728 x 90 Leaderboard

“Dosja Korça” – Ja cilët e kanë qeverisur këtë qytet për 23 vjet rresht; dhe pse mbetet ende tabu një kryetar bashkie mysliman

Nga Gëzim  Hashimi

Në Korçë, investimet e  furrishme në infrastrukturë janë një shenjë e sigurt se zgjedhjet janë në prag. Punohet nëpër rrugë me kanalizime, asfaltime e shtrime trotuaresh. Ndërhyhet nëpër lulishte e vende të tjera me interes publik.  Ato që përfshihen më së shumti në projekte investimesh janë rrugët. Fonde të përsëritura janë harxhuar për disa prej tyre.

Cilido kryetar bashkie do të shikohet duke inspektuar apo përuruar rrugë të qytetit. Korça është një qëndër urbane ku pas shumë e shumë vitesh duket se infrastruktura  nuk ka shumë vend për të përmirësuar, sidomos në zonat kryesore të saj dhe lagjet e ashtuquajtura karakteristike. 

c14151896170_pazari12

Megjithatë, sërish po punohet  sepse  zgjedhjet e 23 qershorit nuk janë larg. Eshtë mirë që  të ndryshojë faqja e ndonjë sheshi, të krijohet ndonjë lulishte e re dhe qytetarët të  ndiejnë kujdesin e atij që kanë zgjedhur. Slloganet e shpallura gjatë  fushatave elektorale, nuk janë dukur të përligjur gjithmonë në fund të mandatit të kryetarëve të bashkisë.

Asnjë kryebashkiak i Korçës nuk ka aritur të “dhëndërojë”  dy herë të plota në detyrën e tij. Disa prej tyre, kolltukun e kanë  patur trampolinë  drejt Tiranës. Po, cilët kanë qënë ata që kanë drejtuar Bashkinë e Korçës ? Çfarë imazhi kanë krijuar  si qytetarë të parë  dhe çfarë gjurmësh kanë lënë në të mirë të komunitetit?

 

Kryebashkiakët “babaxhanë”

Ndryshimet demokratike të viteve ’90-të,  doemos që do të sillnin edhe në krye të Bashkisë së Korçës një përfaqsues të PD-së: Gjergji Gjinko, pedagogu i lëndës së Gjenetikës në  Insitutin e Lartë Bujqësor  Korçë, erdhi në krye të bashkisë për  të hyrë  tashmë  në “genet” e bashkëqytetarëve të vet. Gjithnjë me një buzëqeshje  të lehtë në fytyrë dhe me rrema të lëshuara nga rrjedha e entuziaste e politikës së kohës, Gjergji Gjinko ariti të “vozitë” lehtë dhe me butësi gjatë mandatit të vet.

Gjergji Gjinko

Delikatesa si mësimdhënës e shoqëroi edhe kur ushtroi detyrën e kryebashkiakut.  Ndoshta për interesa të karrierës zgjodhi që të largohej shpejt nga Korça dhe u zhvendos në Tiranë. Vendin e tij në  krye të bashkisë, e zyri një tjetër përfaqsues i PD-së, Robert Kotmilo. Me profesion inxhinier kimist,  ai është përpjekur në një “alkimi” projektesh  në dobi të qytetit.

Tolerant politik, aq sa  një  eksponet  socialist lokal  e pranoi  si një prej nënkryetarëve të bashkisë. Kotmilo tregonte gjithnjë interes kur bëhej fjalë për çështje të ndjeshme të qytetit dhe u kushtonte kohë takimeve me njerëzit.  Drejtimi i tij mund të matet me atë se sa  çoi përpara infrasturukturën e qytetit, por koha që zbeh edhe ato që kanë ndodhur dy dekada më parë nuk na le shumë për të kujtuar.

Në Korçë qarkullon shprehja se “Robert Kotmilo as portën e vjetër të shtëpisë së tij nuk e ndërroi sa ishte kryetar bashkie”.  Edhe sot e kësaj dite,  në moshë të thyer, ka mbetur ai qytetari babaxhan e racional në marëdhëniet me njerëzit. Një tjetër inxhinier kimist me profesion, por si përfaqsues i PS-së erdhi pas Robert Kotmilos në krye të bashkisë së Korçës. Me mbështetjen e hapur të Kryeministrit të kohës Fatos Nano, duke zhvilluar edhe një fushatë më moderne   fitoi të drejtën e qytetarit të parë të Korçës: Gjergji Duro.  I thjeshtë dhe pragmatist, ai për herë të parë i dha vrrull  investimeve në infrastrukturën e qytetit.

