po. Me Enis Bardhin kemi një mbiemër dhe jemi rritur bashkë me një oborr, ai është kushëriri im. E përshëndes shumë, tani ai është një yll i klubit spanjoll të Levantes dhe po na bën krenar familjen tonë por edhe gjithë shqiptarët. Për çdo sukses që e bën Enisi falënderon Zotin dhe është mirënjohës ndaj Zotit dhe njerëzve.

Marrë parasysh deklaratat e shpeshta të Enis Bardhit me përmendjen e Zotit si falënderim për suksesin e tij, a mund të thuhet se edhe ai ka trashëguar këtë virtyt të lartë morali nga familja duke ndihmuar të tjerët?

Enisi e ka trashëgim nga familja humanitetin dhe besoj se ka ndihmuar dhe vazhdon të ndihmojë njerëzit në nevojë. Atij i uroj shëndet dhe suksese në të ardhmen. /tesheshi.com/

 

 

Related posts