728 x 90 Leaderboard

Demarkacioni në provën e katërt: ja ç’thonë deputetë kosovarë pak orë para votimit

Kuvendi i Kosovës sot nga ora 16:00 do të mblidhet me synimin që ta përmbyllë marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi, pas tre dështimeve për ta ratifikuar atë.

Edhe pse kanë mbetur edhe pak orë deri në fillimin e seancës, ende nuk ka një epilog të qartë nëse koalicioni qeverisës i ka 80 votat e nevojshme për ta ratifikuar këtë marrëveshje ndërkombëtare.

Të kontaktuar nga tesheshi.com, deputetë të partive në pushtet nuk janë të sigurt nëse sot do të përmbyllet gjithçka me Demarkacionin apo do të vazhdojë ende kjo temë të mbajë nën tension vendin, kurse ata të LDK-së thonë se janë unik për votën pro, ndërsa Vetëvendosje mbetet e palëkundur në qëndrime, duke e cilësuar të dëmshme këtë marrëveshje.

Deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli, thotë se ratifikimi apo jo sot i Demarkacionit varet nga votat e koalicionit qeverisës.

Nëse ata (partitë e koalicionit) i kanë 61 vota kalon Demarkacioni, nëse nuk i kanë minimum 61 vota, ata duhet me shkarku vetë. Për LDK seanca nuk shtyhet , kjo punë kryhet sot. Mund të shtyhet veç nga koalicioni që udhëheq Kosovën me 50 vota që do duhej të ishte 61”, thotë Avdyli për tesheshi.com.

I pyetur se a do të votojnë pro të gjithë deputetët e LDK-së, ai thotë se ashtu kanë qenë fjalët deri dje.

Blerta Deliu – Kodra, deputete e PDK-së nuk jep një përgjigje nëse sot do përmbyllet përfundimisht çështja e Demarkacionit.

Seanca duhet me u thirrë kur sigurohen votat. Du me besu që deri në ora 16:00 do ketë garancë se do të jenë votat”, thotë Deliu-Kodra për tesheshi.com.

Valon Ramadani deputet nga Lëvizja Vetëvendosje përveç se shprehet kundër ratifikimit të marrëveshjes nuk tregon nëse përveç votimit kundër do e kundërshtojnë edhe në ndonjë mënyrë tjetër.

Pritjet e mija për këtë seancë lidhen me bindjet se kjo marrëveshje nuk duhet të kalojë. Sa i përket mënyrave tjera të kundërshtimit ende nuk ka një qëndrim zyrtar të partisë se si do të veprojmë”, thotë Ramadani për tesheshi.com.

Time Kadrijaj, deputete e AAK-së, ka thënë se nuk mund ta dijë saktë nëse sot do të votohet marrëveshja, por sipas saj deputetët s’kanë arsye të mos votojnë pro.

Është punuar intensivisht nga krerët e shtetit në këtë drejtim që me u siguru votat, janë ata që e dinë saktësisht se a janë apo jo. Nuk mund të them asgjë sigurt. Nga ora 15:00 kemi mbledhjen e grupit parlamentar dhe aty do të kemi informata shtesë ku do të kuptojmë se a janë votat për ta kaluar Demarkacionin”, ka thënë Kadrijaj për tesheshi.com.

Enver Hoti, deputet i NISMA-s Socialdemokrate shpreh besimin se marrëveshja do ratifikohet sot.

Besoj se do të kalojë. Nnuk kam informata nëse koalicioni ka bërë numrat e nevojshëm dhe as që kam hulumtu për këtë gjë. Por mund t’iu them se grupi parlamentar i NISMA-s i ka votat e saj pro ratifikimit, për të tjeret nuk e di”, thotë Hoti për tesheshi.com.

Portali ynë ka tentuar të marrë përgjigje për çështjen në fjalë edhe nga krahu anti-Kurti që formuan së fundmi grupin e tyre parlamentar, por deputet të këtij grupi nuk janë përgjigjur në thirrjet telefonike. /tesheshi.com/

Related posts