Dështimi i punës së Kuvendit të Kosovës: a po i lëkundet seriozisht Ramushit karriga e pushtetit?

Nga Blendi Gashi

Legjislatura e re e Kuvendit të Kosovës nuk po arrin të mbajë seanca normale, edhe pas përfundimit të zgjedhjeve lokale, pasi dështuan dy seancat e thirrura së fundmi ku ishin paraparë të shqyrtoheshin e miratoheshin një varg ligjesh.

Ndërsa fajin për mosmbajtjen e seancës së të enjtes mund t’i mveshet partive në pushtet PDK, AAK, NISMA, pasi bojkotuan atë, siç deklaruan për shkak të pakënaqësive ndaj punës së EULEX-it, vazhdimi i kësaj seance i paraparë të ndodhë të premten nuk u mbajt për shkak të mungesës së kuorumit, pasi deputetët e LDK-së lëshuan seancën,kurse prezent nuk ishin vetëvendosësit që u ballafaquan me policinë ku u arrestuan Kurti, Kadaj-Bujupi e Haxhiu.

Ndërsa mazhoranca nuk e sheh shumë problematike dështimin e seancave, opozitarët e quajnë një shenjë të rrëzimit të shpejtë të qeverisë.

I vetëdijshëm se seancat mund të dështojnë edhe në të ardhmen nëse nuk paraqiten partitë opozitare, kryeministri Haradinaj po kërkon kompromis.

Duhet konsensus. Partitë politikë ende nuk ia ka lëshuar sikleti i zgjedhjeve”, ka thënë Haradinaj pas dështimit të seancës.

Por ky kompromis i kërkuar nga Haradinaj me gjasë nuk do merret parasysh nga opozita.

Kryetari i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti në një konferencë për media tha se kjo qeveri shumë shpejt vet do të bie, pasi që vendi nuk mund të vazhdojë me këtë shumicë parlamentare.

Ju po e shihni si po funksionon kjo shumicë parlamentare. Asnjë seancë nuk po mbahet nëse ne nuk jemi në seancë dhe besoj shpejt që qeveria do të bjen vet.. Edhe mocioni mund të vijë. Të gjitha opsionet janë në tavolinë”, tha ai.

Ndërsa shtoi e shumica parlamentare në Kuvend është totalisht e papërgjegjshme karshi obligimeve që ka.

Ne sot e lëshuam mbledhjen e Kuvendit, si shenje pakënaqësie me këtë formë të udhëheqjes dhe funksionimit të Kuvendit. Kemi pasur 23 pika të rendit të ditës për të kaluar, plot vendime plot projektligje, presin votën e deputetëve të Kosovës . Ju po e shihni dhe gjithë qytetarët e Kosovës po e shohin, se me këtë praktikë parlamentare nuk ka stabilitet institucional në vend. Dhe kjo u dëshmu edhe sot. Sepse seanca u ndërpre në mungesë të opozitës në sallën e Kuvendit”, tha ai.

Ja sa seanca janë mbajtur për 100 ditë…

Se Kuvendi nuk ka mbajtur seanca të mjaftueshme tregojnë edhe të dhënat e Institutit Demokratik të Kosovës, organizatë kjo që moniotron këtë institucion.

Sipas KDI-së në 100 ditëshin e parë janë mbajtur vetëm 7 seanca plenare prej tyre 1 seancë konstituive, 1 seancë e jashtëzakonshme dhe 5 seanca të rregullta plenare, si dhe një interpelancë.

Nga këto seanca janë miratuar vetëm 2 ligje, kurse 20 pr.ligje janë në procedure. Ndërsa janë shtruar 27 pyetje parlamentare, ku prej tyre vetëm një pyetja nga prtitë në pushtet, konkretisht AAK.

Ndërsa janë mbajtur 67 mbledhje të komisioneve parlamentare, ku prej tyre ka pasur 14 raportime të ministrave. /tesheshi.com/