E PATHËNA / Një intervistë me Thaçin dhe kthim në histori: Si për pak Kosova u bë “fitil” për Luftën e Tretë Botërore

“Sa na përket neve në Kosovë, do të donim ta shihnim Britaninë në Bashkimin Evropian – përfundimisht BE-ja nuk do të jetë njësoj pa Britaninë”, thotë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë të hollësishme për The Independent.

Presidenti ka folur për kohët e trazirave sipas pikëpamjeve që vijnë nga pjesa e Evropës Juglindore.

Ai është në rrugën e gjatë dhe të vështirë për të mos lejuar kthimin e luftërave në Ballkan, ato që sollën vdekje, shkatërrime, përdhunime masive dhe spastrim etnik.

Dhuna në fjalë e tronditi Evropën, e cila mendonte se një skenë e tillë i takonte së kaluarës.

Udhëheqësit e të dy shteteve – Thaçi dhe Aleksandër Vuçiq – në të kaluarën njiheshin si nacionalistë të ashpër dhe të palodhur. Por së fundmi ata kanë mbajtur bisedime në Konferencën vjetore të Sigurisë së Mynihut. Një raund tjetër negociatash pritet të mbahet në të ardhmen e afërt.

Ekziston një marrëveshje e përgjithshme nga të dyja palët që anëtarësimi në Bashkimin Evropian është thelbësor për arritjen e paqes afatgjate, shtuar kësaj edhe aspirimin e Kosovës për t’iu bashkuar NATO-s.

“Duke parë rrethanat me të cilat ballafaqohemi në Kosovë, e vetmja e ardhme është anëtarësimi në Bashkimin Evropian, dhe nuk ka asnjë dyshim për këtë”, tha Thaçi gjatë një vizite në Londër.

“Si Kosovë ne do të bëjmë të gjitha detyrat, pasi meritojmë të jemi anëtarë të NATO-s dhe anëtar të BE-së. Ne duam që përfundimisht të shohim kufijtë e hapur brenda BE, me Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë, kudo në rajon. Lidhur me anëtarësimin në NATO-n, mendoj se duhet një periudhë prej 5 deri në 10 vite”.

I ulur në Hotelin Kensington, Thaçi duket i qetë dhe urban në një këmishë bardhë e blu të kombinuar me xhinse. Kur e takova për herë të parë ai ishte në stërvitje luftarake, i lodhur dhe i zbehtë pas një operacioni të vështirë ushtarak nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), të cilën ai e udhëhoqi në atë kohë.

Ishte një kohë e luftimeve të egra në Kosovë, ku terreni ndahej mes bombardimeve të NATO-s ndaj Serbisë dhe kërcënimeve të hidhura midis Rusisë dhe perëndimit.

Forca e NATO-s në Kosovë (KFOR) e kryesuar nga gjeneral majori britanik Mike Jackson, u nis për Kosovë, ndërsa Moska dërgoi kontigjentin e tyre ushtarak. Të dyja palët po garonin për të siguruar aeroportin në kryeqytet, duke synuar përparësinë strategjike që ofronte.

Kishte ende trazira të shprehura, të cilat unë dhe gazetarë të tjerë i dëshmuan në një mbrëmje me shi të stuhishëm, gjatë së cilës Jackson e refuzoi urdhrin nga eprori i tij, gjenerali amerikan Wesley Clark, për t’ua bllokuar pistën rusëve. Përgjigja e Jackson është tani pjesë e historisë së konfliktit: “Unë nuk do të filloj Luftën e Tretë Botërore për ty.”

Mike Jackson ishte person me parime dhe, gjakrat u ftohën vetëm pas marrëveshjes mes Shtëpisë së Bardhë dhe Qeverisë Britanike.

Në fund, fjala i shkoi Jackson, dhe jo Clark, i cili ishte Komandant Suprem i Forcave Komando të Evropës.

Rusët i ulën aeroplanët e tyre, trupat e tyre bënë disa patrulla simbolike të përbashkëta me trupat e NATO-s dhe pastaj u tërhoqën.

Luftërat ballkanike çuan në ndarje të hidhura brenda Europës, dhe shtetet e tjera zinin pozicionet e tyre teksa Jugosllavia po shpërbëhej: një shembull i keqardhjes ishte edhe njohja e hershme e pavarësisë së Kroacisë nga Gjermania, e cila u komentua gjerësisht si shpërblim për mbështetjen që organizata terroriste kroate Ustasha ia dha Gjermanisë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Një numër i shteteve anëtare të BE-së si Greqia, Spanja, Rumania dhe Qipro, ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Thaçi thotë se “ka një përçarje midis disa anëtarëve të BE-së për disa gjëra, siç e dimë, Bashkimi ndërkombëtar do të ndihmonte shumë me dialogun për të arritur një marrëveshje me Serbinë. Nuk ka dyshim se kjo do të përshpejtonte procesin. ”

Ndërkohë, Donald Trump, në mënyrë të papritur ka shfaqur interes në këtë çështje, duke kërkuar nga të dyja palët që të vazhdojnë negociatat. “Skeptikët kanë thënë se Trump nuk do të kthente kokën kah Ballkani,” thotë Thaçi. “Në fakt ai ka qenë shumë i vëmendshëm, shumë mbështetës, dhe po ndjek politikat e presidentëve të tjerë për Kosovën dhe Ballkanin, Bushin e vjetër dhe të riun, Clinton dhe Obama. Trump ka dërguar dy letra në dy muaj, si për mua ashtu dhe për presidentin, me një mesazh shumë të qartë, për të arritur një marrëveshje këtë vit”.

