DEBATI/ Një film mbi Ajlan Kurdi: fëmija i qindra pikëpyetjeve etike

Janë bërë pothuajse katër vjet prej se kur imazhet tronditëse të një fëmije të mbytur, trupi i të cilit doli në brigjet e një plazhi turk, të bëhej simbol global i gjendjes së vështirë të refugjatëve sirianë. Fati tragjik i Ajlan Kurdi ka frymëzuar madje edhe një film – gjë që e ka shqetësuar familjen e tij.

Fëmija dyvjeçar dhe familja e tij po përpiqeshin të kalonin në Detin Egje në Greqi më 2 shtator 2015, kur varkën e tyre të gomës së mbipopulluar e gllabëroi vala, duke lënë të pajetë Ajlanin dhe nënën e tij.

Deri atëherë, mijëra fëmijë kishin përfunduar në fund të detit, në këtë rrugë të rrezikshme drejt Evropës. Të shtyrë nga lufta e tmerrshme civile e Sirisë, shumë prej tyre nuk ia dolën kurrë të kalojnë detin.

Mijëra të tjerë do të vazhdonin të vdisnin në vitet në vijim. Por ishte një foto e Ajlanit, me atlete, pantallona të shkurtra blu dhe një bluzë të kuqe, i shtrirë me fytyrë në rërë, ajo që kapi vëmendjen e publikut dhe tërhoqi një reagim të thellë emocional në mbarë botën.

Imazhi të thyente zemrën por nuk ishte 18 plus. Fytyra e tij e padukshme dhe paraqitja e tij sikur të ishte fjetur, e jo i vdekur, bënë që ajo të shpërndahej me të madhe, pa frikë se po shkelen ligjet e ndjeshmërisë.

Regjisori turk Omer Sarikaya, po realizon një film të frymëzuar nga vdekja e foshnjës, të titulluar “Aylan Baby” ku luan edhe Steven Seagal. Por ai ka zemëruar të afërmit e mbijetuar të Ajlanit, të cilët thonë se nuk është marrë leje për këtë gjë.

“Unë prisja që dikush tjetër të bënte një film”, i tha Sarikaya televizionit FRANCE 24 në një intervistë telefonike nga qyteti turistik Bodrum, afër vendit ku u gjet trupi i Kurdit.

“Pasi askush nuk e bëri, unë vendosa të xhiroj një film dhe t’i tregoj botës se çfarë po ndodh këtu”, shtoi ai.

Dilemat etike 

Polemika rreth “Aylan Baby” shënon kthimin e fundit të një debati të gjatë lidhur me shfrytëzimin e imazhit të Ajlanit nga ana e mediave, dhe pikëpyetja se nëse qëllimi i mobilizimit humanitar mund të kalojë në aspektin komercial.

Si rrallëherë më parë, fotografitë e Ajlanit të marra nga Nilufer Demir, një gazetar turk që punon për agjencinë e lajmeve Dogan, pushtuan botën.

Brenda pak minutash, redaksitë nëpër botë u ballafaquan me një problem të njohur. A duhet të botohen këto pamje rrënqethëse? Nëse po, si? Dhe nëse kjo po, pse jo të tjerat?

Disa vendosën foton ku një polic turk mbante me kujdes trupin e Ajlanit, duke e shikuar me dhembshuri. Të tjerë zgjodhën fotografinë e djalit me fytyrë poshtë në rërë. Të tjerë vendosën në ballina të tjera foto.

Në disa raste, redaktorët e lajmeve vendosën të mos i publikonin fotografitë, por megjithatë, rrjetet sociale po e udhëhiqnin trendin e lajmit botëror.

Vdekja tragjike e Ajlanit tregoi se si fotografitë mund të rrisin ndërgjegjësimin për një krizë. Ato formojnë opinionin publik dhe sjellin reagime politike.

Brenda disa orësh, pasi imazhet u bënë virale, donacionet për bamirësi për refugjatët kishin kaluar pritjet. Dhe brenda disa ditësh, disa nga qeveritë më të ashpra me politika radikale, ndryshuan qasjen për çështjen e emigrantëve (ndonëse për pak).

Në Britani dhe Austri, këto dy vende të pabindura, konservatorët që qeverisnin ranë dakord që brenda natës të strehojnë mijëra refugjatë sirianë.

Shpejt, Ajlani u bë një simbol për ndryshime. Pronësia e mediave mbi çështjen e Ajlanit e ka dërrmuar babain e tij, Abdullahun, i vetmi anëtar i familjes që mbijetoi në anijen e stërmbushur.

Pas humbjes së të afërmve të tij në det, ai ka mbajtur në duar fotografitë disa herë. Pasi historia e familjes së tij tani frymëzon një film, Abdullahu e ndjen se ai përsëri po kaplohet nga pikëllimi dhe kujtesa për të dashurit e tij. Por pos fotografive, ai s’ka gjë tjetër në duar.

Përgatiti: Arbnora Avdiu-Hoxha – /tesheshi.com/

auto pjese dak

Related posts