Edi Rama i përgjigjet Mustafa Nanos: letra e plotë dhe historia e përplasjes trevjeçare

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur publikisht analistit Mustafa Nano, i cili, pak ditë më parë ka kërkuar nga PS-ja që ta largojë kryetarin e saj.

Nuk është hera e parë që Rama dhe Nano përplasen me njëri-tjetrin që pas zgjedhjeve të vitit 2013, kur Much-i vuri në dyshim deklarimin e pasurisë nga lideri i atëhershëm i Opozitës, prej 2600 euro.

Më pas në vitin 2015, kur Rama kishte nisur ta bënte kauzë bashkëjetesën fetare në Shqipëri, sidomos pas Charlie Hebdo, ai organizoi një iftar “politik” në oborrin e Kryeministrisë.

Dhe Mustafa Nano ia refuzoi publikisht.

Kryeministri nuk e gëlltiti dhe e thumboi po publikisht.

Ndërkaq në fundin e vitit 2015, Edi Rama organizoi një “gosti” për gazetarët në Pallatin e Brigadave, por Much Nano e refuzoi sërish publikisht.

Edi Rama nuk iu përgjigj, por jo drejtpwrdrejt shprehu pezmin. Kësaj rradhe ishte e treta dhe Rama ka marrë laps e letër dhe i ka shkruar personalisht.

Letra e plotë

“I dashur Mustafa.

Nuk mund të them se e lexova pa keqardhje intervistën që kishe dhënë tek Tema TV, por nuk mund të them se jam i zhgënjyer, dhe për këtë fajin e kam unë. Sidomos në këtë katrahurë që është bërë së fundi dhe unë i kam dhënë përgjigje të gjithëve përveç teje, e ndjej veten më shumë fajtor. Aq më tepër që ti je edhe pagëzuesi i aleancës sonë të fitores.

I dashur mik.

Dua të shpjegoj pse isha i detyruar të merrja vendimin për importimin e mbetjeve të cilat me dashakeqësi shumë njerëz i quajnë plehra.

Ti e di që unë një herë në gjashtë muaj marr një taksi dhe udhëtoj disa orë, duke e pyetur shoferin sesi i mendon reformat tona dhe ecjen e ekonomisë dhe politikës. Por nuk e kam thënë sesi një herë në tre muaj shkoj në kazane plehrash dhe bëj një dorë muhabet me gabelët që gërmojnë në to. Në fillim kam shkuar vetëm tek kazanët e Surrelit, por kur pashë se edhe plehnaxhinjtë i ndajnë me sektorë kazanët dhe aty takoja gjithmonë të njëjtin gabel, kam filluar dhe shëtis në kazanë të ndryshëm për të shkartisur opinionet. Në fillim me thënë të drejtën kam pasur konflikte edhe me motive rracore, pasi ata mendonin se unë si “gaxhi” po iu hyja në pjesë. Ata nuk e dinin kush isha pasi nuk shikojnë televizor. Por, pastaj iu shpjegova kush jam dhe se kisha shkuar për muhabet. “Ik ere karallo – më thanë – ku e kemi hallin ne dhe ku e ke ti”. Por pastaj, pasi iu çova ca pako për të kompromentuar (ti e di mik i dashur që e qaj këtë pjesë), ata filluan të bisedonin.

Ndërmjet shumë bisedave të gjata pranë kazanëve të plehrave, ata më thanë që “plehrat janë buka jonë”. Këtu më lindi shkëndija. Po pse mos t’i bëj bukë edhe për shqiptarët – i thashë vetes. Të tjerat ti i di. Nxorra Shalësin i cili si zakonisht flet pa u menduar, madje nuk besoj se e ka kuptuar akoma se çfarë ka bërë; nxora Ervinin, e ke parasysh atë tipin që foli njëherë për brucelozën megjithëse akoma nuk ka parë bagëti me sy; dhe një deputet që nuk ia mbaj mend emrin. A se desh harrova, foli edhe Besnik Bare. Pas kësaj ishte bukë e djathë miratimi, se ti e di si i urdhëroj këta delet e grupit parlamentar.

Tani po merrem një çikë me opinionin publik, se me thënë të drejtën nuk di dhe se si ta shtyj pasditen këtu në Surrel. Ka për të qenë nja një javë çudi, por besoj se pas kësaj do të ulen. Shqiptarët edhe në stadium, vetëm pjesën e parë bërtasin. Pastaj do fillojmë punën. Që ta them më përpara dhe mos habitesh më vonë, puna me plehrat do të fillojë tamam kur të ndërtohet inceneritori i Elbasanit. Atëhere do iu duket Metalurgjiku lule elbasanasve, por nejse. Kur të vij koha tamam do ulemi e flasim përpara një gote vere. Më kanë sjellë ca të mira nga Franca që ça të them.

Mos harro të më ftosh kur të botosh librin.

Miqësisht

Edi”

/tesheshi.com/

Related posts