E mahnitshme në Kinë: pas nëntë vitesh ndërtim, hapet ura më e gjatë në botë (foto)

Pas nëntë viteve të ndërtimit, në maj apo qershor të këtij viti, Kina do të hapë urën Hong Kong-Zhuhai-Macau, shkruajti China Daily më parë këtë vit.

Edhe për kushtet kineze, ky është një megaprojekt i vërtetë. Me një gjatësi totale prej 55 kilometrash, kjo është ura më e gjatë në botë që shtrihet përgjatë ujit. Me formën Y, ajo lidh tre qytete të mëdha (Hong Kong, Zhuhai dhe Makao), dhe e gjithë struktura është në të vërtetë një urë dhe tunel nënujor.

Se sa mbresëlënëse është ura, tregon fakti se ajo është 20 herë më e gjatë se ura e famshme Golden Gate në San Francisko.

Ndërtimi i fuqishëm u karakterizua nga tejkalime të afateve, tejkalime të buxhetit, aksidentet fatale dhe një numër problemesh të tjera, por pavarësisht gjitha këtyre peripecive inxhinierët dhe punëtorët megjithatë arritën ta sjellin këtë megaprojekt në fund.

Ata me këtë rast përdorën teknologjinë më të fundit të disponueshme për të lejuar që strukturat të “përballonin” fatkeqësitë më të mëdha natyrore, të tilla si tërmete të magnitudës 8 Rihter, super-tajfunë apo një goditje të një anije 300,000 ton në strukturën e urës, shkruan Xie Chuanjiao dhe Zhao Lei.

Inxhinieri kryesor, Meng Fanchao tha se ekipi i tij ka kërkuar këshilla nga fusha të ndryshme, duke përfshirë mbrojtjen e mjedisit, hidrologjinë, navigacionin detar, aviacionin, ekonominë dhe një mori inxhinierësh të përfshirë në ndërtimin e urave dhe projekteve të tjera të infrastrukturës.

I gjithë projekti kushtoi rreth 116 miliardë juanë kinezë (18.5 miliardë dollarë sipas ofertës së kompanisë kineze CBRC) dhe projektuesit e saj presin që jetëgjatësia e saj të jetë 120 vjet, rreth 20 vjet më shumë se “norma” për ura të ndërtuara në det.

Kur të vihet në qarkullim, rruga nga Aeroporti Ndërkombëtar i Hong Kongut në bregun lindor të Macau do të shkurtohet nga 4 orë e tanishme në vetëm 30 minuta, thonë vlerësimet zyrtare. Përafërsisht 29,000 automjete dhe 126,000 pasagjerë në ditë pritet të kalojnë nëpër të rreth vitit 2030, ndërsa rreth 4,000 anije në ditë do të kalojnë mbi tunelin nënujor në të njëjtën kohë.

Ideja e parë për ndërtimin e urës u dha nga manjati i Hong Kongut, Gordon Wu Ying-sheung në vitin 1983 dhe autoritetet filluan të marrin seriozisht në konsideratë këtë ide vetëm pas bashkimit me Kinën në vitin 1997.

Së fundmi, pas një sërë negociatash ndërmjet autoriteteve të tre qyteteve, në vitin 2009 u miratua plani përfundimtar dhe filloi ndërtimi i urës. /tesheshi.com/

Related posts