Donit shi e freskllëk? Ja e diela e shkretë në plazhin e Durrësit me pak llucë nën këmbë

Nga Mark Brunga

Shirat e rënë gjatë natës kanë bërë që në plazhin e Durrësit të mizotërojë një dimër i parakohshëm në këtë të dielë, që ndryshe do ishte full.

Çadrat pothujse nuk janë hapur dhe një zymtëzi ka mbizotëruar aty ku pak orë më parë, ishte një gjurrulldi tipike për stinën, me një pamje tipike vjeshtore apo dimërore.

Në vend të plazhit, pushuesit kanë vendosur të bëjnë pushim dhe të gjezdisin në distancë nga deti duke shijuar freskinë bëfasuese që iu erdhi dhuratë nga qielli.

Por shirat kanë baltosur dhe terrenet mes pallatëve, duke nxjerrë sërish në pah problemet e kanalizimeve. Ndaj jo më kot, në raportin e dëgjesave publike të Ramës, Durrësi kishte në rend të parë kanalizimet.

Ndaj, veç freskisë, pushuesit janë të dënuar të shijojnë dhe pak llucë nën këmbë, si për t’u bindur se në Shqipëri, çfarë është në det nuk ka të qortuar, por çfarë është në tokë përbën lebeti. /tesheshi.com/