728 x 90 Leaderboard

E pathëna e 22 marsit ‘92: si ndodhi përmbysja për një vit dhe kontrolli i pushtetit nga PD që në 91-shin

Nga Ylli Pata

Fitorja plebishitare e 22 marsit 1992 nga ana e Partisë Demokratike është analizuar shpesh dhe me detaje për vite e vite me radhë.

Por e vërteta është se sa më shumë kohë kalon, aq më shumë historia shikohet më ftohtë dhe gjykimi vjen më i pandikuar nga emocionet që të kaplon afërsia me ngjarjet.

Rezultati 31 mars ’91

Sepse pak është analizuar mbi shkaqet e përmbysjes aq të madhe thuajse me 180 gradë brenda një viti: më 31 mars 1991 ishte Partia e Punës që mori 56% të votave dhe Partia Demokratike mori 38%, kurse një vit më pas situata ishte krejt ndryshe.

Më 22 mars 1992, Partia Demokratike mori 62% të votave, ndërsa Partia Socialiste mori 25% të votave.

Është thënë deri më sot në analizat e bëra se bëhej fjalë për një vullnet popullor dialektik për ndryshim, për të përmbysur sistemin e vjetër, përfaqësues të së cilës ishin krerët e PS-së së re të formuar nga baza e PPSH-së.

Një përfundim logjik që padyshim ka pjesën e së vërtetës, por gjithsesi relativiteti i shkaqeve reale prodhon gjithmonë dyshime e mendime të ndryshme, sidomos duke u nisur nga këndvështrime jo-simetrike nga pjesë të ndryshme të shoqërisë.

Rezultati 22 mars ’92

Dhe media gjithnjë ka mundësinë për të kontribuuar më shumë se me opinione, me fakte e dëshmi sa më të ftohta që historianët me anë të rregullave shkencore të bëjnë analizën sa më të balancuar të mundshme.

Dhe pikërisht në kuadrin e fakteve, po sjellin disa zhvillime të rëndësishme dhe traumatike të vitit 1991, që padyshim ishin disa nga shkaqet që sollën atë fitore të madhe të PD-së më 22 mars 1992.

Këto fakte që ndodhën kanë vetëm një rezultante: Partia Demokratike vërtet që ishte opozitë politikisht, por realisht, që nga pranvera e 1991-shit ajo ishte parti në pushtet, madje që administronte më shumë pushtet në Shqipëri.

Lajthitje?

Ja faktet: më 31 mars 1991 zgjedhjet i fitoi PPSH-ja e Ramiz Alisë, por përpos zgjedhjes së tij president, mazhoranca e komunistëve nuk formoi dot qeveri. apo më mirë të thuhet sapo u formua kabineti i Fatos Nanos, u rrëzua.

Vendi u qeveris nga një qeveri e përbashkët PS-PD ku kryeministër ishte Ylli Bufi nga PS dhe Zv.kryeministër ishte Gramoz Pashko nga PD.

Ky i fundit ishte me më shumë fuqi politike.

Ministër i Financave, pra ai që mbante dhe ndante apo administronte paratë, ishte Genc Ruli nga Partia Demokratike.

Ministrinë e Enegjitikës e kishte PD-ja, pra hidrocentralet dhe energjinë me Emin Musliun.

Ministrinë e Industrisë dhe minierave e kishte prapë PD-ja me Abdyl Xhajën që vazhdoi ta kishte ministër pas 22 marsit 1992.

Ky ishte pushteti qëndror; por me anë të një marrëveshje politike me PS-në e sapoformuar nga transformimi prej PPSH-së, Partia Demokratike mori drejtimin e pushtetit lokal në ato rrethe ku kishte arritur të fitojë në zgjedhjet e 31 marsit 1991.

Me një fjalë në të gjithë qytetet kryesore, Tiranë, Shkodër, Elbasan, Fier, Korçë, Vlorë, Gjirokastër PD-ja drejtonte me figurat e saj Komitetet Ekzekutive pluraliste.

Këto qytete administronin gjithçka të jetës politike brenda dhe krijuan perceptimin se ardhja në pushtet e PD-së edhe de jure është një proces që po piqet dhe po merr kohën e saj.

Por nuk mjafton me kaq.

Qemal Lame, ish-kryeprokurori i komunizmit, u bë një përkrahës i hapur i Partisë Demokratike dhe në media u fol për takime të përnatshme të tij me Sali Berishën për dosjen e vrasjeve të 2 prillit që nisi të përgatitet me një vendim të psoaçëm të Parlamentit shqiptar.

Institucionet e vetme që nuk kishte PD-ja ishin Presidenca, Gjykata e Lartë që e drejtonte i ndjeri Kleanthi Koçi, pasi edhe në polici dhe ushtri arriti të marrë frenat e saj për një vit.

Ministër i Brendshëm ishte Bajram Yzeiri, një teknokrat i cili u vu nën sulm politik nga propaganda e PD-së dhe si marrëveshje politike u arrit që në disa komisariate të vendoseshin njerëz të propozuar nga PD-ja.

Shyqyri Çela për shembull u vendos shef komisariati i Shkodrës, i cili më pas më 22 mars 1991 u zgjodh deputet i Partisë Demokratike për qytetin më të madh verior.

Ministër i Mbrojtjes ishte i ndjeri Perikli Teta, një inxhinier aviacioni teknokrat por që u propozua nga PD-ja.

Pra edhe emëtimet në ushtri i kontrollonte Partia Demokratike.

Në dhjetor të vitit 1991, Sali Berisha kreu një lëvizje politikisht brilante: rrëzoi qeverinë e koalicionit, në mënyrë që kur të vinte qeveria e PD-së pas zgjedhjeve të mos i merrte çelësat nga njerëzit e vet, pasi normalisht do të dukej se nuk kemi një përmbysje por një stafetë pushteti që kishte nisur që herët, ndoshta nga takimi mes Sali Berishës dhe Ramiz Alisë në vilën e këtij të fundit.

Pra deri më sot nuk është thënë asnjëherë që vërtet PD-ja fitoi pushtetin më 22 mars 1992, por de fakto ajo e kishte që prej një viti… /tesheshi.com/  

 

Related posts