728 x 90 Leaderboard

Ditmir Bushati: Po bëjmë çdo përpjekje për lirimin e Ballist Morinës

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, tha se Qeveria shqiptare po bën të gjitha përpjekjet që Ballist Morina të fitojë lirinë.

Nga qyteti i Shkodrës, kreu i diplomacisë u shpreh se ndoshta zgjidhja më e mirë do të jetë që autoritetet kroate të pranojnë kërkesën për azil të Morinës.

Prej disa ditësh ai ndodhet i arrestuar në Kroaci, ndërsa Serbia kërkon ekstradimin e tij për ngjarjen e ndodhur 3 vite më parë në stadiumin e Beogradit ku luhej ndeshja Serbi-Shqipëri, ndërsa Ballist Morina ngriti flamurin me mbishkrimin “Autoktonus”.

“Me lejoni t’u them se shteti shqiptar ka vepruar me të gjitha normat ndërkombëtare duke i dhënë asistencë Ballist Morinës, si dhe duke e vizituar aty ku mbahet aktualisht.

Ka patur edhe një komunikim në Podgoricë mes dy kryeministrave. i njëjti komunikim është edhe mes dy shteteve. Rregullat e ekstradimit janë të qarta. Pavarësisht fjalës së gjyqësorit, i takon Qeverisë kroate të vendosë. Jemi besimplotë se çështja do të zgjidhet në mënyre racionale”, tha Bushati.

Sipas tij, për rastin në fjalë kemi precedentin italian, ku Serbisë iu refuzua kërkesa për ekstradim.

“Jemi në një tryezë shahu, ku secila prej palëve bën lëvizjet që i gjykon me dobiprurëse. Serbia i ka bërë veprimet e saj. Marrëdhëniet mes dy vendeve duhen kultivuar dhe përmirësuar në funksion të stabilitetit demokratik”, tha Bushati. /tesheshi.com/

 

Related posts