reklama juaj ketu
reklama juaj ketu

Dhimitër Orgocka, Taqka që nuk do t`ja dijë për pleqëri!

Nga Gëzim Hashimi

Kafet e zakonshme që pijnë pensionistët, për atë më së shumti janë kafe pune ose mes miqsh. Pastaj niset me mjete të rastit sa për në Maliq, në qendrën kulturore që mban emrin e tij, ose në Bilisht, qytetin e rrethit të Devollit.

Dhimiter Orgocka 3

Në Korçë, ose do të verë në skenë një pjesë teatrore, ose do të meret me festivalin e Monodramës,  do jetë i pranishëm në aktivitetet artistike;  dhe kur mungon për disa ditë është në turne brenda ose jashtë vendit.

Ky pra është Dhimitër Orgocka, “Artist i Merituar”, që tani që edhe pse po arrin te tetëdhjetat, ka një vitalitet të habitshëm, një rini befasuese në dinamikën jetësore që shfaq.

“Shpesh më pyesin për moshën time ngaqë më shikojnë kështu aktiv  dhe unë ndoshta nuk e tregoj se sa vite kam mbi supe.  E marr si me shaka këtë pyetje dhe doemos edhe përgjigjen e saj. Për mua, pleqëria është një koncept pak abstrakt, sepse njeriu e ka vetë në dorë që të sfidojë moshën. Ja që unë nuk i ndiej 79 vite jetë dhe përse u dashka  të plakem me pahir kur punoj”,  shprehet artisti i mirënjohur korçar.

Taqka, siç e thërrasin në Korçë, edhe pse e sfidon bukur mirë pleqërinë, është tashmë nga ata “të moçmit” e teatrit të qytetit dhe ka vendosur autoritetin e tij të padiskutueshëm  në skenë.

Kumbimi i zërit të tij duket se  del nda gjoksi ashtu si në fillimet e karrierës.  E di fare mirë se talenti dhe disiplina e çojnë një artist tek arritjet, dhe këtë u këshillon edhe më të rinjve.

Nganjëherë u bërtet dhe bën regjisorin e ashpër në provat me djemtë e vajzat e reja që  ëndërrojnë skenën, por  në fund të çdo shfaqjeje ai do nderohet dhe duartrokitet. Natyrisht që

Vite e vite më parë,  për probleme biografie të vëllait të vet, e larguan nga teatri dhe e dërguan të punonte në fabrikën e lëkurës.  Dhimbja ju shtua kur edhe e  shumëdashura e vet si bashkëshorte, Dhorkë Orgocka, u dërgua në prodhim.

Tallazitjet e kohës herë e ngrinin mbi dallgë, e herë duket sikur do ta fundosnin, njësoj  si tek roli i Uranit në personazhin e Adem Rekës.  I është dashur të lerë skenën edhe për hir të  masivizimit të artit,  ka humbur role ngaqë duhej të punonte si rregjisor e të vinte  4 premiera në vit në pallatin e kulturës në Maliq.

Dhimiter Orgocka 2

Këtu nisi edhe një miqësi e hershme me këtë qytet,  nga i cili u shpërblye  në vitin 2007 me titullin ” Qytetar Nderi”  dhe vendosjen e emrit të tij që në gjallje qendrës kulturore.

“Kam një kënaqësi jashtëzakonisht të madhe që të rinjtë në Maliq janë të dhënë pas artit dhe kulturës. Prandaj këtu kam punuar dhe vazhdoj të punoj me të njëjtin pasion, sepse shikoj djem e vajza që qajnë kur nuk i aktivizoj nëpër aktivitete”, thotë Orgocka.

Aty nga viti 1993 inicioi dhe nisi të drejtonte shoqatën kulturore “Iliria”  me të cilën vazhdon veprimtaritë edhe sot e kësaj dite. Festivalin ndërkombëtar të Monodramës e  filloi në Korçë 12 vite më parë, dhe mbetet drejtues i këtij aktiviteti të rëndësishëm skenik.

Dhorkë Orgocka

Goditja më e rëndë e jetës do t`i vinte në vitin 2002 kur humbi gruan dhe partneren e skenës, Dhorkën.  Ai ka luajtur edhe Otellon, por në jetë ka qënë krejt i kundërti i Arapit të zi  në marrëdhëniet me bashkëshorten. Nuk mund t`i fshehë emocionet kur i bëhet ky krahasim, dhe  dashur pa dashur  fillon të flasë vetë për brengën e tij më të madhe.

“Nuk më mungon gjë, fëmijët, nipërit e mbesat që kanë jetën e tyre, por Dhorka më mungon shumë, dhe pas çdo dite pune kur kthehem në shtëpi e kam tepër  të rëndë që ajo nuk ma hap derën si dikur”, rrëfen njeriu Orgocka.  Një ngacmim më shumë është ai kur e pyet se ndoshta edhe këtë punë të palodhur e bën  edhe për Dhorkën.

“Po , është  i vërtetë edhe ky konstatim, më duket sikur duke punuar kështu ngushëllohem dhe e mbaj edhe atë në skenë”,  shprehet aktori dhe regjisori me emër.

Një tjetër artist i njohur i qyteti, poet, e quan ” Mbret” i skenës korçare, por Taqka sakaq i kthehet dhe i reciton një poezi kuptimplotë. Sërish zëri i gurgullon furishëm nga gjoksi.

Për meritat e tij, edhe Këshilli bashkiak i Korçës e ka votuar me titullin ” Qyterar Nderi”. Eshtë zgjedhur edhe Anëtar Nderi i shoqatave kulturore të Devollit dhe zonës së Gorës. Çmime kombëtare dhe ndërkombëtare gjithandej.  Ambasador i Paqes, dhe gjithashtu një ndër 100 intelektualët e vitit në 2014.

Dhimitër Orgocka  ka drejtuar 104 premiera në teatër, dhe si aktor ka 84 role në skenë. Më i fundit nga këta, ai që po luan këto ditë në Festivalin e Monodramës që ka nisur të zhvillohet për  vitin e 12-të rresht në Korçë e rrethinat e saj.

Ai synon që me këtë aktivitet artistik të  ngjallë edhe turizmin kulturor tek të huaj nga vende të tjera, dhe kësisoj  i zhvendos  shfaqjet e monodramës sa në Voskopojë, në Dardhë e padyshim edhe në Maliq.

Monodrama që interpreton së fundi ka për autor Namik Doklen. Edhe këtë herë korri duartrokitje të shumta dhe respektin e  të pranishmëve në sallën e teatrit “Andon Zako Çajupi” të Korçës. Një ditë më pas, si ai i zoti i dasmës që harron vetveten dhe merakoset për kënaqësinë e mysafirëve, Dhimitër Orgocka ja nisi ecejakeve për mbarëvajtjen e aktivitetit.

Ai që asnjëherë nuk ka menduar t`i largohet Korçës, ku është vlerë e rrallë jo vetëm rajonale por dhe i përmasave kombëtare. /tesheshi.com/