DËSHMIA/ Dhimbja e grave të dhunuara në luftë troket në Senatin Italian

Janë dashur 20 vite që zëri i tyre të dëgjohet mjaftueshëm. Dhe për këto 20 vite, akumulimi i dhimbjes e shfaq atë me përmasat reale por tronditëse.

E sot, gratë e dhunuara seksualisht dhe fizikisht gjatë luftës nga forcat serbe në Kosovë sot do të dëshmojnë në Romë, në Senatin Italian.

Delegacioni i Kosovës po përbëhet nga ish-presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, së bashku me zonjën Vasfije Krasniqi-Goodman, e cila vitin e kaluar u bë e para grua që publikisht foli për krimet që ishin kryer ndaj saj nga forcat ushtarake serbe.

Në përbërje të delegacionit është edhe deputetja Saranda Bogujevci, e para grua që ka shkuar në gjykatat e Beogradit për të denoncuar masakrën që ishte kryer ndaj dhjetëra anëtarëve të familjes së saj.

Si e mbijetuar e ngjarjes, Bogujevci ka qenë vazhdimisht e zëshme ndaj trajtimit të viktimave të luftës së Kosovës, e madje nuk ka fshehur a plagët e luftës të cilat i tejkaloi edhe pse u shtir si e vdekur.

Dëshmia e këtyre dhimbjeve në Parlamentin Italian është bërë në saje të ftesës së Komisionit për Punët e Jashtme të Dhomës së Deputetëve italian dhe Komisionit Parlamentar të Hetimeve mbi Feminicidin (vrasjen e grave).

Kjo seancë dëgjimore do të bëhet në saje të luftës që po i bën Italia të gjitha formave të dhunës me bazë gjinore.

Zonja Atifete Jahjaga, e cila i prin delegacionit,  ka kohë që po mbledh rreth vetes organizatat që u ofrojnë ndihmë grave të dhunuara në luftë.

Së fundmi, ajo shoqëroi zonjën Vasfije Krasniqi Goodman në Korenë e Jugut ku mori çmimin për Gruan e Guximshme, në saje të rrëfimit që bëri për të thyer stigmën që i rrethon gratë e dhunuara.

Krasniqi-Goodman ka rrëfyer përjetimet e saj edhe në Senatin Amerikan, ku senatorët e pranishëm nuk u rezistuan emocioneve të dhimbjes përballë saj.

/tesheshi.com/

auto pjese dak

Related posts