Dy standardet e ndryshme të Ilir Metës: sot konsensus për drejtësinë, por dje 73 vota për Nishanin!

Për të dytën herë brenda pak ditësh, Ilir Meta ka ligjëruar politikisht në një mënyrë “brilante”, ku, në kërkim të një konsensui absolut për reformën në drejtësi, ka shpalosur parime, ideale, luajalitet, të panjohur më parë. Ndërkohë që paradoksalisht, atij i njihet i vetmi rast kur ka bërë “të fortin” dhe i ka treguar Berishës hekurat, aty nga fundi i vitit 2000.

Por a është kjo e tanishmja një sjellje konstante e Metës, apo është një “rilindje” e tij parimore, e diktuar nga rrethanat politikes, e që pas së cilës fshihet përllogaritja për tjetër të arritur tjetër synim.

Sepse, pak vite më parë, me 2012-ën, në rastin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës, me një rol jo të vogël dhe ai në sistemin e drejtësisë, pasi mban dhe postin e kryetarit të KLD-së, ai nuk qe kaq këmbëngulës, e madje kaq kushtëzues, që kreu i shtetit të zgjidhej me konsensus. Madje në kujtesën e publikut, mbahet mend ende “lepepeqja” e tij si aleat i Berishës për t’a dhënë votat Nishanit, i cili më pas do zgjidhej me shumicë të thjeshtë, duke prodhuar kështu presidentin  më jo-konsensual në vite, mu në kohën që më tepër se kurrë politika kishte nevojë për përafrime me anë të një figure krejt tjetër nga ajo e Nishanit.

Pra, ishte ajo kohë kur Ilir Meta qeveriste në aleancë me Sali Berishën. Në ditët e para të seancave për zgjedhjen e presidentit u synua një figurë konsensuale pasi në 3 votimet e para kandidati që paraqitet në Kuvend duhet të marrë tre të pestat e votove, apo 84 deputetë duhet të ngrenë kartonin jeshil.

Mazhoranca propozoi Xhezair Zaganjorin si kandidat, e kërkoi konsensusin PS-së, e cila nuk ia dha.

Në kryesinë e Kuvendit u zhvilluan bisedime ndërmjet Sali Berishës, Edi Ramës, Ilir Metës, Fatmir Mediut dhe Shpëtim Idrizit.

Rama propozoi disa emra kandidatësh për konsensualë, por që nuk u pranuan nga Berisha dhe Meta.

Më pas, kryetari i LSI-së propozoi një analist për President, duke u thënë gazetarëve se kandidati vjen nga gjiri juaj.

Ky ishte Artan Hoxha, i cili u nis për tu votuar në Kuvend me një eskortë të Gardës së Republikës, por që u kthye rrugës.

Kjo pasi Jozefina Topalli kërkoi të shikoheshin dosjet e Sigurimit të Shtetit.

Pas dështimit të variantit analist-president, Partia Demokratike vendosi që të kandidojë për kryetar shteti, një nga ministrat e saj: përkatësisht ministrin e Brendshëm, Bujar Nishani.

Dhe Ilir Meta, nuk e kundërshtoi kandidaturën e Nishanit, madje e votoi atë pa bzajtur e pa ngritur asnjë pretendim në emër të parimeve e konsensualitetit që shmang krizat.

Presidenti u zgjodh me 73 vota, pra sa deputetë kishte mazhoranca në Kuvend.

Madje pas votimit, Bujar Nishani u takua në radhë të parë me kryetarin e PD-së, Sali Berisha dhe kreun e LSI-së, Ilir Meta.

Një kryetar i shtetit, i cili në Kushtetutë përbën figurën e “unitetit kombëtar” duhet të zgjidhet me sa më sumë konsensus të mundshëm, në mënyrë që kreu i shtetit të simbolizojë të gjithë logjikën e unitetit dhe të jetë i paanshëm me forcat politike.

Por në vitin 2012, Ilir Meta votoi një zgjidhje “sektare”, që i dha presidentit një akses në Forcat e Armatosura dhe në sistemin e drejtësisë.

Ndërkaq, në rastin e reformës, edhe pse pati një mbështetje më të madhe ndërkombëtare e cila pas refuzimit të PD-së mbështeti edhe një votim “individual”, kreu i LSI-së ariti të hyjë në negociata duke u prezantuar si “çift politik” me Lulzim Bashën.

Siç duket, më shumë se votimi i reformës, Meta është kujdesur për fatin e tij politik pas miratimit të reformës në drejtësi dhe më e rëndësishmja në zgjedhjen e njerëzve të rinj të sistemit të ri të drejtësisë.

Sipas të gjitha gjasave, Edi Rama nuk do ta ketë Ilir Metën në krah gjatë votimit tani e tutje.

Siç e tha vetë deputeti socialist, Fatmir Xhafa: “dashuria mbaroi, por duhet të ruash qetësinë…”

/tesheshi.com/