Edmond Spaho: Në zgjedhjet e 21 Qershorit PD hyn për të fituar

 – Ky është parlamenti më i dobët dhe më i kriminalizuari që nga fillimet e demokracisë

 – PD do ti shkojë deri në fund procesit të dekriminalizimit

 Nga Eva Gjura

Deputeti i Partisë Demokratike dhe Zëvendëskryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Edmond Spaho, për ‘tesheshi.com’ shprehet i bindur se forca politike që ai përfaqëson hyn në zgjedhjet e 21 qershorit për të fituar. Gjatë intervistës së tij, z. Spaho shprehet se opozita do të ndjekë të gjitha metodat ligjore për të mbrojtur votën e lirë të shqiptarëve. Z. Spaho thekson se askush të mos guxojë të mendojë se do të mund të vjedhë fitoren me mjete të jashtëligjshme.

 

-Tashmë ka nisur fushata elektorale për zgjedhjet lokale. Çfarë rezultatesh prisni ju si forcë politike në këto zgjedhje?

Në zgjedhjet e 21 Qershorit hyjmë për të fituar. Vijmë në këtë proces pas riorganizimit të PD-së, rrjedhojë e humbjes së pësuar në zgjedhjet e përgjithshme të dy viteve më parë dhe me një ekip të ri drejtues. Kemi kaluar dy vite në opozitë duke qenë mjaft aktiv dhe rikuperuar shumë nga gjendja në të cilën u ndodhëm në vitin 2013. Pushteti në shumicën e bashkive kryesore ka qenë për një kohë të gjatë në duart e së majtës duke konsumuar jo vetëm përfaqësuesit e tyre, por edhe alternativën që ata përfaqësojnë. Në nivel qendror e majta ka rënie drastike të aksioneve, pas premtimeve të pambajtura e veçanërisht politikave ekonomike të pastudiuara, të cilat kanë rezultuar në rritjen e kostos së jetesës, uljen e të ardhurave, rritjen e taksave, largimin e investitorëve, mbylljen e vendeve të punës dhe rritjen e papunësisë. Për zgjedhjet vendore të 21 Qershorit jo vetëm po paraqesim alternativa për zgjidhjen e problemeve me të cilat ballafaqohet shoqëria sidomos në drejtim të nxitjes ekonomike dhe reduktimit të papunësisë dhe varfërisë, por edhe të menaxhimit të territorit dhe përmirësimit të qeverisjes lokale në tërësi. Përzgjedhja e kandidatëve është bërë me shumë kujdes duke ju ofruar qytetarëve figura me integritet në çdo pikëpamje dhe me aftësi për të drejtuar njësitë e reja administrative.

 

-Në bashkinë e Tiranës janë edhe dy kandidatë që kanë dalë nga shtrati i së djathtës: Z.Bojaxhi dhe z. Tafaj. Sa mendoni se e dëmtojnë këto kandidatura PD?

Pavarësisht origjinës, asnjë prej kandidaturave nuk është në garë si alternative e së djathtës. Qytetarët nuk janë naive dhe e kuptojnë teatrin politik.

 

-Durrësi është një tjetër bashki e rëndësishme ku si PD-ja edhe PS-ja kanë angazhuar gjithë vëmendjen e tyre. Si po shkon fushata në këtë bashki çfarë problemesh keni hasur me shumë dhe mendoni se do të jeni fitues?

Durrësi është bashkia më e rëndësishme pas asaj të Tiranës. Jemi të bindur në fitoren e PD në këtë qytet, sepse kemi ofruar një kandidate të shkëlqyer si zonja Duma, me eksperiencë në drejtim, në sektorin shtetëror dhe privat, në botën akademike dhe media. Ajo ka zgjidhje për problemet që shqetësojnë Durrësin sot. Durrësi vjen në këto zgjedhje pas një kalvari 15 vjeçar qeverisje nga e majta. E them këtë sepse është kthyer në shembullin se si nuk duhet qeverisur një vend duke e betonizuar dhe shkatërruar pasuritë që i ka falur natyra.  Durrësi sot ka probleme serioze zhvillimi, mungese zgjidhjesh afatgjata në infrastrukturë, transport, zhvillimin e turizmit, reduktimin e hapësirave të gjelbra për fëmijët, pensionistët dhe qytetarët në përgjithësi, mungon higjiena dhe mbi të gjitha ka papunësi masive, mbi nivelin mesatar të vendit megjithëse ka një nga potencialet më të larta për zhvillim ekonomik. Kryetari aktual i bashkisë është në konflikt të hapur me detyrën që mban. Nuk mund të jesh edhe kryebashkiak edhe pronar fabrike betoni. Durrësi është shkatërruar, në mjaft raste në mënyrë të pariparueshme, për shkak të interesave personale të kryebashkiakut dhe grupit që ai përfaqëson. Qytetarët e kanë humbur durimin dhe do ti përgjigjen me votë.

