Edi Rama: e pres Bashën deri më 21 korrik, tu mbushë mendjen SHBA-së dhe BE-së

Edi Rama ka dalë në një konferencë për mediat për të shpjeguar propozimin e çuditshëm që u quajt deklarata e djeshme që PD-ja mund të bënte çdo propozim të mundshëm për reformën në drejtësi, mjafton që të bjerë dakord me SHBA-BE.

Pasi akuzoi opozitën se po izolon vendin nga aleatët strategjikë, Rama i bëri thirrje Bashës që i jep kohë deri më 21 korrik ora 10.00 që të ulet me të në tryezë për të bërë ndryshimin e kërkuar në consensus me ndërkombëtarët.

Deklarata e Edi Ramës

 

“PD refuzoi edhe formulën e kompromisit të propozuar nga SHBA dhe BE përmes Ndihmës/Sekretares Viktoria Nuland.

Pasi i rrokanisi kokën shqiptarëve dhe aleatëve strategjikë të Shqipërisë me nenin 88 dhe mori pikë e presje atë që kërkoi nxori një bisht tjetër.

Duke ngritur pikëpyetjen e pabesueshme mbi besueshmërinë, integritetin dhe rolin e partnerëve tanë ndërkombëtarë në procesin e skanimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve shqiptarë.

Nuk u befasova unë dhe nuk u befasua askush qe e di mirë se në çfarë fle lepuri i frikës nga drejtësia që është kryekëshilltari i opozitës për reformën në drejtësi.Frika.

Por sigurisht u befasuan dhe zhgënjyen aleatët e Shqipërisë, të cilët janë investuar masivisht si kurrë më parë për një reformë në Shqipërinë e çerekshekullit.

Kërkesa e re e PD dhe klithma e djeshme në Kuvendin e Shqipërisë për mbrojtjen e sovranitetit të vendit nga rreziku i ri euroamerikan, janë dëshmia ulëritëse e të vërtetës se opozitarët tanë nuk u zhytën në ujin e Venecias për të nxjerrë sistemin e drejtësisë nga goja e peshkaqenit që donte të kapte drejtësinë përmes reformës.

Pretendimi i tyre neni 55 në dimër dhe 88 në pranverë ishte vetëm alibi e menduar me idenë se ne nuk do hapnim rrugën e kompromisit, sidoqoftë tek e fundit nuk cënon thelbin e reformës.

Kur kjo alibi ra si kështjellë në rërë, na vendosin në tavolinë formulën e kompromisit nga Ndihmës/Sekretarja e Shtetit, PD kërkoi 48 orë kohë për të marrë veten dhe ndërtuar alibi të re. Këtë herë dhe më absurde se e para, rreziku euroamerikan.

Të ndihmuar nga sovranistë që varen prej parave të padeklaruara në media ka nisur poërpjekje të dëshpëruar për të bindur shqiptarët se vettingun e prokurorëve dhe gjykatësve Shqipëria sovrane mund ta bëjë më mirë duke ua lënë në dorë Gjin Ndrecës apo Vladimir Jonuzit, sesa Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit”.

/tesheshi.com/