reklama juaj ketu
reklama juaj ketu

Ditë të vështira për Haradinajn me shokë: ja si e përshkruan UÇK-në Chris Hill, ish-ambasadori i luftës në Kosovë

Arrestimi për të disatën herë rradhazi i Ramush Haradinajt, një ndër ish-krerët e UÇK-së në zonën e Dukagjinit, ka kthyer dhe njëherë debatin mbi statusin moral të ushtrisë e cila u bë promotore e çlirimit të Kosovës. Dhe në ligjërimin politik e diplomatik, ajo ka kaluar disa faza duke prekur edhe ekstremet; që nga etiketimi si terroriste e deri tek shënjtërimi si çlirimtare.

Edhe pse Perëndimi po shihet gjithnjë e me dyshim mbi rolin që po luan këto kohë, ku duket se ndërsa po e ledhaton fort Serbinë, nga ana tjetër po e zbehë shkëlqimin  e UÇK-së; dhe për këtë mjafton themelimi i Speciales.

Por në fakt, Perëndimi ka një traditë jo të vogël të respektimit të dhe vlerësimit të luftës së UÇK-së. Por në këtë rast është mirë që të veçohet se cila anë e Perëndimit. Sigurisht SHBA.  Dhe për këtë ia vlen të kujtojmë se çfarë  shkruan në librin e tij me kujtime një prej diplomatëve më të rëndësishëm amerikanë, i Dërguari i parë i SHBA-së në Kosovë në vitet e krizës, Kristofer Hill.  Ai rreshton të gjitha epitetet që anti-shqiptarët i kishin vënë kësaj organizate dhe faktin se Rugova humbi ndikimin e tij tek luftëtarët. Në një pikë ai kujton ndër të tjera se amerikanët negocionin me Rugovën, por e kuptuan se nuk po takonin njerëzit e duhur; pra UÇK-në. Hill kujton se si i dërguari special, Gelbard takonte liderët e UÇK-së dhe për këtë nuk u pranua në bisedime nga Beogradi.

Në kujtimet e fëmijërisë së Christopher R. Hill, Serbia kishte lënë gjurmë të hidhura. Kur jetonte me familjen ne Beograd, ish-Jugosllavinë e Titos, shtëpinë e tij e sulmuan një grup anti-amerikanësh që kërkonin që babai i tij, oficer politik në ambasadën amerikane, të largohej nga vendi. Por, kur Hill ishte një diplomat në kulmin e karrierës, do të kishte të bënte sërish me serbët dhe madje me më të keqin e tyre, Slobodan Millosheviç, kur u caktua si i dërguar special i SHBA-ve në zgjidhjen e krizës së Kosovës.

Si e humbi Rugova ndikimin tek UÇK-ja

Në shkurt 1998, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, (UÇK-ja) po shndërrohej në një forcë të madhe brenda vendit. Ajo kishte historinë e vet të ankesave, por ishte furnizuar gjer në dhëmbë me armë nga Shqipëria, e cila sapo kishte kaluar “rënien e skemave piramidale”. Në rastin e Shqipërisë, institucione financiare tërhoqën para nga publiku i gjerë dhe të cilët, në fillim përfituan shuma të mëdha. Por, shumë shpejt këto fitime filluan të bien, derisa u zhdukën nga qarkullimi. Me vendosjen e sanksioneve tregtare kundër Jugosllavisë, në 1992, nga Kombet e Bashkuara, mafia italiane erdhi, ndërsa kompanitë e naftës, që i nënshtroheshin sanksioneve u larguan. Sasi të mëdha benzine dërgoheshin në brigjet shqiptare, duke mbërritur në portin e Vlorës dhe niseshin nga Shqipëria, në Liqenin e Shkodrës, për në Jugosllavi. Kontrolli i mafias në anijet e naftës krijoi mundësi për biznes dhe shumë shpejt, Shqipëria u përfshi në rrjetet ndërkombëtare të mafias. Nuk ishin skema si ato Ponzi, sikurse ishin etiketuar nga media ndërkombëtare, por më shumë lehtësira për pastrim parash, një mashtrim që iu krye shqiptarëve “naivë” e të paditur, që për herë të parë provonin shijen e kapitalizmit.

