Auto Dak
Auto Dak

DETAJE/ Reuters tregon “Darkën e fundit” të Iranit: si u organizua sulmi ndaj Saudi Aramco-s

Katër muaj para se dronët të godisnin objektin më të madh në botë për përpunimin e naftës në Arabi Saudite, zyrtarët iranianë të sigurisë u mblodhën në një kompleks të fortifikuar në Teheran.

Grupi përbëhej nga elitat e Gardës Revolucionare, funksioni i së cilës përfshin zhvillimin e raketave dhe operacionet e fshehta.

Tema kryesore e asaj dite: Si të ndëshkojmë Shtetet e Bashkuara për tërheqjen nga Traktati Bërthamor dhe ri-vendosja e sanksioneve ndaj Iranit.

“Është koha për të nxjerrë shpatat tona dhe t’u japim atyre një mësim,” tha komandanti Hossein Salami, drejtues i Gardës Revolucionare, duke parë në sy një komandant të vjetër.

Ky takim, i përshkruar për Reuters nga tre zyrtarë të njohur të Iranit, është i pari që përshkruan rolin e udhëheqësve të Iranit në komplotimin e sulmit të 14 shtatorit ndaj Saudit Aramco, kompania më e madhe e  naftës në botë, e kontrolluar nga Arabia Saudite .

Këta njerëz thanë se Udhëheqësi Suprem i Iranit Ayatollah Ali Khamenei e aprovoi operacionin, por me kushte të rrepta: Forcat iraniane duhet të shmangin goditjen e ndonjë civili ose amerikani.

Reuters nuk ishte në gjendje të konfirmonte versionin e tyre të ngjarjeve dhe Garda Revolucionare nuk pranoi të komentojë. Teherani ka mohuar në mënyrë të përsëritur përfshirjen.

Alireza Miryousefi, zëdhënës i Misionit iranian në Kombet e Bashkuara në New York, hodhi poshtë versionin e ngjarjeve të rrëfyer për Reuters. Ai tha se Irani nuk luajti asnjë pjesë në sulme, se nuk u mbajt asnjë mbledhje e zyrtarëve të lartë të sigurisë për të diskutuar një operacion të tillë, dhe se Khamenei nuk autorizoi asnjë sulm.

“Jo, jo, jo, jo, jo dhe jo,” tha Miryousefi për Reuters.

Zyra e komunikimeve të qeverisë Saudite nuk iu përgjigj kërkesave për koment.

Sulmi 17-minutësh në dy qendrat e Aramco-s zbuloi rrezikshmërinë e kompanisë së naftës saudite, pavarësisht miliardave të shpenzuara për siguri.

Sulmi përgjysmoi për një kohë prodhimin e naftës dhe shkatërroi 5% të furnizimit me naftë në botë.

Mbretëria Saudite është rivali kryesor rajonal i Iranit, gjithashtu  një gjigant i naftës. Prodhimi i Saudisë është më thelbësor për ekonominë botërore, edhe si partner i rëndësishëm i sigurisë amerikane. /tesheshi.com/

 

auto pjese dak

Related posts