Dikur shokë ideali, rrahje mes (ish)vetëvendosësish

Për vite me radhë ishin miq dhe e sulmonin pa ndalë pushtetin, por sot “pushkën” ja kanë kthyer njëri-tjetrit. Fjala është për aktivistët e Vetëvendosjes dhe ish-ët, tani anëtarë të Partisë Socialdemokrate që udhëhiqet nga Shpend Ahmeti.

Një gjë e tillë ka ndodhur të shtunën pas mesnate, ku aktivisti i VV-së, Egzon Azemi ka sulmuar fizikisht anëtarin e PSD-së, Bardh Ahmetin.

Lajmi përveç nga policia është konfirmuar edhe nga të dyja palët.

Njëri prej të përfshirëve në konflikt, konkretisht këshilltari i Kuvendit Komunal të Prishtinës nga radhët e VV-së, Egzon Azemi, e ka pranuar se ka pasur një përleshje me një anëtar të PSD-së, por ka kundërshtuar përpjekjet sipas tij për t’i dhënë konotacion politik këtij rasti.

Lajmi që po qarkullon në disa portale rreth një sulmi fizik ndaj një anëtari të PSD-së, qëllimisht po tentohen t’i ipen konotacione politike, për tu viktimizuar e për të mashtruar opinionin. Është e vërtetë se me personin në fjalë kam pasur një kacafytje, dhe jam i vetëdijshëm se mënyra se si jam përgjigjur nuk ishte e duhura, por pas një provokimi (fyerje) që morra nga ai person u kundërpërgjigja në një mënyrë jo adekuate. Ajo çfarë ka ndodhur ka shqetësuar shumë edhe familjarët e mi, sepse 4 persona kanë ardhur tek shtëpia ime dhe më kanë kërcënuar. I kërkojë falje gjithashtu edhe familjarëve të personit në fjalë sepse sigurisht se janë shqetësuar dhe nuk i dinë arsyet e ngjarjes. Ka pasur qindra raste kur jemi provokuar e madje edhe jemi rrahur brutalisht, mirëpo asnjëherë nuk kam vepruar me hakmarrje dhe kam duruar lloj-lloj provokimesh. Mirëpo në atë moment nuk kisha zgjidhje tjetër. Po e theksoj përsëri se veprimi im nuk ishte zgjidhja e duhur, mirëpo me shpresën që kjo ngjarje të shërbej si mësim për të dy palët, që as mos të provokohet në mënyra të tilla e as mos të bimë në provokime të tilla”, shkruan Azemi në Facebook, pa treguar se nëse rrahja s’ka ndodhur për arsye politike për çfarë konkretisht ka ndodhur.

Ndërsa ka heshtur anëtari i PSD-së i përfshirë në rrahje, Bardh Azemi, për çështjen në fjalë ka folur bashkëpartiaku i tij, Nol Nushi i cili thotë se sulmi fizik ka ndodhur për shkak të urrejtjes që kanë mbjellë drejtuesit e VV-së ndaj të pakënaqurve që kanë dalë nga ky subjekt.

Rasti ka ndodhur të shtunën pas mesnate. Këta nuk kanë pasur ndonjë konflikt paraprak. Sulmi ka ndodhur tinëzisht dhe pa treguar asnjë arsye. Urrejtja që kanë mbjell drejtuesit e VV-së ndaj të pakënaqurve sjell pasoja të tilla. Kjo ka filluar nga Facebook-u dhe ka eskaluar në këtë situatë”, ka thënë Nushi.

Ai ka kërkuar që kjo sjellje të ndalet, duke theksuar se nga gjestet qyqare nuk përfiton askush.

Për rastin në fjalë deri më tani kanë heshtur krerët e dy partive, dhe nëse nuk ndalet gjuha e fyerjeve që po përdorin vazhdimisht mes vete ish-shokët, nuk përjashtohet mundësia që rastet e tilla të përsëriten.

Përgatiti: Blendi Gashi – tesheshi.com

 

Related posts