Pas Marrëveshjes së Paqes së Dayton-it në nëntor 1995, marrëdhënie normale tregtare u vendosën me Jugosllavinë dhe u përforcua pastrimi i parave në Shqipëri, kryesisht nga kontrabanda e benzinës, që nisi të bjerë rreth viteve 1996-1997, dhe pjesa dërrmuese e parasë lëvizi tjetërkund

Që nga Maqedonia, shihja se si qeveria shqiptare ishte drejt rënies. Në atë kohë, qetësia po vendosej me ndihmën e trupave italiane, pasi rreth tre milionë armë ishin plaçkitur, shumë prej tyre ishin shitur bandave në Kosovë, një pjesë e të cilave do të përfshiheshin si elementë të UÇK-së. UÇK-ja operoi në mënyrë sporadike në 1996-ën, por në1997-ën, sulmet ndaj forcave të sigurisë Serbe u rritën dhe u bënë më vdekjeprurëse. Forcat serbe kundërvepruan dhe shumë shpejt Kosova u bë arenë lufte. Në Maqedoni, njerëzit shihnin të alarmuar atë që po ndodhte me Kosovën, e cila po shndërrohej në kaos.

UÇK-ja rendiste në radhët e saj patriotë, por edhe ish-kontrabandistë dhe banda të armatosura, dhe ishte e kujdesshme me privatësinë e liderëve të saj dhe politikat që ndiqte. Ky nivel privatësie dhe sekretesh, çoi në krijimin e miteve të tilla që thoshin se ushtarët e UÇK-së ishin terroristë islamikë, ose luftëtarë guerrilas marksistë, apo të dyja bashkë, sipas imagjinatës shterpë të atyre që urrenin ahqiptarët. Një fakt ishte i qartë: Udhëheqja e Ibrahim Rugovës nuk bënte më shumë përshtypje tek UÇK-ja. Pjesërisht, kjo bazohej në disa struktura klanore të Kosovës. Këtu përfshiheshin edhe faktorë rajonalë, por kryesisht po rritej perceptimi publik se Partia Demokratike e Rugovës (LDK) ishte e korruptuar dhe neglizhonte ndaj nevojave të komunitetit, një reputacion që rritej edhe me ardhjen e organizatave jo-qeveritare perëndimore, të cilat kishin mbyllur ciklin me Bosnjën dhe ishin zhvendosur tashmë në Kosovë.

Shtetet e Bashkuara, për një kohë të gjatë e kishin cilësuar Rugovën si lider të aspiratave politike kosovare. Për herë të parë unë e takova në rezidencën e ambasadës amerikane në Beograd, në korrik 1989, disa ditë pasi Milosheviç bëri vizitën e tij famëkeqe në Kosovë, për gjashtëqind vjetorin e betejës së madhe, një ngjarje që çoi serbët në luftë. Rugova ishte një akademik i qetë, i cili nuk shquhej që në fillim si politikan, por se me shumë takt më foli për procesin hap-pas hapi, në të cilin kosovarët kishin hyrë, duke më shpjeguar mendimin që po përpunohej nga një klan akademike në mënyrë private, dhe se lëvizja e tij ishte themeluar. Rugova nuk kishte shpresa tek Milosheviç por ishte i gatshëm të takohej me të, nëse do të duhej për të arritur rezultate më të mira. Në Ballkan një territor kaq i vogël, nuk ka sekrete, por ishte e qartë se, qëllimi i Rugovës ishte pavarësia e plotë, asgjë më pak. Ndaj, ishte i qetë dhe i durueshëm në mënyrën se sido të arrinte qëllimin e tij. Por thelbësore, ishte se ai dhe pjesa dërrmuese e shqiptarëve të Kosovës ndanin një ndjenjë të përbashkët besimi tek Shtetet e Bashkuara.

Në shkurt 1998, i Dërguari Special. Robert Gelbard, me një përpjekje të gabuar gjoja të paanshme, kritikoi aktivitetin e policisë serbe në Kosovë por kaloi kufirin duke thënë se UÇK-ja ishte një grup terrorist, gjë që ndodhi pas një takimi me dy anëtarë të saj. “Unë e njoh një terrorist që në pamje të parë dhe këta burra janë terroristë”.  Deklarata e Gelbard-it mbi terrorizmin solli tensione brenda Kosovës, pasi shkaktoi shqetësime, se serbët do ta shihnin këtë si një dritë jeshile për të sulmuar UÇK-në, kudo që mund t’i gjenin ata. Në fakt, autoritetet serbe kishin kohë që e shihnin UÇK-në si organizatë terroriste, e nëse komentet e Gelbardit kishin ndonjë ndikim në këtë situatë, kjo është e dyshimtë. Por, brenda disa javësh, serbët u drejtuan për në luginën e Drenicës, në zemrën e UÇKsë dhe sulmuan shtëpinë e komandantit Adem Jashari, duke vrarë atë dhe të gjithë familjen e tij, prej gjashtëmbëdhjetë personash, përfshirë fëmijët…