Gjergji Duro ndihej kaq i suksesshëm dhe i sigurt  në fushatën e dytë elektorale, sa në një debat televiziv me rivalin e PD-së Robert Damo, duke shfaqur  një lloj  euforie sikur i hodhi para kohe shërbetin ëmbëlsirës së fitores së tij. Thuhet se brenda një nate kur u zhvillua ky debat televiziv, u kryen të tilla lëvizje dhe kontakte me grupe interesi të komunitetit rom që bënë shumëkënd  me sy të zgurdulluar. Rezultati befasues i zgjedhjeve lokale, ishte ai që nxorri fitues  përfaqsuesin  e PD-së Robert Damo dhe jo atë që pritej dhe që shikohej me një këmbë të hedhur  në mandatin e dytë. Gjergji Duro, pas një përvoje të shkurtër në Korçë  si menaxher i një kompanie private, u largua përfundimisht drejt kryeqytetit për të vazhduar atje jetën dhe  aktivitetin e tij.

 

Fryma konfliktuale

Robert Damo, ish shuteri i njohur i volejbollit korçar, shfaqi tiparet e tij sulmuese edhe nga pozicioni i kryebashkiakut. Fillimisht ai u konfrontua fizikisht në publik me një qytetar,  gjatë asaj që njihet si shëtitja e mbrëmjes në bulevardet e Korçës. Dalngadalë po ngrihej një dallgë e turbullt  kundërvënieje e Damos ndaj kushëririt të tij dhe kundërshtarit politik Ben Blushi, asokohe ministër i qeverisë Nano. Imazhin e errësoi së tepërmi me incidentin ndaj një gazetareje. Në prani të Damos, vartës të tij dhunuan, kërcënuan e fyen korrespondenten e një televizioni privat kombëtar. Disa gazetarë të mediave qëndrore ishin të padëshirueshëm në bashki, por kjo vetëm sa e bëri Robert Damon një shënjestër të  lehtë për shkrimet e kronikat e tyre.

Ka qënë mesi i  muajit qershor te vitit 2005 kur konflikti mes kryetarit të Bashkisë së Korçës dhe kandidatit të PS për deputet, njëkohësisht edhe Ministër i Pushtetit Lokal, Ben Blushi, shpërtheu në një luftë të shpallur. Policia bashkiake ndërhyri për të larguar nga një vend publik çadrën elektorale të kandidatit për deputet, me pretendimin se ishte ngritur pa leje. Kjo ishte si pika e fundit që derdhi ujin nga gota. Robert Damo doli me një deklaratë publike, duke synuar që me një gur të vriste dy zogj: edhe të shfrynte pakënaqësitë e tij ndaj Ministrit të Pushtetit Lokal që i bllokonte fondet, edhe ta diskreditonte sa të mundte në sytë e zgjedhësve.  “Që ditën e parë që kjo bashki u fitua nga demokratët, Blushi si person me pushtet ka bërë të pamundurën për të bllokuar fondet dhe buxhetin e saj, për të krijuar imazhin tek qytetarët se këtu nuk punohet”  ka thënë Damo në deklaratën e tij.

Bllokime ose jo të fondeve, është fakt se në “erën” Damo bashkia e Korçës regjistron investimet më të pakta publike. Kjo edhe si pasojë e politikës së tij jo aq paqësore. Nëse për një konflikt, ashtu si për të luajtur tangon duhen dy vetë,  padyshim që Damo ka qënë njëri prej protagonistëve.  Në fund të mandatit të tij, ai ishte konsumuar së tepërmi si ndjekës i linjës së ashpër nga e cila qytetarët korçarë nuk mbetën të kënaqur. Askush nuk e çonte nëpër mend rikandidimin e  Robert Damos. Në një farë mënyre , ai e kishte prerë vetë degën e pemës ku ishte ulur.

 

Korça qytet i festave

d14100417560_10320356_664172483636842_985003892759188521_nPërpara se të kalonte nga zyra e Prefektit në atë të Kryetarit të Bashkisë, Niko Peleshi imitoi punën e bletës. Në kontakte intensive dhe të larmishme,  ai diti të  mbledhë ide mjaft interesante. Meritë ka edhe sepse i vuri në jetë.  Slogani i tij “Korça qytet i festave”,  në fund të mandatit të parë dukej i përmbushur, prandaj ai në kandidimin e dytë e ndryshoi në  “Korça, qyteti ku dua të jetoj”. Nëpërmjet aktiviteteve festive qyteti fitoi jo vetëm gjallërinë por edhe zhvillimin turistik. Festa e birrës, festa e karnavaleve, festa e lakrorit, festat e fundvitit, kolonia e piktorëve, festivali ndërkombëtar i skulpturës, janë disa nga inisiativat  që Z. Peleshi i la si një trashegimi për Korçën.

Parku ” Rinia” i qytetit për disa vjet u pasurua me skulptura prej artistëve nga mbarë bota. Edhe infrastruktura e qytetit ndryshoi pamje rrënjësisht. U rikonfiguruan rrugë e sheshe, u krijua përmes debateve e mosbesimeve pedonalja, u rikonstruktua për herë të parë sheshi para Teatrit dhe ndonëse çuditshëm, Korça që thirret edhe ” Paris i vogël”  ngriti edhe kullën e saj panoramike. Niko Peleshi ja doli t`i sillte përfitim qytetit jo vetëm nga fondet e bashkisë e financimeve nga jashtë, por edhe të qeverisjes qëndrore,  edhe pse këtë të fundit  gjatë mandateve të tij e kishte PD.-ja

Peleshi FiloNdoshta këto suksese për zhvillimin e Korçës bënë që kariera e tij të ndryshonte. Me fitoren e koalicionit të majtë,  Niko Peleshi ndërpreu  afro 1 vit e gjysëm para kohe mandatin e tij të dytë si kryetar bashkie duke u emëruar numri 2 i qeverisë Rama.

