Dëfrim Methasani: Si po shndërrohet Giani De Biasi në “Gani Abazi”; në Dibër këndoi dhe “Hajredin Pashën”

Nga Bardha Nergjoni

Kur Shqipëria do të jetë pjesë e “Europianit 2016” dhe Kosova pranohet në UEFA, nuk ka periudhë më të bukur për futbollin shqiptar si ambasadori më i nderuar i kombit në arenën e Europës dhe më tej. Një ndër gazetarët e njohur sportivë, Dëfrim Methasani, është ndoshta ai që ka qëndruar më afër kombëtares dhe sidomos trajnerit De Biasi me të cilin duket se ka lidhur tashmë një miqësi të ngushtë. Si shumë të tjerë, ai ka filluar ta konsiderojë një shqiptar trajnerin e kombëtares duke e shoqëruar tashmë në udhëtimet e tij nëpër Shqipëri. Detajet e vizitës së De Biasit së fundi në Dibër, Dëfrimi i sjell me emocion, si një tregues se trajneri italian tashmë po merr shumë nga Shqipëria dhe dalëngadalë po dashurohet me vendin tonë. Dëfrimi është udhëhequr nga zëra të mëdhenj komentatorësh, siç do të ishte dhe bashkëqytetari i tij Ismet Bellova, të cilin e imitonte qysh në rininë e tij. Ai flet për projektin e stadiumit të ri “Qemal Stafa”, për sportet, për europianin dhe për nismat e tij humanitare dhe për sportet që tashmë i ka pjesë të jetës dhe po shëtit Shqipërinë për t’i promovuar ato. Në një intervistë ai sjell më shumë detaje...

Çfarë mendimi keni për projektin e stadiumit të ri “Qema Stafa”?

Mendimi im është pozitiv për faktin që në Shqipëri duhen sa më shumë impiante të tilla moderne pasi gjithmonë infrastruktura është bazë e cilësisë dhe një shtysë e mirë për njerëzit që të vijnë në stadium. Dihet se nëse nuk ka kushte sa do lojë e bukur të ishte, sportëdashësit do të hezitonin ndërsa duke qenë infrastruktura ajo të ndjell dhe të fton sepse i krijon kushte spektatorit për të shijuar një ndeshje sportive. Them mendim pozitiv edhe për faktin se stadiumi do të bëhet nga investitorët dhe jo nga paratë e shtetit dhe Federatës. Ai që vjen e investon, natyrisht që do të përfitojë diçka duke zhvilluar biznesin e tij nëpërmjet kullës në projekt. Ka edhe modele të tjera si ky projekt siç është  stadimi i Sofies dhe të tjera. Mund të prishë syrin në pamjen e jashtme por në fund të fundit kur është diçka funksionale mund të qëndrojë.

A nuk do të ishte më mirë një stadium i ri në periferi të Tiranës?

Kam qenë gjithmonë për një stadium të ri jashtë kryeqytetit dhe kam propozuar ky stadium i ri të mbante emrin “Panajot Pano”. Unë jam nga ata individë që kam organizuar 7 vjet rrjesht një kupë sportive me emrin e tij. Nuk pata fatin ta shijoj duke luajtur por kam dëgjuar këto 25 vjet aq shumë për të. Është i vetmi futbollist me titullin “Nderi i Kombit”. Nëse një stadium do të kishte emrin “Panajot Pano” dhe të mbetej i përjetshëm emri i tij, dhe do të ishte një lloj testamenti sportiv për futbollin shqiptar.

Jemi në prag të europianit, ku Shqipëria arrin një kualifikim historik. çfarë mund të thoni për kombëtaren në prag kampionati?

Situata duket optimiste. Fakti që De Biazi ka konfirmuar qëndrimin më duket një situatë e mirë; dhe e dyta kombëtarja shkon për herë të parë në një europian dhe nuk ka çfarë humb sepse është filozofia e komitetit olimpik që thotë që të gjithë jemi të fituar në kuptimin e pjesëmarrjes.

Gjithësesi shpresat nuk duhen humbur deri në fund…

Sigurisht që po. Kemi rastin e Greqisë në 2004-ën që shkoi në europian dhe ishte befasia më e madhe. Vetëm një në botë e parashikoi fitoren dhe ndodhi që fitoi. Kemi rastin e Danimarkës që u kthye nga pushimet dhe u shpall kampione Europe.

Siç ka deklaruar edhe presidenti i Federatës Duka, që “nuk kemi yje në ekip por kemi një ekip yll”. Gabimet i bën ndoshta me të vegjlit, por me të mëdhenjtë luan fort. Është mirë të jenë titulluarët e kombëtarët por nuk është test por finalizim për të provuar aftësitë e futbollistëve.

Si e vlerësoni trajnerin e kombëtares De Biasi?

