Demarkacioni rikthen përplasjet në Kosovë: kush është patriot e kush tradhtar?

Nga Blendi Gashi

Partitë kosovare assesi nuk po gjejnë një gjuhë kompromisi për ratifikimin e marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi, kjo edhe pas aneks-marrëveshjes mes presidentit kosovar e atij malazez, që parasheh rishikimin dhe korrigjimin e gabimeve eventuale nga marrëveshja e vitit 2015.

Edhe në seancën e sotme kanë dalë në pah kundërshtitë e mëdha, ku sërish janë kthyer akuzat se kush është tradhëtar e kush jo, e gjitha kjo lidhur me përfshirjen apo jo të raportit të kryetarit të Komisionit Shtetëror, Shpejtim Bulliqi në ligjin për Demarkacionin.

Ndërsa pozita dhe kryeministri Haradinaj insistojnë se kjo do të ndodhë, LDK-ja assesi nuk po e pranon këtë gjë.

“Marre ju qoftë…”

Kjo gjë e ka nervozuar tej mase Haradinajn i cili ka fyer deputetët e LDK-së, duke i akuzuar se janë të gatshëm të falin tokë.

“Marre ju qoftë. Jeni kundër një raporti që tenton të gjejë gabimet për territor. Jeni të gatshëm që të falni tokë. Sa të jem unë kjo nuk do të ndodhë”, ka thënë Haradinaj.

Kësaj gjuhe të Haradinajt i është kundërpërgjigjur shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti i cili ka thënë se i vjen keq që kryeministri doli në foltore e foli ashtu, raporton Indeksonline.

“Dihet kush është patriot e kush është tradhtar. Grupi ynë parlamentar nuk e pajton raportin me kauza politike, le ta shohin deputetët dhe të votojnë sipas ndërgjegjes së tyre. Kryeministri të jetë i kujdesshëm kur i drejtohet deputetëve ashtu, sepse ka njerëz që janë atje e kanë toka në kufi. Me këtë gjuhë më vjen turp si kryeministri u drejtohet përfaqësueve të vendit”.

Kurse nënkryetari i Kuvendit nga LDK, Kujtim Shala, ka thënë se nuk bëhet fjalë për argumente të ndryshme rreth projektligjit për Demarkacion, por për qëndrime politike rreth tij.

Ai ka theksuar se nuk mund të ratifikohet ligji për të cilin thuhet se me të është bërë tradhëti kombëtare dhe as raporti i Komisionit të Bulliqit, i cili thotë se Kosova është dëmtuar me territor.

“Kryeministër, na respektoni si opozitë dhe si deputetë që ta keni edhe ju respektin e opozitës dhe të deputetëve”, ka thënë Shala.

Ja qëndrimet e partive tjera…

Sigurisht në vijë me Haradinajn është edhe partia e tij, me crast shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi, ka insistuar që në pakon e projektligjit për ratifikimin e demarkacionit të futet edhe raporti i Komisionit të Shpejtim Bulliqit.

“Kemi një projektligj që saktëson elementet që kanë qenë të kundërshtuara për shkak të gabimeve që ka ndodhur, prandaj marrëveshja me dokumentacionit të komisioneve qeveritare dhe deklaratave të presidentëve, hap rrugën për korrigjim dhe ne jemi angazhuar që të bëhet korrigjimi që është pranuar edhe nga Mali i Zi”, ka thënë Isufi.

Kurse, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi tha se tash kur janë pranë për ta pasur shumicën për ratifikimin e kësaj marrëveshje, është për keqardhje që të ketë dallime në finesa të terminologjisë për të arritur në një tekst të përbashkët që i adreson recepcionet e secilit grup parlamentar.

PDK, sipas Krasniqit ka qenë konsistente në qëndrimin e vet dhe unike në mbështetje të marrëveshjes së demarkacionit, veçanërisht pas marrëveshjes së dy presidentëve që i adresojnë shqetësimet që kanë pasur të tjerët.

Ndërsa kryetari i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ka thënë se është shumë më e rëndësishme ruajtja e territorit të Kosovës sesa liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës.

“Pse po kërkoni që opozita të votojë për demarkacionin? Për këtë le të vendos ai që ka vënë nënshkrimin në marrëveshje. Opozita nuk është përgjegjëse”, ka thënë Konjufca.

Në fund, Konjufca ka konstatuar se për humbjen e territorit duhet të pyetet populli dhe jo ai që ka vënë nënshkrimin.

Related posts