728 x 90 Leaderboard

E kaluara kolonialiste e Europës: debati rindizet në Portugali

Planet e muzeumit të Lisbonës nxisin debate të forta në lidhje me të kaluarën kolonialiste. “Muzeumi i Zbulimeve” do të lartësojë skllavërinë dhe abuzime të tjera historike, thonë kritikët.

Një premtim fushate për të ndërtuar një muzeum në Lisbonë kushtuar historisë kolonialiste të Portugalisë ka nxitur debate në lidhje me identitetin kombëtar portugez, natyrën e kujtesës historike dhe çështjen e fajit kolektiv.

Kundërshtia fokusohet mbi të ashtuquajturën Epokë të Zbulimeve – periudhë që nis në shekullin e 15-të kur ekspeditat nga lundërtarët portugezë ndihmuan vendin të pretendonte territore që shtriheshin nga Azia në Amerikën e Jugut.

Periudha konsiderohet gjerësisht si kulmim i historisë portugeze sikundër edhe shtrat i identitetit kombëtar. Por një kor në rritje kritikësh ka nisur ta vendosë në dyshim këtë, duke tërhequr vëmendjen ndaj krimeve të kryera në shërbim të projektit kolonialist të Portugalisë.

Përballja aktuale e ka origjinën në fushatën e vitit të kaluar për zgjedhjet lokale, kur kryebashkiaku në rikandidim i asaj kohe, socialisti Fernando Medina, listoi 25 detyra që ai shpresonte të përmbushte nëse rizgjidhej.  Lista përfshinte edhe idenë e ndërtimit të një objekti që fillimisht u quajt Muzeumi i Zbulimeve. Dokumenti nuk sillte shumë detaje, e nuk jepte as vendin dhe as përmbajtjen e muzeumit të ardhshëm, por thoshte vetëm që kjo hapësirë do të mbulonte “aspektet më të rëndësishme dhe më pak pozitive” të Epokës së Zbulimeve  dhe që do të përfshinte një “zonë të kushtuar për çështjen e skllavërisë”.

Propozimi kaloi gati tërësisht i pavënë re, deri në prill, kur më shumë se 100 akademikë portugezë dhe ndërkombëtarë publikuan një letër të hapur ku kritikonin emrin e propozuar si një “shprehje e izoluar, jo korrekte e mbushur me kuptime të gabuara”.

Kjo letër, që u publikua në të përjavshmen “Expresso” shpërtheu portat e digës duke sjellë opinione dhe debate televizive në tryezë të rrumbullakët, ku pjesëmarrësit dilnin hapur pro dhe kundër emrit të propozuar si dhe vetë parimit të ndërtimit të një muzeumi të tillë.

“Do të ishte vetëm përforcim i ideologjisë koloniale portugeze, që e portretizon atë periudhë si heroike dhe thjesht vesh me shkëlqim çështjet e skllavërisë, vrasjet masive dhe abuzime të tjera”, thotë

Joacine Katar-Moreira, kërkues në Institutin Universitar të Lisbonës dhe bashkautor i një letre që kritikon propozimin, të nënshkruar nga 100 aktivistë me ngjyrë. “Që tani, ka kaq shumë statuja dhe monumente që i bëjnë homazhe atij momenti në histori. Ne nuk kemi nevojë për një tjetër, që ashtu si dhe ata, do të ishte një instrument për të përkedhelur  vetë-vlerësimin kombëtar”.

Katar-Moreira dhe aktivistë të tjera do të donin që fondet e caktuara për muzeumin, në vend të kësaj, të përdoreshin për një monument që do të nderonte viktimat e skllavërisë.

Portugalia ishte një lojtar kryesor në tregtinë atlantike të skllevërve, anijet e saj mendohet se kanë transportuar gati gjysmën e totalit prej

12.5 milionë afrikanëve të skllavëruar. (Britanikët ishin të dytët me distancë nga Portugalia, duke shitur 3.2 milionë njerëz). Portugalia, sidoqoftë, prej një kohe të gjatë e mban veten si

“bom colonizador”, apo kolonizuese e mirë, duke cituar lulëzimin e marrëdhënieve ndër-racore në Brazil apo Kepin e Gjelbër si prova që praktikat e saj ishin në një farë mënyre, më “të buta”sesa ato të fuqive të tjera europiane.

Provat historike e refuzojnë një lexim të tillë – pikë kjo e vënë në dukje nga ata që kundërshtojnë muzeumin e propozuar. Komentues të tjerë janë të zemëruar me sugjerimin që Portugalia nuk ka asgjë për të pasur turp.

“Nuk është e mundur të fshihet historia”, thotë kolumnisti João André Costa i cili shkroi një artikull në gazetën “Público”. “Ndodhi. Ekzistoi. Nuk mund të kthehemi pas në kohë… dhe ne nuk kemi përse të rrahim veten, duke u gjunjëzuar për 100 vjet, me sy dhe zemra përdhe”.

Madje, edhe kryeministri António Costa, familja e të cilit e ka origjinën në Goa, ish-koloninë e Portugalisë në Indi, ka sjellë mendimin e tij në debat. Ai tha në një intervistë së fundmi: “Ne nuk duhet të kemi komplekse, por të jemi krenarë në të pasurit mundësi të përballemi, në Portugali, me atë periudhë në histori kur ne padyshim sollëm kontributin tonë më të madh ndaj botës”.

Autoritetet e Lisbonës kanë mbajtur një profil të ulët përgjatë debatit, përveç, sipas raportimeve në median lokale, për të futur në debat emra të mundshëm alternativë, si Muzeu i Zbulimit, në njëjës, apo Muzeumi i Zgjerimit dhe Udhëtimeve.

Ndërsa fati i muzeumit mbetet ende i paqartë, argumentet duken se kanë gjasa të vazhdojnë, duke nxitur një debat që shumë e shohin si të vonuar.

“Mendoj se është një debat i dobishëm, por mendoj se ka nevojë të bëhet në masën e duhur dhe të mos vështirësohet në pozicione ekstreme që shohim nga të dyja palët”, thotë drejtori i “Público”, Manuel Carvalho, i cili më herët ka shkruar një artikull të titulluar “Barra e rëndë e të qënit portugez”.

“Jam tërësisht në favor që ne të flasim për anën e errët të epokës së Zbulimeve, për gjërat që nuk na i kanë mësuar në shkollë, ku kemi dëgjuar vetëm për anën heroike. Por, nuk mund t’i kërkosh një shoqërie të ndryshojë brenda natës”.

Përgatiti: Juli Prifti -/tesheshi.com/

Related posts