 

-Ditët e fundit ju si PD keni pasur disa deklarata publike ku dënoni dhunën dhe presionin e qeverisë në mënyra të ndryshme tek qytetarët, keni përgatitur ndonjë strategji apo masë për të mbrojtur votat tuaja?

Kur të zë paniku i humbjes fillon e përdor metoda të jashtëligjshme si shtimi i listave të zgjedhësve me banorë jashtë territorit të bashkisë, blerjen e votës, kërcënimin e qytetarëve nëpërmjet grupeve kriminale, presionet mbi administratën, dhe veprime të tjera.

Ju tashmë jeni në dijeni të këtyre veprimeve nëpërmjet fakteve qe kemi bërë publike. Ato i janë vënë në dispozicion trupit diplomatik në Tiranë, OSBE dhe misionit të ODHIR që do të monitorojë zgjedhjet në Shqipëri.  Për këto veprime të kandidatit të majtë kemi bërë kallëzime penale në prokurori, e cila ka ndërmarrë  veprime dhe shpejt presim të shohim rezultate. Askush të mos guxojë të mendojë se do të mund të na vjedhë fitoren me mjete të jashtëligjshme.

 

 -Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur të pavlefshëm regjistrimin e kandidatit  tuaj Ilir Pjetraj në Kurbin,  pse dhe si do të përfaqësoheni ju tani në ketë zone?

Kolegji zgjedhor i dha të drejtë të regjistrohet kandidatit tonë në Kurbin dhe ai do të konkurrojë dhe të jeni të bindur që edhe do të fitojë.

 

 -Para pak kohesh klasa politike u fokusua shume  tek dekriminalizimi , si i parlamentit ashtu edhe i kandidatëve për pushtetin vendor kam parasysh këtu nismën e depozituar nga opozita në parlament. Tashmë duket se si çdo nismë tjetër dhe kjo u harrua. Ishte thjeshte një shashkë politike ?

Aspak. Nuk është shashkë politike, por mos prisni nga të kriminalizuarit që të dekriminalizohen. Kryeministri as e ka zënë me gojë ndonjëherë këtë fjalë, sepse me ta erdhi në pushtet. Ne do ti shkojmë deri në fund këtij procesi me ndihmën dhe bashkëpunimin e partnerëve ndërkombëtar, sepse dekriminalizimi është proces jetik për të ardhmen e vendit tonë. Asnjë kandidat i yni për zgjedhjet vendore nuk ka ngarkesa të kësaj natyre, por janë figura me integritet. E njëjta gjë nuk mund të thuhet për disa kandidatura të maxhoranës, të cilët njihen në komunitetet e tyre si përfaqësues të rretheve kriminale.

 

– Ju keni vite në politikë. Cili është vlerësimi juaj për nivelin e këtij parlamenti?

Më i dobëti dhe më i kriminalizuari që nga fillimet e demokracisë.

 

– Muajt e fundit janë shtuar shume largimet masive te shqiptareve drejt vendeve ete BE duke kërkuar azil ekonomik. Pse u rikthyem sërish në këtë pikë?

Për shkak të politikave ekonomike diletante të qeverisë. Po të rritësh taksat, çmimin e energjisë elektrike, karburantit, të mos rritësh pagat dhe pensionet, etj. bien të ardhurat, bie konkurueshmëria e vendit, largohen investitorët dhe mbyllen vendet e punës. Të ndodhur pa mjete jetese dhe pa shpresë qytetarët i drejtohen emigracionit masiv, sepse duan të jetojnë. Zgjidhja e vërtetë e këtyre problemeve nuk është emigracioni, por largimi i kësaj qeverie të cilës i mungon jo vetëm programi për të adresuar problemet, por edhe morali e përgjegjshmëria.

 

-Ju i keni ndjekur ngjarjet e fundit në Kumanove. Cili është qëndrimi juaj?

I kam ndjekur nëpërmjet medias. Duket si ngjarje e stisur për të zgjatur ditët e qeverisë aktuale. Më ka shqetësuar shumë qëndrimi i politikanëve shqiptarë në Maqedoni, të cilët në mënyrë të rregullt janë një hap prapa me zhvillimet në vend dhe interesat e qytetarëve shqiptarë në Maqedoni.

 

-Kryeministri Rama ne  Ministerialin Rajonal tha se Shqipëria do të mbështesë Maqedoninë në NATO vetëm atëherë kur dhe vendi fqinjë të respektojë plotësisht Marrëveshjen e Ohrit. cili është komenti juaj?

Shqipëria gjithmonë e ka mbështetur realizimin e marrëveshjes së Ohrit dhe dhënien e të drejtave shqiptarëve në mënyrë të barabarte me qytetarët maqedonas. Shqipëria ka qenë dhe është vlerësuar si faktor stabiliteti në rajon. Nuk mendoj se gjuha e kushtëzimeve është më e mira për të kapërcyer problemet me të cilat ndeshemi. /tesheshi.com/

 

 

Related posts