728 x 90 Leaderboard

Donald Trump: Pse e njoha Jerusalemin? Që të jetë jashtë tryezës së negociatave për paqe

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka përsëritur se çështja e Jerusalemit është jashtë tryezës së negociatave Izrael-Palestinë pas vendimit të tij për ta njohur si kryeqytetin e Izraelit dhe për të lëvizur ambasadën amerikane në qytetin e shenjtë nga Tel Avivi.

“Duke e hequr Jerusalemin nga tryeza, dëshiroja ta bëj të qartë se Jerusalemi është kryeqyteti i Izraelit, ndërsa për çështjen e kufijve unë do të mbështesja atë që të dy palët do të bien dakord”, tha Trump për gazetën Israel Hayom.

Komentet e Trump i bënë jehonë deklaratave që ai dha gjatë takimit të tij me kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, muajin e kaluar.

“Ata kurrë nuk e kanë folur për Jerusalemin. Ne thjesht e nxorëm nga tryeza e bisedimeve.  Nuk duhet të flasim më për këtë”, u tha Trump gazetarëve.

Duke tronditur dhe thyer vite të politikës amerikane, Trump njoftoi masën më 6 dhjetor, duke sjellë dënimin ndërkombëtar dhe duke shkaktuar një valë protestash të nxehta anembanë botës.

Një shumicë e jashtëzakonshme e shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara e shpalli masën e Trump si “të pavlefshme”, në një rezolutë jo-detyruese.

Statusi i Jerusalemit, i cili është vend i kulteve fetare të shenjta ka rëndësi të veçantë për muslimanët, të krishterët dhe hebrenjtë. Ai ka mbetur prej kohësh një temë e ndjeshme dhe një nga çështjet kryesore në konfliktin izraelito-palestinez.

Në intervistën ekskluzive me Izraeli Hayom, Trump po ashtu kërkoi nga Izraeli dhe Palestina që të bëjnë “kompromise të forta” për të arritur një marrëveshje paqeje, siç paralajmëroi kundër vendbanimeve izraelite.

Në një kritikë të rrallë ndaj udhëheqjes izraelite, presidenti amerikan vuri në dyshim angazhimin e Izraelit për të bërë paqe me palestinezët.

“Tani për tani, do të thosha se palestinezët nuk po kërkojnë të bëjnë paqe, por edhe për izraelitet nuk jam i sigurtë që po kërkojnë të njëjtën gjë, pra paqe që zgjat”, tha ai për Hayom, e cila është në pronësi të miliarderit amerikan dhe mbështetësit të Trump, Sheldon Adelson.

Izraeli e pushtoi Jerusalemin Lindor më 1967 dhe vazhdoi të aneksonte në mënyrë efektive, duke shkelur të drejtën ndërkombëtare.

Megjithatë, udhëheqja palestineze në Bregun Perëndimor të pushtuar, e sheh Jerusalemin Lindor si kryeqytetin e një shteti të ardhshëm palestinez.

Sot, 86 për qind e Jerusalemit Lindor është nën kontrollin e drejtpërdrejtë të autoriteteve izraelite dhe kolonëve hebrenj.

Trump paralajmëroi qeverinë e Netanyahut kundër vendbanimeve izraelite.

“Vendbanimet janë diçka që shumë e komplikon dhe gjithmonë e komplikon bërjen e paqes, kështu që mendoj se Izraeli duhet të jetë shumë i kujdesshëm me vendbanimet”, tha ai.

Rreth 600,000 deri në 750,000 izraelitë jetojnë në vendbanimet e ndërtuara përtej kufijve të njohur ndërkombëtarisht të shtetit të tyre.

Phyllis Bennis, analiste dhe njohëse e thellë i konfliktit palestinezo-izraelit, ka dyshime se komentet e Trump përfaqësojnë një ndryshim të politikës nga SHBA.

“Unë mendoj se ajo që po shohim këtu nuk është fundi i rolit amerikan si një ndërmjetës i ndershëm, sepse kurrë nuk ka qenë një ndërmjetësi i ndershëm”, tha ajo për Al Jazeera.

“Presidenti Trump e ka bërë të qartë se ai është tani edhe formalisht pro-Izraelit”, shtoi Bennis, e cila është gjithashtu një anëtare në Institutin për Studime të Politikave Ndërkombëtare. /tesheshi.com/

Related posts