728 x 90 Leaderboard

Dritëhijet e futbollit shqiptar në 2016-n: nga pjesëmarrja e kuqezinjve në Europian te përjashtimi i Skënderbeut nga aktivitetet europiane

Ndërsa vitit 2016 i kanë mbetur ende pak ditë për t’u mbyllur, një bilanc i bërë shpejt do ta përcaktonte atë si kulmin e futbollit shqiptar. Pjesëmarrja në një kampionat europian qe vërtet arritja më e madhe e futbollit shqiptar në historinë e tij.

Shqipëria ia kishte dalë të shpallej kampione e Ballkanit në vitet e para të pasluftës, kishte provuar dekada më vonë të kualifikohej për në Botërorin e Meksikës, por vetëm kaq. Vitet pas ndryshimit të sistemit qenë shoqëruar me një kaos të përgjithshëm dhe në futboll. Kishte patur momente sporadike suksesi, si fitorja ndaj Greqisë vetëm pak muaj pasi fqinjët ishin shpallur kampionë të Europës, ashtu siç kishte patur dhe goditje të rënda, humbje të thella.

Do duhej të vinte 2016-ta që përfaqësuesja e Shqipërisë të merrte pjesë për herë të parë në një aktivitet të përmasave të mëdha. I tillë ishte Europiani i zhvilluar në Francë gjatë muajve qershor-korrik.

Kualifikimi për në këtë veprimtari pati qenë një histori më vete, që nga tmerri i Beogradit, përballja me gjykatat sportive dhe ndeshja e fituar në tavolinë, te fitorja historike në Armeni…

Pjesëmarrja dhe paraqitja në Europian, përndryshe, do të ishte një tjetër histori më vete. Të paktë ishin ata që besonin se kuqezinjtë mund të merrnin rezultate pozitive, e jo më të pretendonin për të kaluar grupin. Tradita u jepte të drejtë pesimistëve, pasi historia e kampionateve europiane është e mbushur me pjesëmarrje të dështuara përfaqësuesesh, madje pa shënuar as edhe një gol gjatë gjithë aktivitetit.

Kombëtarja kuqezi doli për herë të parë në fushë në Lens, më 11 qershor. Ndaj Zvicrës ishte më tepër një përballje shqiptarësh, pasi kundërshtarët kishin në fushë në nisje të lojës pesë të tillë, Behramin, Xhemailin, Shaqirin, Granit Xhakën dhe Mehmedin.

Zvicerianët do të fitonin 1-0, me një gol të minutës së pestë. Kartoni i kuq i Lorik Canës, si dhe rasti i pastër i humbur nga Shkëlzen Gashi në fundin e lojës, ishin momentet më kritike për përfaqësuesen e Shqipërisë. Që përkundër pritshmërive, zhvilloi një pjesë të dytë fantastike, edhe pse me dhjetë lojtarë.

Ndaj Francës, më 15 qershor, në Marsejë, rezistohet bukur fort, gjer në minutën e 90-të. “Gjelat” francezë tregohen vërtet gjela kur fitojnë 2-0, me dy gola të shënuar në fund të lojës. Griezmann kishte bërë një sezon të shkëlqyer me Atletikon e Madridit, e po kështu Payet me Uest Hemin; të dy shënuan atë mbrëmje.

Katër ditë më vonë, e këtë herë në Lion, troket më në fund suksesi. Për më tepër, ndaj një rivali si Rumania, ndaj së cilës Shqipëria e ka patur pisk gjithmonë. Bilanci negativ ndaj bashkëballkanasve nuk pi më ujë!

Armando Sadiku shënon në minutën e 43-të; ky qe i vetmi gol i një ndeshjeje të fituar 1-0 nga kuqezinjtë. Goli i parë, fitorja e parë! Me sjelljen e tifozëve kishim fituar prej ditësh në Francë, tani i vinte radha dhe fitores në fushë.

Shqipëria renditet e treta në grupin A, me shpresën se mund të shkonte më tej. Një shpresë e venitur hap pas hapi, ndeshje pas ndeshje, rezultat pas rezultati. Në fund të ndeshjeve në të tëra grupet, futbollistët shqiptarë detyrohen të mbledhin plaçkat dhe të marrin rrugën e kthimit. Nga të tretat në grupe, eliminohen vetëm Turqia e Shqipëria. Për ironi të fatit, një përfaqësuese e renditur e treta në grupin e vet, Portugalia, do ta fitonte dhe Europianin.

Ngado që të marrësh, nga çdo këndvështrim që ta shohësh, sido që ta analizosh, paraqitja e Shqipërisë në këtë Europian qe vërtet një sukses!

Një sukses i eklipsuar nga përjashtimi i Skënderbeut nga veprimtaritë europiane të klubeve. Skuadra korçare e ka dominuar futbollin vendas që në fillim të kësaj dekade. Në pranverën e këtij viti, Skënderbeu fitoi të gjashtin trofe radhazi të Superligës, si kampion absolut. E megjithatë, për korçarët nuk kanë reshtur asnjëherë zërat për fiksim rezultatesh a për diçka tjetër të ngjashme; shkurt, për lojëra jo në fushë, por jashtë saj.

Skënderbeu përjashtohet për një vit nga pjesëmarrja në kupat e Europës, posaçërisht nga Kupa e Kampionëve, ku do duhej të merrte pjesë. Dënimi merr formë të prerë kur atë e lë në fuqi dhe Gjykata e Arbitrazhit Sportiv, CAS-i.

Kalvari nuk merr fund me kaq. Në ditët e para të dhjetorit u la të kuptohej se nga UEFA mund të kishte një tjetër dënim për Skënderbeun.

Në duhet t’i vësh në dy skaje kulmet pozitive dhe negative të futbollit shqiptar gjatë këtij viti, sigurisht që në atë pozitivin vendin e ka kombëtarja dhe pjesëmarrja në Europian, e në atë negativin, pa lëkundje mund të vësh Skënderbeun me dënimin e tij nga UEFA.

Pak ujëra kanë rrjedhur, por si përfaqësuesja, ashtu dhe Skënderbeu, e kanë humbur shkëlqimin. Kuqezinjtë nuk janë më ata të pak muajve më parë; humbja ndaj Izraelit, bashkëshoqëruar me dy kartona të kuq, është dëshmi e qartë e dështimit për ta përballuar suksesin e Europianit. Fakti që një fenomen i tillë është i ndeshur shpesh me skuadrat që kanë një kulm e bën më pak të dhimbshme ecurinë negative të muajve të fundit. Skënderbeu, në anën tjetër, duket të jetë në mbarim të ciklit fitues. Një fund që vjen herët a vonë për çdo ekip fitues. Tani është radha e Skënderbeut. Administrimi me pjekuri i një faze të vështirë të klubit do të jetë çelësi për të mos patur një periudhë të gjatë kalimtare e të mbushur me mungesë rezultatesh.

Si përfaqësuesja e Shqipërisë, ashtu dhe Skënderbeu, kanë nevojë për mëkëmbje. Për të mirën e tyre, për të mirën e ndjekësve të futbollit! /tesheshi.com/

 

Related posts