Dy filma nga Kosova kthehen me çmime nga Festivali i Tiranës

Për “skenarin më të mirë” dhe për “filmin më të mirë shqiptar”, u vlerësuan dy filma të bashkëfinancuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës, në ceremoninë përmbyllëse të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Tiranë.

“T’padashtun”me regji të Edon Rizvanollit, njëherësh propozimi i Kosovës për “Oscar” në kategorinë më të mirë në gjuhë të huaj”, ka marrë çmimin për skenarin më të mirë. E “Home” me regji të More Raçës u shpall filmi më i mirë shqiptar i edicionit të pesëmbëdhjetë të “TIFF-së”, informon “Koha Ditore”.

Fituesi kryesor i ceremonisë së mbajtur të shtunën mbrëma doli filmi “Glory”, një bashkëprodhim greko-bullgar i realizuar me regji të Kristina Frozevas dhe Petar Valchanovit. Filmi shtjellon një dramë sociale e realiste që eksploron temën e korrupsionit, ndryshimet klasore dhe ndarjen ruralo-urbane në shoqërinë bashkëkohore bullgare.

Përveç trofeut të çmimit kryesor të festivalit, “Glory” – i ndarë nga juria në përbërje të Denis Cote nga Kanadaja e Dritan Huqit nga Shqipëria – mori edhe çmimin e jurisë së medias në mbrëmjen finale të festivalit që u mbajt në kinemanë “Agimi”. Për nëntë ditë me radhë, në kuadër të “TIFF-së” adhuruesit e filmit kanë pasur mundësi t’i shihnin mbi 250 filma nga e gjithë bota. /tesheshi.com/