Inspektim rruge

Pasuesi i tij për bashkinë e Korçës nuk ishte vështirë të çaktohej. Z. Peleshi e kishte deklaruar më parë se “truri” dhe krahu i djathtë i tij në bashki ishte nënkryetari, Sotiraq Filo. Përballë adashit të vet nga PD-ja, Sotiraq Stratobërdhës,  Filo fitoi lehtësisht atë çerek mandati që tashmë e ka në mbarim.  Pa asnjë rezervë, nga ana e PS-së i njëjti kandidat është zgjedhur të garojë edhe në zgjedhjet e 23 qershorit të këtij viti.

 

Ku ndahen dhe ku bashkohen

Kryetarët ebBshkisë së Korcës herë kanë qënë të favorizuar dhe herë jo në raportet me qeverisjen qendrore. Kur kanë ushtruar mandatet e tyre, Robert Damo dhe Niko Peleshi, qeverisja në qendër ka qënë e krahut të ndryshëm politik.  Nëse për Niko Peleshin mund të thuhet se kishte erën kundër gjatë qeverisjes Berisha, për Robert Damon duhet të thuhet se kishte kundër tufanin. Sepse Damo, ndryshe nga pasardhësi i tij Niko Peleshi, jo vetëm nuk u tregua elastik në marëdhëniet me qeverinë Nano, por krijoi një klimë të tensionuar me një prej ministrave të kësaj qeverie dhe deputet i Korçës. Falë prespektivave që u janë hapur, disa prej kryetarëve të bashkisë janë larguar një herë e mirë drejt Tiranës, siç veproi i pari Gjergji Gjinko, pas tij Gjergji Duro, e së fundi Niko Peleshi. Z Kotmilo zgjodhi të kalojë pleqërinë e tij në vendlindje, dhe po kështu Robert Damo që ju rikthye profesionit të pedagogut.

Të dy këta të fundit edhe pse nuk janë më mbështetës të PD-së nuk janë tërhequr nga jeta politike sepse janë shfaqur në veprimtari të partisë Fryma e Re Demokratike. Që nga kryetari i parë i Bashkisë së Korcës dhe deri tek ky aktuali askush nuk ka aritur të zgjidhë çështje të tilla sociale si strehimi, duke e lënë Korçën një nga qytetet më problematike në vend në këtë drejtim. Nga njëri tek tjetri, sejcili kryebashkiak ka deklaruar për fonde në rritje të investuara në dobi të qytetit , megjithse është fakt se Z. Peleshi ishte ai që hapi një kapitull të ri zhvillimi për Korçën.

 

Dhe një tabu e pazakontë…

Historiku i kryetarëve të Bashkisë së Korçës nuk njeh asnjë kandidat të besimit mysliman. Dy forcat kryesore politike PD e PS, asnjëherë nuk kanë guxuar të dalin me një kandidat të tillë, edhe kur janë përfolur apo ka patur personalitete me staturën e duhur për tu zgjedhur si qyyetarë të parë të Korçës. Duket se është kthyer në bindje opinioni që, komuniteti mysliman është i gatshëm të votojë një kandidat me përkatësinë fetare ortodokse,  ndërsa komuniteti ortodoks nuk mund ta bëjë një gjë të tillë për një kandidat mysliman.

Korça shpesh reklamohet si ortodokse, pavarsisht se përbërja e popullsisë myslimane  këtu është më e madhe. Ngjan si një harmoni fetare e një bote tjetër ajo e kohës së partiotëve të mëdhenj korçarë, kur i ndërtonin  raportet e të zgjedhurve në mënyrë të barabartë e të respektueshme. Tani zgjedhja e një kandidati mysliman konsiderohet si një dështim i garantuar, duke bërë që  Bashkia e Korçës të mbetet tabu  për një alternativë të tillë. Ndoshta për zgjedhjet lokale të 23 qershorit ka ardhur radha e një kandidati mysliman të mund të provojë çdo të thotë të garosh si  i tillë për bashkinë e Korçës.

gjergji mero

Qarkullojnë zërat se nga ana e PD-së, kandidatura kryesore për këto zgjedhje lokale do të jetë Rektori i Universitetit të Korçës , Prof. Gjergji Mero. Ai ka një përvojë të përafërt, pasi më parë ka drejtuar Këshillin Bashkiak të qytetit. Sidoqoftë, zgjedhja i përket subjektit politik që synon një rival sa më të fortë përballë Sotiraq Filos të PS-së. Nëse do të thyhej kjo tabu, atëhere Korça nuk do të jetë vetëm qyteti ku jetohet, por edhe qyteti ku bashkëjetohet. /tesheshi.com/

 

Related posts