728 x 90 Leaderboard

Dorëheqjet e ministrave teknikë, ja kush merr kompetencat e tyre

Zv.kryeministrja dhe 6 ministrat teknikë, të propozuar nga PD, në kuadër të marrëveshjes së 17 majit mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës, formalizuan dorëheqjet, duke i çuar me postë në godinën e Këshillit të Ministrave.

Pas largimit të tyre pati disa opsione se kush do të merrte kompetencat dhe do të ushtronte detyrën e titullarit të institucionit deri në krijimin e qeverisë së re në shtator. Opsioni i parë ishte që ministrat e dorëhequr do të vazhdonin detyrat, por kjo u mohua kategorikisht si nga burime zyrtare të PD-së ashtu edhe nga disa prej ministrave të kontaktuar nga tesheshi.com.

Opsioni i dytë, që edhe do të praktikohet, është ai që kompetenncat i kalojnë zv.ministrave. Burimet shprehen se tashmë detyrat e ministrave të dorëhequr, deri në shtator, do të mbulohen nga zv.ministrat e deleguar, që i përkasin Partisë Socialiste.

Kjo bazuar edhe në ligjin nr. 9000, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, ku parashikohet se zv.ministrat mund të ushtrojnë kompetencat e ministrave.

Në këtë mënyrë, kompetencat e Dritan Demiraj në Ministrinë e Brendshme i kalojnë Rovena Vodës, e cila u emërua në këtë pozicion në të njëjtën kohë me ministrin teknik.

Zv.ministri Erjon Luçi do të mbulojë kompetencat e Helga Vukaj në Ministrinë e Financave, ndërsa Arben Israj do të drejtojë Ministrinë e Drejtësisë, pas largimit të Gazment Bardhit.

Arben Beqiri, ministri teknik i Shëndetësisë, ia ka kaluar kompetencat zv.ministres Mira Rakacollit, ndërsa në vend të Mirela Karabinës, te Arsimi, kompetencat i kanë kaluar zv.ministrit Gert Janaqi.

Drejtimi i ministrive me zv.ministra nuk është hera e parë që ndodh, pasi një praktikë të tillë e ka ndjekur edhe ish-Kryeministri Fatos Nano rreth 13 vjet më parë, kur nuk votëbesonte dot të paktën 4 ministra në Kuvend për shkak të përçarjes së votave brenda Grupit Parlamentar socialist, si rezultat i përplasjeve në atë kohë me Ilir Metën dhe mbështetësit e tij. /tesheshi.com/

Related posts