Dhimitër Gjoka: Vdekja e Mao ce Dun-it, lajmi më i sikletshëm që kam lexuar

Dhimitër Gjoka është padyshim ikona e “spikerisë” së lajmit të medias audiovizive shqiptare. Serioz, autoritativ dhe plot sharm, ai ka patur aftësinë e jashtëzakonshme që të endet profesionalisht mbi kohërat, tendencat, risitë e prurjet e reja, duke mbetur gjithëherë i freskët e njëherësh i plotpushtetshëm në ekran…        

Dhimitër, cili qe ai moment që u ndërgjegjësuat për një zë të mirë, e më pas u gjendët para një mikrofoni për të bërë lajmësin profesionist?

Nuk mund të them se ka pasur brenda meje një moment të caktuar për një zë mikrofonik. Ajo erdhi si diçka organike gjatë periudhës së  shkollës në recitimet e ndryshme në aktivitetet jashtë-shkollore në ciklin tetëvjeçar dhe me pas u evidentua zëri im në shfaqjet teatrale të shkollave të mesme që organizoheshin në qytetin e Vlorës.

Dua të theksoj se ato aktivite ishin shumë të dobishme për evidentimin e nxënësve të spikatur në prirjet e fjalës artistike dhe teatrore. Pikërisht në këtë periudhë brenda meje lindi vokacioni për ta përçuar zërin tim  me mjeshtëri artistike.

Le të flasim për atë kohë, kohën e “lulëzimit” tuaj në televizionin shqiptar (RTSH-në e famshme): mjaft të kishe një zë të mirë e të bukur, diçka e dhuruar prej Zotit, apo duhej mund e siklet i madh për të ardhur në parametrat e nevojshëm të timbrit, artikulimit, e ritmikës së duhur?

Duke qenë televizioni i vetëm kombëtar, përçuesi i vetëm i fjalës shqipe në atë kohë, selektimi ose përzgjedhja e individëve që do të merrnin mikrofonin dhe do të ishin imazhi i atij ekrani mbarëkombëtar, do të ishte tepër rigoroze dhe profesionale. Por ambicja dhe dëshira e madhe për të qenë pjesë e këtij rrugëtimi do të më bënte të mos nguroja për të startuar me bindje dhe guxim në pasionin tim.

A ka një “shkollë” të folësit televiziv (posaçërisht atij të lajmeve) dhe cila është kjo, nga kush emra përfaqsohet?

Nuk ka asnjë shkollë të mirëfilltë për të qenë spiker radioteleviziv. Gjithë plejada e spikerave që prej fillimit la gjurmë të tilla që hap pas hapi, nga njëri tek tjetri, të përbënin një shkollë të shkëlqyer të spikerimit shqiptar.

Keni patur ndonjë të dhënë  për atë se nga kush pëlqeheshit  atë kohë nga udhëheqja?

Sigurisht që preferenca e udhëheqjes ishte e padiskutueshme. Pa miratimin e saj nuk mund të ishe pjesë e ekranit, sepse gjithcka ishte e kontrolluar dhe ishte në shërbim të partise –shtet, ku gjithçka kalonte  në një filtër profesional  të besueshëm.

Cili ka qenë ai lajm i para `90-ës e më pas ai pas `90-ës që u ka vënë më shumë në siklet gjatë kumtimit; e cili ka qenë ai që u ka ngazëllyer më tepër?

Një nga ato lajmet që më ka vënë në siklet ka qenë anonçimi i vdekjes së Mao Ce Dun –it, ku me duhet të lexoja me saktësi emrat kinezë të gati treqind anëtarëve të komisionit që do të merreshin me ceremoninë mortore të tij, pasi ishin të vështirë në lexim dhe në tingëllim për gjuhën tonë. Nga ato lajme që  më kanë ngazëllyer para viteve `90–të, ka qenë rënia e Murit të Berlinit dhe fill pas `90–ës, lëvizja studentore që pruri ndryshimin e madh demokratik edhe në Shqipëri.

Si ju duken sot folësit e lajmeve, çfarë kanë të mirë e çfarë të mangët nga e dikurshmja?

Më pëlqen entuziazmi dhe dëshira për të qenë lajmorë të mirë dhe kompetitiv. Këto janë elementë bazë që garantojnë suksesin. Janë deçizive aparenca, zëri dhe puna e palodhur për të qenë sa më të azhornuar me lajmin e fundit. Pikërisht, ky lloj infomimi që ndjek lajmin e minutës së fundit, i bën këta lajmorë të sotëm të zhdërvjelldë dhe të shkathët në transmetimin e lajmeve për publikun e gjerë.

Ju tashmë jeni thinjur paksa, por asgjë nuk ka ndryshuar në energjinë dhe vitalitetin gazetaresk për ta kumtuar lajmin të plotë dhe me gjithë peshën që i takon, përfshirë dhe faktin e një timbri gjithnjë “rinor”. Ku qëndron sekreti?

Sigurisht që përvoja është gjithmonë  si një rritëm i brendshëm që të mban në formë përherë. Por pa një regjim rigoroz,  si në ruajtjen e aparencës fizike ashtu sikundër edhe te një trajnim i mirë ditor, i ngjashëm me atë të një atleti që do të mbajë veten në formë, nuk mund të kesh rezultatin e duhur.

Publiku ju njeh si folës lajmesh, pa e ditur ndoshta se karriera juaj përfshin dhe atë të regjisorit televiziv, por dhe pak të aktorit në rininë e hershme. Na flisni pak dhe për këto dy përvoja…

Sigurisht, përvoja regjisoriale është bashkudhëtare e karrieres sime televizive. Kam lëvruar pothuaj të gjitha gjinitë televizive si spektaklin, filmin dokumentar, telereportazhin, kronikën, sportin, emisionet në studio, ku jam nderuar me mjafte çmime kombëtare dhe ndërkombëtare.

Zë i bukur, por lajme të shëmtuara! E përjetoni dhe ju këtë paradoks?

Sigurisht, jam i detyruar të përcjellë me keqardhje edhe lajmet e pakëndshme, të rënda ,të shëmtuara, por s`ke ç`i bën, jeta i ka të gjitha ngjyrat.

Në fund, pranoni një urim prej nesh: Qofshin lajmet që jepni po aq të bukura sa tingujt e një zëri të mrrekullueshëm që lëshoni në eter!     

Nëse do ta kisha atë fuqi magjike që nëpërmjet zërit të ndryshoja frekuencën negative te lajmit të keq dhe emocionit që shpërndan ai, do përpiqesha  ta superoja vetveten duke e bërë lajmin e hidhur më pak të dhimbshëm. Faleminderit!

 

Intervistë redaksionale – tesheshi.com

 

auto pjese dak

Related posts