Sulmi serb u dënua ndërkombëtarisht, por denoncimi i jashtëzakonshëm i veprimit nga ana e Gelbardit, që ndihej i frustruar prej faktit se mund të kishte sadopak ndikim në këtë situatë, drejtohej në mënyrë të theksuar dhe të fortë ndaj Millosheviç-it. Një i dërguar, për të cilin, aksesi tek të gjithë palët është thelbësor, nuk e ka luksin që gjithmonë, të shprehet publikisht. Kjo detyrë i lihej personave të caktuar në Washington, të cilët udhëtonin pak dhe kishin ekskluzivitet aksesi ndaj diktatorëve të Ballkanit. Më thanë se Gelbard pati probleme me Milosheviç-in gjatë një takimi, ku dhe gjuajti me grusht në tryezë. Ai lavdërohej në Washington për të qenurit i drejtpërdrejtë, por në Beograd i treguan derën dhe nuk iu caktua kurrë më një takim.

Më tej, u krijua misioni vëzhgues, që do të përfshinte rreth dy mijë diplomatë. Unë isha ndër të parët që e vizitoi Kosovën, me këtë status. Teksa shkoja në një rrugë në jug të Pejës, një qytet i madh në perëndim të Kosovës, kuptova arritjen e madhe të krijimit të këtij misioni. Teksa kalova një rresht me shtëpi shqiptare të braktisura, banorët e të cilëve ishin nisur maleve, dëgjova një shpërthim të vogël pas një shtëpie, disa metra më tutje. U tërhoqa mbrapsht dhe pashë shtëpinë nën flakë. Ishte sikur serbët po na thoshin “Përshëndetje anëtarë të misionit, vëzhgojeni këtë!”

Rugova kish qenë lideri de facto i shqiptarëve të Kosovës për më shumë se një dekadë dhe sigurisht, nën këndvështrimin tim, meritonte të trajtohej me respekt. Por, ai po etiketohej në Ëashington si i paefektshëm dhe më së shumti, si një personqë s’kishte lidhje me armët.

Në majin e vonë, Gelbard mori një hov, duke takuar një anëtar të UÇK-së në Gjenevë, në atë kohë, kur unë dhe Holbrooke kishim një takim me Rugovën. Çështja ishte se ne ishim lajmi i së djeshmes, ndërkohë Gelbard ishte me njerëzit e duhur. Por ndërkohë, që unë dhe Dicku drejtuam për në tokën kosovare, para se të kthehej në SHBA, shkuam në një qytezë në jugperëndim të provincës së quajtur Junik, që kish qenë qendra e dhunës. Fshatarët na ftuan në një fermë, ku u ulëm në tokë me gota çaji turke me sheqer të fortë, të dëgjonim atë që kishin për të na thënë njëzet fshatarët.

Disa minuta më vonë, një ushtar UÇK-së, që i ngjante Che Guevara-s u bashkua me ne, me një uniformë ushtarake kamuflazhi dhe u ul pranë Holbrooke. Kishte shumë pak hapësirë në dhomë dhe botës që e shihnin në internet, ai dukej se ishte ulur pranë këmbëve të Holbrooke. Ai kuptoi se megjithëse kjo shënonte një pikë plus ndaj Gelbardit, mund t’i shkaktonte probleme me Milosheviç-in, të ngjashme me ato të Gelbardit, para disa kohësh. Holbrooke më kërkoi, të kthehesha në Beograd ditën tjetër, për të takuar Milosheviçin dhe ta siguroja se hyrja e “Che”-s në atë dhomë ishte tërësisht e papritur. /tesheshi.com/

*Marrë me shkurtime nga libri “Pararojë- në vijë e frontit të diplomacisë amerikane” me autor Christopher R. Hill, i Dërguari Special i Departamentit Amerikan të Shtetit në Kosovë gjatë viteve të krizës, botim i UET-Press, nëntor 2016