Teksa Thaçi ishte drejtues i UÇK-së në Kosovë dhe avionë luftarakë të NATO-s ishin mbi Serbinë, Vuçiç ishte ministër për informacion në qeverinë e Sllobodan Millosheviçit në Beograd, duke propaganduar kundër asaj që ai e konsideronte si “martirizim i serbëve nga perëndimi”.

Vuçiç tani shihet si një njeri që perëndimi mund të bëjë biznes me të dhe ka marrur stafetën për reformimin e politikës serbe. Ai po përballet me një opozitë të brendshme, por megjithatë mbetet politikani më me ndikim.

Gjashtë vite më parë, më kujtohet një darkë me Vuçiçin, i cili atëherë ishte zëvendëskryeministër. Në ishim në Beograd me një grup të vogël gazetarësh, atë ditë që ra qeveria serbe.

Ai bëri një sërë thirrjesh telefonike, dhe me të mbaruar darka, ai kishte formuar një qeveri të re të koalicionit.

“Vuçiç patjetër ka ndryshuar, pasi ai ka kaluar kohë të vështira për shkak të gabimeve të tij”, thotë Thaçi. “Regjimi që ai i përkiste dikur ishte i keq, një regjim që i bëri shumë dëm jo vetëm Kosovës, Bosnjës dhe Kroacisë, por edhe vetë Serbisë”.

“Në vitet ’98 dhe ’99, Vuçiç dhe unë ishim në opozitë. Ne fituam, ai humbi. Megjithatë, ai është një udhëheqës legjitim, ai Serbi, e unë në Kosovë. Jemi liderë që u votuan nga qytetarët. Ne kemi ndryshuar në mënyrë pozitive. Tani nuk flasim për luftë dhe konflikt, por flasim për arritjen e paqes. Vuçiç është një person shumë i vështirë për të negociuar, por unë nuk e kam zgjedhur atë si homolog, e as ai nuk më ka zgjedhur mua si homologu të tij. Ky është thjeshtë realiteti i këtyre dy shteteve sovrane”.

Edhe Thaçi përballet me problemet e tij. Dhomat e Specializuara dhe Prokuroria Speciale, e themeluar në Hagë në 2017-tën, po heton figura të larta në UÇK, përfshirë presidentin kosovar.

Thaçi këmbëngul se nuk ka asgjë për të frikësuar. “Si gjithmonë, nuk do të ikim, nuk do të turpërohemi, do të përballemi, dhe unë jam i bindur se do ta kapërcejmë me dinjitet dhe integritet”, thotë ai.

“Unë personalisht jam shumë krenar që isha një nga drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gjithmonë do të ketë zëra që përpiqen të denigrojnë Kosovën ose të akuzojnë Kosovën, të ndotin Kosovën dhe mua personalisht. Por kjo nuk do të thotë se do të ndalem, kjo është rruga jonë dhe si duhet të vazhdojmë përpara. Unë besoj në drejtësi. Ajo që nuk duhet të lejojmë të ndodhë është që historia të rishkruhet”. 

Presidenti kosovar akuzon bashkësinë ndërkombëtare për standarde të dyfishta: “Ne ende nuk kemi parë asnjë gjykim apo dënim për gjenocidet serbe të kryera në Kosovë. Dhe për ne, është një çështje shqetësuese kjo heshtje e bashkësisë ndërkombëtare ndaj këtyre krimeve. Kemi pasur rreth 15,000 civilë të vrarë, deri në 20,000 viktima të dhunës seksuale, dhe kishte rreth 200 masakra kundër civilëve në Kosovë, anembanë Kosovës. Drejtësia ndërkombëtare nuk ka arritur të dënojë ata që janë përgjegjës për këto krime “.

Por Thaçi është gjithashtu i vetëdijshëm për barrën e historisë në Ballkan.

“Sigurisht pengesa më e madhe është e kaluara”, thotë ai. “Por nëse shohim tani gjerësisht në rajon, veçanërisht pas marrëveshjes së fundit midis Maqedonisë dhe Greqisë, çështja kryesore mendoj se tani na takon neve – Kosovës dhe Serbisë, për të arritur një marrëveshje paqeje. Në fund të fundit, dialogu nuk ka alternativë. Kjo është zgjidhja e vetme”. 

Ai shton: “Ata që luftuan për çlirimin e Kosovës duhet të mendojnë për një të ardhme paqësore të re për gjeneratat e ardhshme, kjo është e rëndësishme për ne dhe për Evropën”. /tesheshi.com/

auto pjese dak

Related posts