Dieta mesdhetare, e mirë edhe për mëlçinë!

Sipas një studimi të fundit, dieta mesdhetare është e mirë jo vetëm për zemrën, por mund të ndikojë drejtpërdrejt edhe në shëndetin e mëlçisë.

Përdorimi i një diete të bollshme me fruta, perime, drithëra, vaj ulliri dhe peshk, ul rrezikun e cirozës, sëmundjes së rëndë që prek mëlçinë. Sipas statistikave, nga kjo sëmundje vdesin çdo vit një milion njerëz në botë.

Aktualisht, për këtë sëmundje nuk ka ende një kurë specifike, por ajo trajtohet duke ia ngadalësuar avancimin, derisa shkon në atë gradë kur s’ka zgjidhje tjetër përveç transplantit.

Por kërkimet e reja shkencore, të kryera nga Virginia Commonwealth University, kanë zbuluar se dieta mesdhetare mund ta përmirësojë ndjeshëm gjendjen e të sëmurëve me cirozë. Testet e bëra kanë vërtetuar dobitë e kësaj diete të shëndetshme.

Studiuesit kanë zbuluar se dieta mesdhetare, e cila përfshin konsumimin e sasive shumë të vogla të mishit të kuq, përmirëson larminë e mikrobeve në zorrët e të sëmurëve me cirozë.

Duke folur për këtë studim, Dr. Bajaj, i cili drejtonte stafin kërkimor, thotë: “Ky është i pari studim që tregon lidhjen ndërmjet dietës, larmisë mikrobiale dhe rezultateve klinike për cirozën e mëlçisë.”’ 

Përfundimet e këtij zbulimi u prezantuan javën e kaluar në Kongresin Ndërkombëtar për Sëmundjet e Mëlçisë, që u zhvillua në Paris.

Profesoresha Annalisa Berzigotta, anëtare e bordit të Shoqatës Evropiane për Studimin e Mëlçisë, e cilësoi studimin në fjalë si “të rëndësishëm”.

Sipas saj, ky studim tregon se dieta mesdhetare, e pasur me antioksidantë, luan një rol të rëndësishëm mbrojtës në fazat e hershme dhe të avancuara të sëmundjes së mëlçisë. /tesheshi.com/

Related posts