728 x 90 Leaderboard

Dritan Prifti: një profil ndryshe i “njeriut-video”

Pas një pauze disamujore, është rikthyer sërish në qendër të zhvillimeve politike shqiptare Dritan Prifti. Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe, përveçse nëpërmjet videove. Kësaj here ai shfaqet në një skenë të tipit seks-skandal, ku lihet të kuptohet se ajo çfarë shihet nuk ka të bëjë thjesht me aspekte intime të rëndomta të dikujt në jetën e tij private, por me një abuzim nëpërmjet ofiqit të lartë zyrtar që gëzon: është ministri që ka shkuar me vartësen e tij.

Por të mos ndalemi te kjo lloj lapërdharie e zakontë.

Të ndalemi më mirë tek profili i një njeriu të cilit sapo t`i përmendet emri mendja e lidh instiktivisht atë me video, akuza, komplote politike, dhe lloj-lloj provincializmash të tjera që vijojnë ta bëjnë lëmsh politikën dhe miletin.

Interesant është fakti se ai priret ta shesë shtrenjtë veten, si njeri me diplomë Harvard-i, si një kryefamiljar me një familje të shëndoshë; një pikë kjo ku Toma, miku i tij i ngushtë i “idealeve materiale”, shfaqet më i natyrshëm, duke mos u përpjekur të trukohet me resurse që nuk i ka.

Dritan Prifti nis të shfaqet në skenën politike shqiptare nga fillimi i viteve 2000, ku gjatë kohës së qeverisjes së Metës merr detyrën delikate të drejtorit të KESH-it. Fillimisht të jepte vërtet përshtypjen e një teknokrati të zot, por më pas nisi të bënte politikë të mirëfilltë, duke u përlarë së pari me Nanon, tipikisht në mënyrën provinciale të “salloneve” të Tiranës, gjë të cilën e vijon sot e kësaj dite me të njëjtin intensitet.

E akuzoi atë, Nanon, pra, se i kishte kërkuar ta përfshinte në një aferë milionash, por së cilës ai i kishte rezistuar. Vini re: të njëjtën gjë përmendi pak a shumë dhe vite më vonë për Metën, kur u prishën gjatë kohës së koalicionit me Berishën. Videot akoma nuk kishin hyrë në treg!

Akuzon Ramën se e ka parë të thithë drogë në zyrë (pra Rama i kishte të tilla raportet me drogën, sa çdokush mund ta haste duke e thithur atë, madje dhe në kushte zyre!!!).

Më pas këtë e përgënjeshtroi, pasi u nda me Metën, duke thënë se Rama ka ndryshuar, por pa e sqaruar nëse ndryshimi ishte politik apo narkotik.

Vjen dhe epoka e videove, që vazhdon tashmë me të njëjtin ritëm.

Publikon një video me Metën, atë që do mbetet në histori, edhe për shkak se provokoi 21 janarin, ndërkohë që mundej t`i denonconte paudhësitë e eprorit të tij dhe me forma të tjera më serioze.

Kjo përderisa pas asaj videoje na paskësh dhe të tjera, që e nxirrnin atë po aq “Metë” sa Meta me bllok. Dhe saga e videove vazhdon, me të njëjtin autor: Dritan Priftin.

Nëse do të pyesësh pas kaq vitesh protagonizëm të Dritan Priftit se ç’e dallon atë, një talent a aftësi e veçantë për mirë, se ç’gjurmë pozitive po i lë vendit të tij, se çgjë të mirë dhe të dobishme ka përfituar shoqëria prej tij, e se çstandarde të larta ka promovuar sa i përket punës apo etikës, jo vetëm që nuk do hasësh ndonjë përgjigje të hajrit, por rrezikon të dukesh si idiot ti që i ngre këto pyetje.

Shoqëria jonë, e sidomos media që e pasqyron dhe e formaton atë, nuk e ka atë lloj shqise sa ta masë me këtë lloj kandari vlerën e një njeriu. Përndryshe, kaq do mjaftonte që çfarë del prej gojës së tij të mos gjente vend askund, në asnjë hapësirë lajmi.

Në këtë rast, Dritan Prifti u mor si model; si modeli i një zhgani njerëzish që ende nuk dihet se për çfarë vlejnë e se ç`po i lënë këtij vendi, gjurmët e të cilëve të ndihen pa e hapur gojën fare.

I tillë është Ilir Meta, që në kaq vite protagonizëm i ka ofruar publikut si imazh (por që përbën dhe thelbin) skuthërinë dhe zhdërvjelltësinë për të luajtur balet me fizikun e një peshëngritësi në funksion të mbijetesës dhe triumfit politik, por që nuk dihet ende se ç`po i lë vendit të tij, diçka të frytshme, falë një aftësie të caktuar, makar në ekonomi, ku është diplomuar.

Kështu dhe me Fatos Nanon. Ne nuk jemi në gjendje sot të veçojmë një produkt të politikës së tij në një fushë të caktuar, ardhur nga një reformë e thellë, nga një vizion i qashtër, nga një largpamësi. Diferencën me këta e bëjnë Berisha me Ramën, që së paku kanë bërë emër diku edhe kur nuk kanë qenë pjesë e politikës. Në qofshin të dështuar në politikë, kanë gjithsesi gojë t`u thonë njerëzve se gjetiu kanë bërë diçka, kanë lënë një gjurmë, njëri në mjekësi e tjetri në art e publicistikë.

Por le të kthehemi tek Prifti, sepse është shëmbëlltyra më përfaqësuese jo vetëm e mbrapshtisë politike, por e dhe e një medieje që vuan nga mospasja e asnjë kriteri moral në gjykimin dhe vlerësimin e personazheve politike.

Përballë Dritan Priftit, tre pyetje ia vlen t’i bëhen atij si gazetar: Cili është profesioni yt (nuk e dimë ende se ç’profesion ka)? Për çaftësi dallohesh? Çgjë të mirë ka përfituar Shqipëria prej teje, qoftë dhe me një fjalë goje?

Të tjerat, se çvideo ke, çtë ka thënë Meta, ç`plane ke me Doshin, pse të ka inat Brahoja, a je takuar me Ramën, pse të do Berisha, janë afirmim jo i degradimit të personalitetit të tij, por të atij që i bën si pyetje, profesionalisht dhe moralisht.

Edhe diçka të fundit. Sikur nuk shkon që të jesh diplomuar në Harvard e të kesh mik e partner të ngushtë Tom Doshin!  /tesheshi.com/              

 

 

Related posts