Debati mbi shtyllëzimin e rrugëve në Barcelonë: preferohet liria në vend të kufizimeve për sigurinë

Kryebashkiakja e Barcelonës, Ada Colau tha se nuk do të kërkojë vendosjen e shtyllave mbrojtëse në rrugët e qytetit, pavarësisht sulmit me furgon në rrugën La Rambla, një nga pikat turistike më të famshme dhe më tërheqëse në kryeqytetin e Katalonjës.

Është e pamundur që të mbushet qyteti me shtylla. Kjo është pikërisht ajo që duan terroristët, të jetojmë midis shtyllave”. tha Cola pasi shkroi në një libër ngushëllimi. “Ne dëshirojmë të jemi një qytet i lirë, kurse këto masa kufizojnë lirinë tonë”.

Ajo shtoi se masat mbrojtëse janë vendosur herë pas here gjatë koncerteve, festave dhe ngjarjeve të tjera.

Të enjten, pak pas orës 17, gjatë kohës kur qindra turistë po ecnin në qendër të qytetit, një furgon me shpejtësi shtypi dhe la të vdekur 14 kalimtarë. Më shumë se 130 vetë u plagosën. Që atëherë po vazhdon debati përse Barcelona nuk ka ngritur shtyllat dhe një gardh betoni për të ndaluar automjetet që të hyjnë në hapësirën e rezervuar për këmbësorët.

 

Përvoja e Nicës

Pas shtypjes së këmbësorëve me kamion në Berlin dhe në Nicë, Ministria e Brendshme spanjolle në fund të vitit 2016 pati propozuar futjen e pengesave fizike në rrugë për të parandaluar sulme të ngjashme. Barcelona gjatë festimeve të Vitit të Ri pati vendosur pengesat në një nga rrugët e saj, Avenue Maria Cristina.

Pas sulmeve në Barcelonë, shëtitorja bregdetare në Salou, një qytet me 33.000 banorë e ndodhur 100 kilometra nga Barcelona, ​​një qytet katalanas, përfshirë edhe Calafell, Reus dhe Calella vendosën po atë natë shtyllat mbrojtëse. Në kryeqytetin e Madridit u vendosën të shtunën blloqe të mëdha betoni rreth sheshit qendror të Puerta del Sol.

“Vendosja e blloqeve apo shtyllave të tilla është e pamundur në të gjitha pjesët e qytetit”, tha zyrtarja e Katalonjës, Joaquin Forn. “Kjo do të pamundësonte trafikun në qytet, do të krijonte një turmë, andaj edhe nuk do të parandalonte terroristët për të zgjedhur një vend tjetër.”

Pas sulmit në shëtitoren në Nicë, në korrik të vitit 2016 janë vendosur blloqe betoni dhe shtylla për të penguar hyrjen e automjeteve nga jashtë brenda në shëtitore. Në hyrjet ku shëtitorja lidhet me rrugën, tani janë të vendosura patrulla ushtarake dhe policore.

 

Sezoni turistik, rekorde në Barcelonë

Rruga La Rambla në Barcelonë është e gjatë 1.2 kilometra, dhe Forn thekson se ngritja e shtyllave apo pengesave është e nevojshme vetëm kur të mbahen ngjarje të caktuara si koncerte apo festa të ndryshme. Në dhjetor të vitit 2016, menjëherë pas sulmit në Berlin në Panairin e Krishtlindjeve, Madridi pati dërguar një propozim gjithë krerëve të policisë për të ngritur barriera fizike në të gjitha pjesët e Spanjës.

Policia Kombëtare spanjolle thekson se furgoni ka arritur të futet në La Rambla dhe të shkojë rreth 600 metra duke shkelur mbi këmbësorët para se të ndalet dhe shoferi të largohet nga vendi i ngjarjes. Policia rajonale e Katalonjës ka dështuar për të ndaluar furgonin. Në shëtitoren buzë detit në Cambrils, pasi ndodhi sulmi në Barcelonë, ishte parkuar një makinë e policisë.

Kur aty është shfaqur automjeti më i madh, Audi A3, në mënyrë që të shtypë këmbësorët, së pari ka goditur automjetin e policisë, dhe më pas është përmbysur. Policia më pas qëlloi autorët të cilët dolën nga automjeti dhe plagosën gjashtë kalimtarë dhe një polic.

Një përfaqësues i partisë opozitare Popullore e qendrës së djathtë të qytetit të Barcelonës, Alberto Fernandez, i kërkoi bashkisë së qytetit që të ngrejë pengesa në rrugë. Kryebashkiakja Cola tha se të gjitha departamentet do të vazhdojnë të punojnë së bashku dhe nën koordinim, por ajo refuzoi vendosjen në mënyrë të përhershme të pengesave në rrugë. Barcelona ka regjistruar një sezon rekord turistik, kurse në rrugët dhe plazhet e qytetit vërehen turma të mëdha njerëzish.

Përgatiti: Jeton Zenuni – /tesheshi.com/