Fakti që ai është shpallur fitues me ekipin që mblodhi, më bëri ta dua. E kam thënë që profesioni i gazetarit të jep mundësinë të intervistosh dhe të rrish me yje. Fati e solli që të bisedoj e të rri me të. Është një njeri popullor dhe e do Shqipërinë sa që më duket sikur është shqiptar. Nuk është rastësi që mori pasaportën shqiptare. Aq e pëlqen ai këtë vend sa kërkon të shkelë çdo vend të Shqipërisë. Së fundi kemi qenë bashkë në Dibër, kam përjetuar emocionet më të bukura të jetës sime. Është një udhëtim që do të mbetet gjatë në kujtesën time edhe për thjeshtësinë dhe gjërat origjinalitetin e tij. Ai kërkonte të mësonte shumë historinë pasi kishte lexuar më parë. Më pyeste për fushën Torviollit si një nga fushëbetejat kryesore të Skënderbeut. Më pyeste për Hajredin Pashën. Kërkonte të dinte sa më shumë për Dibrën. u dashurua me ushqimet si me sheqerparen, me jufkat e Dibrës, por edhe me dhuratat shumë interesante që i bënë në zona të ndryshme që vizitoi.13148237_10209416099069388_1812757635_o

E rrallë ishte dhe pritja që i bënë dibranët si në asnjë vend tjetër në Shqipëri. Ndër surprizat ishte banderola “Grazie De Biazi”, “Faleminderit Duka”. Ndërkohë ngjarje të veçanta kishte disa ndër të cilat mund të veçoj. Ndërsa do drekonim në një lokal në Bulqizë, po zhvillohej një drekë synetlliku. Kur panë De Biasin dolën të gjithë dhe u duk sikur u prish festa. Atëherë ne hymë brenda u bëmë pjesë e festës dhe De Biasi mori edhe një valle.

Një tjetër ngjarje ishte dhurimi i një çiftelie nga një tifoz me mbishkrimin e Korabit dhe trajneri i kombëtares filloi t’i binte çiftelisë dhe të këndonte pikërisht këngën që kishte më shumë qejf, “Hajredin Pasha”. Vizita në Dibër të Madhe ishte një tjetër surprizë. Nuk kishim organizuar asgjë, por njerëzit u mblodhën të gjithë në një kafe që ishim e më pas në restorant sërish erdhën të gjithë. Madje tri vajza të vogla kishin marrë një taksi dhe erdhën në lokalin ku qëndronim ne. Shkuam për një orë në Dibër të Madhe dhe qëndruam 8 orë.

Ju kemi parë mbështetës të disa nismave humanitare. Si lindi ky angazhim?

Përpara se të jemi gazetarë duhet të jemi njerëz. Më duket sikur kam lindur me humanizmin qoftë të trashëguar por edhe duke kaluar ngjarje në jetë. Unë pata dhe një ngjarje në familjen time, sëmundja e Ambra Medës, mbesës sime. Ishte një moment që kuptova se kam bërë shumë mirë që kam bërë humanizëm. Ne ju drejtuam njerëzve dhe patëm një mbështetje të madhe. Kjo shërbeu për të vazhduar disa nisma si ajo e Mejdan Zhivanit, që u nda nga jeta në moshën 37 vjeçare e shumë raste të tjera. Gjëja më e kollajtë e njeriut është për të qenë njeri. Kam organizuar aktivitete tek spitali i fëmijëve me tumore, si dhe disa kupa me qëllime humanitare në Burgun e Grave në Tiranë, etj. Bashkë me kampionin e botës Ismail Keta kemi qenë në shumë vende e kemi bërë shumë dhurata. Kam shfrytëzuar miqtë e mirë sepse i vetëm nuk mund të bëja asgjë. Kemi ndërtuar një ambjent sporti në Bulqizë, në Rreshen etj.

Si u bëtë një gazetar i njohur sportiv?

Kam qenë mësues i edukimit fizik në disa fshatra në Dibër. Në fakt qysh në shkollën e mesme kam filluar të imitoj komentatorët, fillimisht Ismet Bellovën që e kisha idhull se ishte dibran e më pas të tjerët. Në atë kohë më thanë që ke dell për këtë punë. Kam filluar të shkruaj në shtypin e kohës si “Kushtrimi i maleve”, “Zëri i rinisë” dhe “Sporti shqiptar”. Erdha në Tiranë në vitet 90-të e konkurova tek TVSH. Fillimisht u angazhova në Radio Tirana dhe emisioni i parë i imi është i “Ushtarit” dhe sipas kërkesave të dëgjuesve. Më pas kalova tek kronikat sportive. Ndeshja e parë që kam komentuar si gazetar sportiv ka qenë Elbasani-Partizani që doli një me një.

A kanë të ardhme sportet në Shqipëri?

Futbolli po zhvillohet e po ecën, ndërsa sportet e tjera kanë pak interes e pak spektatorë. Duket sikur sportet janë bërë ca të nënës e ca të njerkës, pasi për disa po luftohet për mbijetesë. Ndërkohë futbolli ka ngjitje, sidomos në disa ekipe që luftojnë shumë në superiore. Në Shqipëri ka edhe shumë lojtar të huaj, aq sa është vendosur rregulli që nuk lejohen 4 të huaj një një ndeshje. Ka shumë të huaj që kanë ardhur në Shqipëri duke parë këtu një sport në zhvillim.

Nga do ta ndiqni europianin?

Do ta ndjek nga Tirana pasi TVSH nuk e ka të drejtën e transmetimit. Këto janë rregullat e tregut dhe jemi të detyruar të vuajmë të tilla rregulla. Ky është një realiteti. Nuk kemi transmetimin por do të kemi emisione në terren duke e përcjellë në mënyrën tonë emocionin e këtij kampionati të parë ku është edhe përfaqësuesja jonë kombëtare. /tesheshi.com/

auto pjese dak

Related posts